Thaçi: Finalja e dialogut me Serbinë do të jetë e vështirë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media foli për takimin që do të mbahet të dielën në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivel presidentësh, pas ftesës së përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Presidenti Thaçi duke folur për takimin në nivel presidentësh që do të mbahet në Bruksel më 24 qershor tha se ky do të jetë takimi i parë i fazës finale të dialogut me Serbinë, e cila konfirmohet edhe nga letra zyrtare e marrë nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Moghnerini.

“Sigurisht se qëllimi ynë në këtë fazë përfundimtare të këtij dialogu është arritja e marrëveshjes ligjërisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të vendeve dhe popujve tanë”, tha presidenti Thaçi.

Sipas tij, bisedimet e ardhshme të fazës finale të dialogut me Serbinë do të jenë të rënda dhe të vështira, për arsye se siç tha ai në fund të dialogut do të përmbyllet procesi me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, historike dhe politike.

“Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë është e domosdoshme për synimin tonë që të bëhemi shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), për të përshpejtuar procesin e integrimit të Kosovës në BE dhe në NATO dhe për të siguruar vendin e merituar të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Thaçi tha se si president i vendit ka obligim kushtetues që t’i prijë këtij dialogu deri në fund të procesit.

Kreu i shtetit potencoi se çështja e dialogut me Serbinë ka karakter të interesit nacional dhe shtetëror për Kosovën, duke shtuar se nuk duhet të sillemi me tone nacionaliste e populiste.

Ai tha se Kosova në asnjë rrethanë nuk mund të refuzojë dialogun dhe negociatat sepse vetëm zëri dhe fryma evropiane e çon Kosovën drejt perspektivës euroatlantike.

Sa i përket riformulimit të kufijve me shtetin serb Thaçi tha se do të jenë rreth 400 kilometra që do të përcaktojnë vijën kufitare në mes dy vendeve.

Sipas tij, Kosova ka patur probleme të theksuara me Maqedoninë dhe Malin e Zi sa i përket kufijve por këto procese i ka përmbyllur me sukses duke e dërguar mesazhin më të mirë të mundshëm para botës.

Thaçi theksoi se çështja e kufirit do të jetë në tavolinë dhe do të përmbyllet mirë sepse Kosova nuk do të jetë e vetme me Serbinë, por do të jetë edhe faktori ndërkombëtar.

Në vijim presidenti Thaçi theksoi se Kosova dhe Serbia nuk kanë pasur asnjëherë kufij shtetërorë duke shtuar se do të insistojë që të jenë të involvuar në procesin e demarkacionit edhe përfaqësuesit e NATO-s.

“Sa i përket ëndrrës sonë për ta marrë veriun ne s’kemi çfarë të marrim sepse ajo është e Kosovës. Unë mendoj se më tepër është një mit i Beogradit tani më për veriun e më herët për gjithë Kosovën. Ne duhet të punojmë me gjithë spektrin politik dhe etnik”, tha Thaçi.

Tërë fokusi i BE-së dhe ShBA-ve, siç thotë Thaçi, do të jetë evropianizimi i Ballkanit Perëndimor. Ai nënvizoi se për Kosovën është jetike që të lëviz me hapa të sigurt dhe unik dhe ta shfrytëzojë këtë rifokusim të Uashingtonit dhe Brukselit.

Thaçi tha se kur një problematikë injorohet gjërat mund të përkeqësohen, duke shtuar se nuk është i interesuar për një konflikt të ri me Serbinë.(Anadolu Agency-AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne