Qeveria shqiptare ka vendosur në datën 8 dhjetor zgjerimin e rrezes operacionale për forcat e armatosura që marrin pjesë në operaconin e NATO-s, “Deti Egje”. Sipas vendimit në fjalë i lejohet personelit që është pjesë e anijes flamurtare, pra anijes përfaqësuese, që të kalojë në detin Mesdhe dhe Detin e Zi.
“Në vendimin nr.728, datë 20.10.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në pikën 2, pas fjalëve “… në detin Egje …” shtohen “… dhe për personelin në anijen flamurtare, në bazë të kërkesave operacionale të saj, edhe në detin Mesdhe dhe Detin e Zi …”, thuhet në vendim.
Më tej detajohet se cilat do jenë lëvizjet, kohëzgjatja e qëndrimit në operacion dhe se kush ka të drejtë që të kryejë lëvizje përtej normave të vendosura nga VKM-ja e tetorit 2016 që përcakton pjesëmarrjen e forcave shqiptare në Egje.
“Rajoni i venddislokimit të anijes së klasit “Iliria” dhe i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë do të jetë, si më poshtë vijon:
a) Për anijen e klasit “Iliria” dhe 21 (njëzet e një) ushtarakë, në detin Egje;
b) Për ushtarakun, oficer shtabi, në Grupin Detar të Përhershëm të NATO-s, në anijen flamurtare, në detin Egje dhe në bazë të kërkesave operacionale të anijes flamurtare, në detin Mesdhe dhe Detin e Zi.”, vijon vendimi.
Po kështu shtohen edhe detyrat e caktuara për personelin, mes të cilave hynë tashmë edhe “instalim i radiove të komunikimit …”.
Operacioni Aegean Sea është organizuar dhe drejtuar nga NATO në ndihmë të Turqisë dhe Greqisë pas shpërthimit të krizës së refugjatëve të vitit 2015.