Turqia dënon sulmin e puçistit Haftar ndaj konviktit të një shkolle ushtarake në Libi

“Ne dënojmë me termat më të fortë sulmet ajrore të së ashtuquajturës Ushtria Kombëtare Libiane kundër një shkolle ushtarake në jug të Tripolit gjatë mbrëmjes së 4 janarit 2020, e cila vrau dhe plagosi shumë studentë”, thuhet në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.

Deklarata e MPJ turke vijon me këto fjalë: “Ne lusim mëshirën e Allahut për vëllezërit tanë libianë që humbën jetën në sulmet ajrore, shprehim ngushëllimet tona për familjet e tyre të pikëlluara dhe urojmë shërim të shpejtë për të plagosurit”

Pasi i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë menjëherë hapat e nevojshme për të ndalur sulmet e së ashtuquajturës Ushtria Kombëtare Libiane, e cila udhëhiqet nga Haftari, për të siguruar një armëpushim në Libi dhe për t’i dhënë fund mbështetjes së huaj për Haftarin; MPJ turke potencon se Ankaraja zyrtare do të vazhdojë të punojë në solidaritet me Qeverinë legjitime të Pajtimit Kombëtar (GNA) për të arritur këto objektiva.

Në sulmin e kryer të shtunën vonë nga avionët luftarakë të liderit puçist të milicisë në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, ndaj një konvikti të akademisë ushtarake në Al-Hadba, distrikt në jug të kryeqytetit Tripoli, kanë humbur jetën të paktën 30 persona, shumica e të cilëve studentë, ndërsa janë plagosur 33 të tjerë./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne