Rajoni

Turkofobi Haradinaj priti në takim biznesmenët turq të MUSIAD

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim një delegacion të Shoqatës së Pavarur të Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Turqisë (MUSIAD) të kryesuar nga kryetari i degës për Ballkanin, Bilal Kara.

Në një njoftim nga Kryeministria e Kosovës bëhet e ditur se kryeministri Haradinaj gjatë këtij takimi i njoftoi biznesmenët për agjendën e qeverisë në përgjithësi dhe në veçanti fokusin në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe nxitjen e investimeve të huaja direkt.

“Jemi të angazhuar në hartimin dhe plotësimin e legjislacionit i cili do të ndihmojë krijimin e lehtësirave për investitorët e jashtëm potencialë dhe rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ai ka shtuar se Kosova ka shumë arsye për të investuar në të si resurset natyrore, taksat e ulëta, numri i madh i të rinjve të motivuar dhe energjik për punë si dhe përkrahja e madhe institucionale ndaj bizneseve.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast potencoi angazhimin maksimal të Qeverisë në fuqizimin e sektorit privat dhe e mirëpriti interesimin e Industrialistëve dhe Biznesmenëve nga MUSIAD, për mundësinë e investimeve në Kosovë, duke thënë se Kosova është ambient i favorshëm për zhvillim të biznesit.

Ndërkaq, Bilal Kara, e falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen, dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të shoqatës që drejton për mundësinë e investimit në Kosovë. (AA)