Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka përdorur metodën e rrallë në dispozicion brenda ligjeve të kontrollit të armëve për të anashkaluar Kongresin dhe për të autorizuar shitjen e armëve në Arabinë Saudite dhe aleatët e Gjirit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Autorizimi vjen gjatë një periudhe të tensioneve të rritura midis SHBA-ve dhe Iranit, për të cilën administrata e presidentit Trump e ka cituar si kërcënim në rritje ndaj interesave amerikane në rajon.
Trump po ashtu njoftoi se 1.500 trupa shtesë po vendosen në Lindjen e Mesme për të mbrojtur nga Teherani forcat tashmë të pranishme atje.
Sipas raportimeve në media, Kongresi u njoftua nga administrata e presidentit Trump rreth përdorimit të kësaj metode dhe u tregua një marrëveshje që përbëhej nga më shumë se 20 marrëveshje të ndara me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), të vlerësuara në 8.1 miliardë dollarë.
Akti i Kontrollit të Armëve u jep ligjvënësve 30 ditë për të vendosur nëse do të miratojnë ose do të bllokojnë shitjen e armëve pasi Kongresi të njoftohet.
Dispozita e ligjit të përdorur nga Trump eliminon kërkesën që Kongresi duhet të shqyrtojë shitjet e çdo arme në një qeveri ose njësi të huaj.
“Jam i zhgënjyer, por jo edhe i befasuar se administrata e Trumpit ka dështuar edhe një herë për t’i dhënë përparësi interesave tona afatgjate të sigurisë kombëtare për të drejtat e njeriut dhe në vend të kësaj është duke u mundësuar favore vendeve autoritare si Arabia Saudite”, tha në një deklaratë senatori Bob Menendez.
Menendez, në rolin e tij si anëtar i lartë i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, që nga muaji prill i vitit 2018 ka mbajtur larg administratën e presidentit Trump nga shitja e armëve në Arabinë Saudite, duke u referuar në vrasjen e civilëve të pafajshëm në Jemen, vrasjen brutale të gazetarit saudit Jamal Khashoggi, për të cilat ai fajësoi Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman.
Senatori Chris Murphy, nga ana e tij, theksoi se, “Nuk ka arsye ‘emergjente’ të re për t’u shitur bomba sauditëve që t’i hedhin në Jemen. Duke bërë këtë vetëm vazhdon kriza humanitare atje”.
Ndërkaq, kongresmeni Eliot Engel, i cili shërben si kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës, e quajti lëvizjen e presidentit Trump “një tjetër shuplakë në fytyrën e Kongresit”.
Ligjvënësit kanë paralajmëruar se Trump nuk ka mbështetje për të arritur shitjen e armëve përmes Kongresit për shkak të zemërimit të vrasjes së gazetarit saudit Khashoggi, i cili ishte rezident i SHBA-ve.
Trump dështoi të pohojë ndonjë presion për ta mbajtur përgjegjëse Arabinë Saudite për vdekjen e Khashoggit, i cili u vra tetorin e kaluar pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll.
Në vend të kësaj, presidenti amerikan shpalli një marrëveshje për shit-blerje armësh prej 110 miliardë dollarë me sauditët./AA