Thaçi: Kosova e gatshme të hapë kapitullin e paqes me Serbinë

Kosova është e gatshme që të mbyll kapitullin e konflikteve me Serbinë dhe të hapë atë të paqes, deklaroi të premten Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një bisede telefonike me Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borisov.

“Vetëm pak ditë përpara mbajtjes së samitit të përbashkët historik të BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në Sofje, sot përsëri zhvillova një bisedë miqësore telefonike me mikpritësin e këtij samiti, Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borisov, shtet ky që aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian”, shkruan Thaçi në “Facebook”.

“Së bashku diskutuam sërish për rëndësinë dhe mundësinë e madhe që ofron ky samit për të qartësuar rrugën evropiane për Kosovën dhe të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Kushti kryesor për anëtarësim në BE, përveç plotësimit të kritereve të Kopenhagës, sigurisht që është mbyllja e çështjeve të hapura ndërmjet të gjitha shteteve në rajonin tonë, të cilat janë të përcaktuara për t’u anëtarësuar në BE”, nënvizoi Thaçi.

Kreu i shtetit të Kosovës theksoi gjithashtu se “për Kosovën dhe Serbinë, mbetet jetike arritja e marrëveshjes detyruese ligjore për normalizim dhe pajtim”.

“Këtë frymë të paqes dhe të bashkëpunimit, unë do ta përcjell në emër të qytetarëve tanë edhe në Samitin e Sofjes, sepse ne jemi evropianë dhe sjelljet tona duhet të jenë të tilla. Ky ishte mesazhi im kryesor për mikun tim Boyko, i cili meriton respekt dhe konsideratë të lartë për organizimin e këtij samiti”. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne