Tubimi pro Palestinës u ndalua nga policia në Tiranë

Qindra protestues që u mblodhën kundër luftës së Izraelit në Gaza dhe në mbështetje të Palestinës u penguan të vazhdonin në Tiranë të dielën pasi një barrikadë policie i rrethoi.

Protesta, një nga të shumtat e mbajtura që prej 7 tetorit, u organizua nga shoqëria civile dhe persona publike në qendër të Tiranës.

Protestuesit bënë thirrje për t’i dhënë fund dhunës në Gaza, në emër të shqiptarëve por edhe të pjesës tjetër të botës.

“Në këtë tubim do të bëhet thirrje për ndërprerjen e luftës, ndërprerjen e masakrave, gjenocidit dhe spastrimit etnik që po i bëhet popullit palestinez në Gaza. Tubimi do të jetë në përputhje me ligjin dhe është dërguar njoftimi i nevojshëm tek organet kompetente”, thanë organizatorët.

Në fillim të protestës u shfaq në një ekran një dokumentar që pasqyronte situatën aktuale në Gaza. Protestuesit mbanin pankarta që dënonin krimet kundër civilëve dhe veçanërisht fëmijëve.

“Stop dhunës ndaj fëmijëve, ajo që po ndodh atje është gjenocid, shfarosje, nuk mund të rrimë pa reaguar”, tha një protestues për mediat.

Një deklaratë e përbashkët për shtyp nga UNRWA, OBSH, UNICEF dhe UNFPA, e botuar më 3 nëntor, tërhoqi vëmendjen për faktin se gratë, fëmijët dhe të porsalindurit në Gaza “po mbajnë në mënyrë disproporcionale barrën e përshkallëzimit të armiqësive në territorin e pushtuar palestinez”.

Ata deklaruan se deri në momentin e publikimit, 2326 gra dhe 3760 fëmijë janë vrarë në Rripin e Gazës, ekuivalente me 67% të të gjitha viktimave. Mijëra të tjerë janë plagosur, shtuan ata.

“Kjo do të thotë se 420 fëmijë vriten ose lëndohen çdo ditë, disa prej tyre vetëm disa muajsh”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Agjencitë u bënë thirrje “të gjitha palëve” që të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën civile.

Duke filluar nga sheshi Skënderbej, protestuesit u përpoqën të marshonin në bulevardin kryesor drejt Sheshit Nënë Tereza, pranë kryeministrisë, presidencës dhe godinave të tjera qeveritare.

Kjo është hera e parë që policia ndërhyn në një protestë pro Palestinës, vetëm disa ditë pasi abstenimi i Shqipërisë nga votimi i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për thirrjen për armëpushim, shkaktoi polemika.

Pati përleshje dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve përpara se këta të fundit të shpërndaheshin përfundimisht. Nuk dihet se për çfarë arsye policia ka penguar vazhdimin e marshimit.

Shqipëria ka qenë shtëpia e disa komuniteteve hebreje gjatë shekujve, duke përfshirë Beratin, Vlorën dhe Sarandën. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët mbrojtën mijëra hebrenj nga forcat fashiste që përparonin, duke i strehuar në shtëpitë e tyre dhe madje duke u vënë emra hebrenj. Në Berat, hebrenjtë u lejuan të përdornin një xhami për t’u falur.

Shqipëria është gjithashtu një vend me një popullsi të madhe myslimane dhe ndërsa dhuna në Gaza është përshkallëzuar, myslimanët, të krishterët dhe komunitetet jofetare kanë bërë thirrje për një armëpushim.

Kryeministri Edi Rama ka qenë i aktiv në dënimin e Hamasit dhe mbështetjen e Izraelit dhe është takuar me ambasadorin izraelit në Tiranë. I pyetur nga Euractiv në një intervistë në mes të tetorit, nëse kishte ndërmend të takohej me ambasadoren palestineze, ai tha se do ta bënte, por ajo nuk ka shprehur ndonjë dëshirë për ta bërë këtë.

Kur ambasadorja palestineze u ftua për të diskutuar ftesën e Ramës, ftesa e saj u refuzua. /Euroactiv/GazetaImpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne