Trump i kërcënoi me “zhdukje”, përgjigjet Irani: Lufta e shkurtër, iluzion. Kemi arsenal raketash

Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif, i ka dërguar një mesazh të enjten Presidentit të SHBA, Donald Trump, duke e paralajmëruar se konceptet e gabuara që ai ka rrezikojnë paqen.

Ai e quajti iluzion çdo shpresë të Trump se një luftë me vendin e tij do të ishte e shkurtër. Trump ka paralajmëruar se çdo luftë me Iranin do të sjellë “zhdukjen” e vendit. Ai tha gjithashtu se një konflikt me Republikën Islamike do të përfundojë shpejt dhe nuk do të përfshinte ushtarët e SHBA në terren.

Por një sulm amerikan ndaj Iranit mund të nxjerrë një përgjigje të shumëfishtë: Irani ka një arsenal të gjerë me raketa konvencionale dhe mbështet grupet militante të armatosura mirë në Liban, Siri, Irak dhe Jemen.

Ky vend ka mundësi të zgjedhë të përdorë ndonjërin ose të gjitha këto burime për të synuar jo vetëm personelin amerikan në rajon, por edhe aleatë të ngushtë si Izraeli dhe Arabia Saudite. Europa po përpiqet ta evitojë luftën.

“Unë dua të bind Trump se është në interes të tij për të rihapur një proces negocimi (dhe) të kthejë pas sanksione të caktuara për t’u dhënë negociatave një shans”, tha të enjten Presidenti francez, Emmanuel Macron, ndërsa mbërriti në Japoni.

Ai do të takohet me Trump gjatë samitit të G-20.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, tha në Bruksel të enjten për aleatët e NATO-s, se SHBA nuk po kërkon një luftë, por përsëriti nevojën për të parandaluar Iranin nga aftësia për të pasur armë bërthamore dhe për të adresuar mbështetjen e saj për grupet militante në të gjithë Lindjen e Mesme.

Franca dhe aleatët e tjerë theksuan për Esper se, marrëveshja bërthamore është e vetmja mënyrë e qëndrueshme për ta mbajtur Iranin larg nga zhvillimi i kapacitetit bërthamor, pa gjakderdhje dhe theksuan se marrëveshja nukleare nuk duhet të rrezikohet.

Nëse Irani e tejkalon limitin e rezervave dhe zgjedh të pasurojë uranin e tij më afër sasisë që duhet për armët, kjo do të nxiste një ndërhyrje të SHBA-së, me shumë gjasa, pasi Trump e ka cilësuar mundësinë e Iranit për të pasur armë bërthamore, si një vijë të kuqe.

Nëse bëhet fjalë për konflikt, europianët, Rusia dhe Kina, do të detyrohen të mbajnë anën e tyre, ose të përpiqen të mos përfshihen.

Sekretari i Jashtëm britanik tha këtë javë se ai nuk mund të parashikonte ndonjë situatë ku SHBA kërkon ose Britania pranon çdo lëvizje për të shkuar në luftë me Iranin.

Një shkencëtar politik në korporatën “RAND” paralajmëroi se “besimet tepër optimiste rreth luftërave relativisht të shpejta kanë luajtur një rol në shkaktimin e Luftës së Parë Botërore, luftës në Vietnam, pushtimin sovjetik të Afganistanit, operacionin e SHBA në Afganistan dhe sigurisht Irakut.

Shkencëtari i lartë politik, Michael Mazarr, i tha agjencisë franceze të lajmeve AFP se “Ka raste kur sulmet e kufizuara zgjidhen mjaft shpejt, por ka shumë raste të tjera ku supozimi i operacioneve të shpejta dhe të lehta ushtarake dëshmon gabime katastrofike”./panorama

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne