Tirana reagon ashpër ndaj akteve vandale në “Air Albania Stadium”: Ata nuk e meritojnë të jenë tifozët tanë!

Tirana ka reaguar ashpër për vandalizmin që një pjesë e tifozërisë së saj ka kryer në “Air Albania Stadium”, duke dëmtuar 145 stola në takimin që bardheblutë fituan dje në mbrëmje kundër Kukësit.

Klubi kryeqytetas, nëpërmjet një qëndrimi zyrtar, mbështet nismën e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe do të bashkëpunojë në identifikimin e përgjegjësve të dëmtimit të impiantit më modern të futbollit në vendin tonë

Reagimi i Tiranës:

Klubi i Futbollit Tirana dënon ashpër aktet vandale të disa individëve mes tifozëve të Tiranës që kanë dëmtuar dje një numër të madh stolash në stadiumin “Air Albania”.

Tifozeria bardheblu është pa diskutim një nga asetet më të çmuara që kryeqyteti ka, por të tilla akte dëmtojnë imazhin, klubin, impiantin modern ku po punojmë që futbolli të jetë një festë dhe çdo ditë e më tepër familjarë.

KF Tirana mbështet nismën ligjore të Federatës Shqiptare të Futbollit, për të denoncuar pranë Policisë së Tiranës individët që kanë dëmtuar stadiumin. Materialet filmike do të dënojnë personat përgjegjes për këto shfaqje të shëmtuara, të cilat nuk kanë ndodhur dje për herë të parë, por në të gjitha ndeshjet e fundit në “Air Albania”.

Ftojmë të gjithë tifozët bardheblu ti bashkohen kësaj nisme që i shërben qytetarisë dhe futbollit. Jo vetëm në “Air Albania” por në çdo stadium, aktet vandale nga individë të caktuar nuk meritojne të jenë pjesë e tifozerisë së mrekullueshme bardheblu.

Tirana Reagim/balkanweb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne