Bota

“Trump nuk ka strategji ushtarake për të luftuar me Iranin”

Presidenti i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme të Parlamentit iranian, Hashmetullah Felahetpishe, tha se presidenti i SHBA-ve Donald Trump nuk ka një strategji ushtarake për të luftuar me Iranin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për median shtetërore të Iranit, Felahetpishe ka vlerësuar thirrjen “më telefononi” që presidenti amerikan Trump bëri për liderët e Iranit.

Duke deklaruar se administrata amerikane ka luajtur kartat e fundit të sanksionimit kundër Iranit, Felahetpishe shtoi se puna e Trumpit është ekonomia dhe se ai mendonte që me sanksione mund ta vendoste Iranin në tryezën e negociatave.

Ai tha se Trump u përpoq të shmangte krijimin e një retorike ushtarake mes Iranit dhe SHBA-ve. Felahetpishe tha se “Trump ka vendosur zbutjen e axhendës së tij. Dëshiron të parandalojë formimin e një retorike ushtarake mes SHBA-ve dhe Iranit. Sepse në thelb nuk ka një strategji ushtarake në luftën me Iranin”

“Dërgimi në rajon i grupit sulmues të aeroplanmbajtëses ‘USS Abraham Lincoln‘ është një çështje e dakorduar mes Trumpit dhe Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton”, tha Felahetpishe i cili shtoi se pas këtij hapi hyn në zbatim politika e zbutjes.

Sipas tij, SHBA-ja dëshiron të negociojë me qëllim që Irani të mos posedojë bombën bërthmore dhe se Trump është në kërkim të ndryshimit të marrëveshjes bërthamore. “Irani mund të vendosë kushte për bisedime, sepse ne jemi një shtet i madh dhe se shtetet e mëdha mund të marrin vendime të mëdha”, tha Felahetpishe.

Pas thirrjes “më telefononi” të presidentit të SHBA-ve Donald Trump ndaj liderëve iranianë, Shtëpia e Bardhë në mënyrë që Teherani të lidhet drejtpërdrejt me Trumpin u ka dhënë një numër telefoni zyrtarëve zviceranë që ndërmjetësojnë në marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve./ AA

Etiketa

OPINIONE