Bota

Turqia i dhuroi ndihma humanitare Ministrisë së Shëndetësisë të Palestinës

Gjysmëhëna e Kuqe Turke do të dërgojë ndihma në materiale shëndetësore për Palestinën në vlerë 1 milionë dollarë.

Sipas komunikatës me shkrim të bërë nga Ministria e Shëndetësisë, kryekonsulli i Turqisë në Jerusalem, Gurcan Turkoglu u takua me ministrin e Shëndetësisë të Palestinës, Xhevad Avvad në Ramallah.

Në takim ishin të pranishëm edhe koordinatori për Palestinën i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Bulent Korkmaz dhe drejtori i departamentit të marrëdhënieve me jashtë pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Selami Kiliç.

Kryekonsulli i Turqisë, Gurcan Turkoglu gjatë takimit theksoi se Turqia krahas përkrahjes në fushat tjera vazhdon edhe me përkrahjen në sektorin e shëndetësisë, ndërsa shtoi se Gjysmëhëna e Kuqe Turke do të dhuroj ndihma në ilaçe dhe pajisje mjekësore.

Ndërkaq ministri i Shëndetësisë së Palestinës, Avvad bëri fjalë me lëvdata për qëndrimin e Turqisë në çështjen e Palestinës, ndërsa shprehu kënaqësinë nga përkrahja që Ankaraja zyrtare i jep liderëve dhe popullit palestinez.

Gjatë takimit Avvad dha informata të hollësishme në lidhje me gjendjen e sektorit të shëndetësisë në Palestinë.

Në deklaratë gjithashtu bëhet e ditur se do të organizohet një mbledhje e ministrave të shëndetësisë të dy vendeve për të përcaktuar nevojat e spitalit të “Miqësisë Turko-Palestineze” që do të themelohet në të ardhmen./ trt