SULMET IZRAELITO-AMERIKANE NDAJ IRANIT NUK DO TË SJELLIN PAQE APO STABILITET NË LINDJEN E MESME

Rexhep Elezaj

Arsyet që thirrën SHBA-në dhe Izraelin për të sulmuar brutalisht Iranin, në mëngjesin e së shtunës, 1 mars 2026, pa përfunduar bisedimet në Gjenevë, sipas palës amerikane ishin:

  • ndryshimi i regjimit teokratik në Iran si dhe largimi i liderit të tij shpirtëror, Ali Khamenei,
  • ndalimi i regjimit iranian për ndërtimin dhe posedimin e armëve bërthamore, si dhe shkatërrimi i bazave bërthamore,
  • ndalimi i prodhimit të raketave balistike të Iranit që arrijnë një distancë mbi 3000 km.

Ndërkohë, sulmet ushtarake ndaj Iranit kanë rezultuar në realizimin e vetëm njërit prej tre objektivave kryesore: vrasjen brutale të Khameneit si dhe të qindra civilëve iranianë, si dhe shkatërrime të mëdha materiale në shumë qytete iraniane nga bombardimet izraelito-amerikane. Bazuar në të dhënat që vijnë çdo orë nga Irani dhe Izraeli, mund të konstatohet si më poshtë:

  • Regjimi i mullahëve në Republikën Islamike të Iranit, pas vrasjes brutale të Khameneit dhe disa oficerëve të lartë ushtarakë nga bombardimet izraelito-amerikane të së shtunës në mëngjes, 28 shkurt 2026, i ka zëvendësuar ata me oficerë të tjerë, ndërsa emërimi i pasardhësit të Khameneit pritet të ndodhë sot ose nesër. Shtuar kësaj, rezistenca e fuqishme iraniane ndaj sulmeve të vazhdueshme nga Izraeli dhe amerikanët, ku Irani ka kryer kundërsulme me raketa ndaj bazave amerikane në disa vende arabe, si dhe sulme intensive ndaj Izraelit, duke shkaktuar dëme të mëdha te njerëzit dhe objektet jetike në Tel Aviv, siç ishte sulmi ndaj bazës bërthamore të Dimonës, etj., mund të thuhet lirshëm se agresioni izraelito-amerikan ndaj Iranit ka qenë krejtësisht i gabuar dhe i panevojshëm, sepse dëmet dhe pasojat e këtyre sulmeve do të jenë tepër të mëdha, fillimisht për Izraelin, Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Prandaj, jam i sigurt se kjo luftë, në asnjë variant, nuk do të sjellë paqe apo stabilitet në Lindjen e Mesme:

  • Ndoshta, përveç vrasjeve masive dhe shkatërrimeve që do t’i shkaktohen Iranit nga kjo luftë, regjimi teokratik në Iran nuk do të ndryshojë; ai do të vazhdojë të funksionojë me të njëjtin diskurs politik, fetar dhe ushtarak.
  • Armiqësia dhe urrejtja mes Iranit dhe Izraelit vetëm do të shtohen; ka shumë gjasa që kjo luftë t’i kushtojë shtrenjtë Izraelit për sa i përket numrit të viktimave dhe shkatërrimit të objekteve ushtarake jetike.
  • Shtetet arabe, vasale pro-amerikane, do të vazhdojnë bllokadën e tyre politike, fetare dhe ekonomike ndaj Iranit, dhe kjo vetëm sa do të rrisë destabilizimin dhe armiqësitë brenda botës myslimane në Lindjen e Mesme.
  • Izraeli do të vazhdojë politikën e tij hegjemoniste ndaj botës arabe dhe Iranit, duke zhvilluar një luftë për zhdukjen e popullit palestinez në Gaza, ndoshta si një qëllim “hyjnor” për krijimin e Izraelit të Madh nga Eufrati deri te lumi Nil.
  • Lufta izraelito-amerikane kundër Iranit, mbrëmë, nxiti Hamasin të sulmojë Izraelin me raketa, dhe në përgjigje ushtria izraelite po bombardon jugun e Libanit, një situatë e cila rolin e Bordit të Paqes të Presidentit D. Trump për realizimin e një marrëveshjeje armëpushimi mes Hamasit dhe Izraelit, e çon në pikën zero.
  • Kjo luftë, pa dyshim, do të provokojë konflikte të reja brenda botës arabe, si dhe përmbysjen e regjimeve autokratike në disa prej këtyre vendeve.

Ndërsa, për ndryshimet që kjo luftë do të sjellë, për shkatërrimet, pasojat, rreziqet e reja në Lindjen e Mesme, dëmet, numrin e të vrarëve në të dyja palët, si dhe për rrezikun e përshkallëzimit të saj në një luftë rajonale apo më të gjerë, mbetet të shihet se si do të zhvillohen ngjarjet në terrenin e luftës në ditët në vijim./fb

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne