The Independent: Zemërim në Capitol Hill, skema e financuar nga SHBA për të ndikuar në debatin me Iranin është “plotësisht e papranueshme”

nga Negar Mortazavi dhe Borzou Daragahi. /The Independent

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thonë se janë zemëruar nga një fushatë e financuar nga qeveria e cila ka shenjestruar qytetarët amerikanë, kritikë ndaj politikës së linjës së shpër të administratës Trump kundër Iranit, e cila gjithashtu i akuzon kritikët si besnikë të regjimit të Teheranit.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit pranuan para stafit të Kongresit në një takim me dyer të mbyllura të hënën se një projekt që ishte financuar për të kundërshtuar propagandën iraniane kishte dalë jashtë binarëve. Kritikët në Uashington kanë shkuar më tej, duke thënë se programi i ngjante llojit të ushtrive kibernetike që përdoren nga regjimet autokratike jashtë.

“Është krejtësisht e papranueshme që dollarët amerikanë të taksapaguesve të mbështesin një projekt që sulmon amerikanët dhe të tjerët që kritikojnë politikën e administratës Trump të përshkallezuar dhe konfliktuale kundrejt Iranit”, tha në kushte anonimiteti një zyrtar i lartë i Kongresit për The Independent.

“Kjo është diçka që ndodh në regjimet autoritare dhe jo tek demokracitë”.

Një aktiviste iraniano-amerikane, që qëndron pas fushatës luftarake, ka marrë prej kohësh qindra mijëra dollarë nga Departamenti i Shtetit për të promovuar përgjatë viteve “liritë e shprehjes dhe qasjes së lirë për tek informacioni”.

Fushata që sulmoi ashpër kritikët ndaj politikës amerikane kundrejt Iranit në mediat sociale, duke përfshirë ato si Twitter dhe Telegram, i akuzoi ata se ishin operativë të paguar të regjimit të Teheranit duke mos pasur asnjë provë.

Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit tha të hënën për gazetarët se fondet për “Projektin e Dezinformimit të Iranit” ishin pezulluar dhe gjithcka po shqyrtohej pasi ishte raportuar se ai kishte shkuar përtej fushëveprimit të mandatit të tij duke u hedhur nga kundërshtimi i propagandës iraniane tek sulmet ndaj kritikëve të brendshëm të politikës së Shtëpisë së Bardhë.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit zbuluan para ligjvënësve se kishin dhënë 1.5 dollarë për Iran Disinfo, i cili në mënyrë të përsëritur kishte shënjestruar, sulmuar dhe kritikuar në mediat sociale kritikët e qëndrimit të ashpër të Trumpit ndaj Iranit.

Mes atyre që ishin vënë nën shënjestër ishin aktivistë, studiues dhe gazetarë amerikanë që sfidonin “fushatën presion maksimal” të administratës Trump kundër Iranit.

Zbulimi se paratë e taksapaguesve të SHBA-së po përdoreshin për të sulmuar kritikët e administratës, ka ndezur tani një stuhi pyetjesh.

“Këtu ka ende shumë pyetje pa përgjigje”, shkruajti në Twitter kongresistja Ilhan Omar. “Cfarë rregullash janë këto që lejojnë një organizatë të financuar nga shteti të sulmojë qytetarët amerikanë? Nëse nuk do kishte pasur kundërshtime publike, a do ti kishte pezulluar administrata këto fonde? ”

Rregullat amerikane të periudhës së Luftës së Ftohtë që ndalojnë përdorimin e propagandës së financuar nga qeveria kundër shtetasve amerikanë, janë shpërfillur për dekada të tëra.

Kongresistja Barbara Lee akuzoi Departamentin e Shtetit për dhënien e parave të taksapaguesve tek operativët “që akuzohen për kërcënime dhe sulme kundër aktivistëve, gazetarëve dhe akademikëve amerikanë për të drejtat e njeriut, të cilët kanë kritikuar politikat e ashpra amrikane ndaj Iranit”.

Ajo shtoi: “Kjo është e papranueshme dhe ne nuk do ta përkrahim”.

Sipas zyrtarëve të Kongresit që folën për The Independent në kushtet anonimiteti, zyrtarët e Departamentit të Shtetit që diskutuan në takimin me dyer të mbyllura, pranuan se projekti i kishte kapërcyer kufijtë.

Ashtu sikurse stafi i kongresistëve demokratë edhe ai i republikanëve ishin shumë kritikë ndaj projektit dhe pyetën nëse zyrtarët amerikanë duhet të vazhdonin të punonin me kontraktorin E-Collaborative for Civic Education. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit nuk pranoi të përshkruajë hapat që do të merreshin për të parandaluar një operacion të tillë në të ardhmen.

Disa prej tyre thanë se fushata sulmuese i ngjan atyre të nisura nga regjimi iranian kundër kritikëve të tij, si dhe ushtrive kibernetike të drejtuara nga Rusia, Arabia Saudite dhe autokracitë e tjera në përpjekjet për të formësuar debatin online dhe për të frikësuar kritikët.

Iran Disinfo ka sulmuar madje edhe gazetarë që janë konsideruar si mbështetës jo shumë të fortë të politikave të administratës Trump në mediat e financuara nga SHBA, duke përfshirë Zërin e Amerikës, Radio Farda dhe RFE / RL.

Fushata sulmuese është një aspekt i politikës për Iranin për të cilën kritikët kanë paralajmëruar se ka qenë tepër e politizuar, jokoherente dhe e rrezikshme.

Duke shpërfillur aleatët e amerikanëve, Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe sugjerimet këshilluese të këshilltareve të tij të inteligjencës, Trump anuloi marrëveshjen bërthamore me Iranin vitin e kaluar dhe nisi një fushatë të pashembullt sanksionesh dhe kërcënimesh kundër Teheranit, duke premtuar se do të ushtronte presion për të arritur një “marrëveshje më të mirë” sesa ajo e farkëtuar nga paraardhësi i tij Barack Obama.

Duke kërkuar evidenca se politikat e saj kanë punuar dhe kanë qenë popullore, administrata është mbështetur në burime informacioni jo normale dhe shpesh ka cituar lajme nga media të panjohura të krahut të djathtë dhe institute të studimeve strategjike.

‘E-Collaborative for Civic Education’ e bashkë-themeluar nga aktivistja iraniano-amerikane Mariam Memarsadeghi, ka qenë një kontraktues i Departamentit të Shtetit për një kohë të gjatë.

Ajo synon të promovojë jetën demokratike dhe politike dhe të fuqizojë shoqërinë civile brenda Iranit, por me sa duket ajo nuk ka prani brenda Iranit dhe në vend të kësaj e kufizon ngazhimin me iranianët e diasporës.

Zyrtarët e Kongresit gjithashtu konfirmuan për The Independent se një individ që punon për fondacionin Foundation for Defence of Democracies, një organizatë me ndikim në Uashington me pikëpamje të ashpra ndaj Iranit, është pjesë e Projektit dezinformues të ‘E-Collaborative for Civic Education’ për Iranin.

Një pjesëtar i stafit të Kongresit tha se priste që Departamenti i Shtetit të shqyrtonte “shkallën e koordinimit” midis projektit Iran Disinfo dhe “institutit për studime strategjike pro-luftës si fondacioni Foundation for Defence of Democracies”.

Gjatë fundjavës, The Intercept zbuloi se një aktivist i supozuar si iranian, i cili kishte botuar dhjetëra artikuj mbi Iranin në mediat prestigjoze si Forbes dhe The Hill, nuk ekzistonte dhe ishte një personazh i rremë i drejtuar nga një ekip operativësh të lidhur me një kult të çuditshëm politik iranian.

Personazhi “Heshmat Alavi” ka pasur një prani të fortë në Twitter dhe sulmonte gazetarë, akademikë dhe aktivistë iranianë, të cilët kritikonin organizatën Mujahedin-e-Khalq, një grup guerilësh të armatosur që tashmë qëndrojnë në Shqipëri. Midis programit Iran Disinfo dhe personazhit të rremë nuk dihet të ketë ndonjë lidhje.

Megjithatë personazhi ‘Heshmat Alavi’ u citua nga administrata Trump si një provë kundër efektivitetit të marrëveshjes bërthamore të kohës së Obamës. Disa nga artikujt e MEK-ut janë marrë për bazë gjithashtu edhe nga Zëri i Amerikës në gjuhën perse që financohet prej qeverisë amerikane.

Si llogaria e Alavit ashtu edhe llogaria e financuar nga SHBA shpesh akuzojnë skeptizizmin e amerikano- iranianëve lidhur me atë se administrata amerikane ka qenë e mashtruar prej regjimit të Teheranit.

“Është shkelje e rëndë që Administrata Trump ti përdorë dollarët e taksapaguesve në një fushatë të çmendur ku akuzon qytetarët amerikanë për besnikëri të dyfishtë ndaj një regjimi të huaj”, tha për The Independent, Dylan Williams, nënkryetar i organizatës hebraiko-amerikane J Street.

“Njerëzit e ndershëm nuk do ta toleronin një nëpërkëmbje të tillë të sponsorizuar nga shteti nëse objektivi do të kishin qenë hebrenjte amerikanë dhe ne nuk duhet ta tolerojmë kur objektivi janë iraniano- amerikanet.”/theindipendent/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne