Udhëpërshkrimi nga Haxhi II

Nga Faik Miftari

(Pjesa e dytë)

22 gusht-ditë e marte

Ishte dita e dytë e qëndrimit tonë në Meke, pas dy netëve të kaluar pothuajse pa gjumë, e shfrytëzova rastin të pushoj dhe të flejë, pasi që pagjumësia e bëri të veten, që të mos lëvizi fare nga hoteli gjatë tërë ditës, përveç namazeve ditore që i falnim në xhaminë që e kishim fare pran hotelit apo në mesxhidin  që e kishim brenda hotelit. Në mbrëmje së bashku me cimerin e dhomës, Osmanin, pas ngrënies së darkës, u nisëm drejt Qabesë, në të cilin arritëm në kohën e namazit të jacisë, saktësisht kur imami i Qabesë e udhëhiqte namazin, iu bashkëngjitëm namazit jashtë haremit, pasi që hapësira rreth Qabesë ishte përplot. Pas namazit së bashku me Osmanin u drejtuam në Qabe për të kryer tavafin nafile (vullnetar), të cilën për dallim nga nata e mëparshme , tavafin e kryem  afër Qabesë, pasi që fluksi i haxinjëve në këtë kohë ishte pak më i vogël e që na dha mundësinë që të shfrytëzonim si është më së miri, të kryejmë tavafin sa më afër Qabesë. Tavafin e kryem në kohëzgjatje prej 35 minutash, pasi që hapësira rreth Qabesë ishte shumë më e vogël përkundër natës së mëparshme kur tavafin e kryem në katin e tretë në kohëzgjatjes prej 70 minutash sepse hapësira  ishte shumë më e madhe, dhe ishim në një distancë  më të largët nga Qabeja. Falëm dy reqate namaz nafile të tavafit, lexuam Kur’an, bëmë dua(lutje) përball Qabesë për të gjithë familjarët, të afërmit, miqtë, shokë, koleg dhe dashamir. E shfrytëzova rastin të shkrepi edhe disa foto për kujtim nga Qabeja. Natën diku vonë u kthyem në hotelin Golden al Manafeja në të cilin ishim vendosur në Meke, në një distancë  përafërsisht prej 3,5-3,7 km larg haremit(kompleksit)  të Qabesë.

23 gusht- ditë e mërkure

Ditën e kalova në hotel, me ç’rast nëpërmjet rrjeteve sociale pata rast të dëgjohem me familje, edhe pse me vështirësi, pasi që rrjeti i internetit ishte i ngarkuar së tepërmi në hotel,  pasi që duhet për të përballuar të gjithë haxhinjtë kosovar(1080) që ishin vendosur në hotelin Gold al Manafeja. Gjatë ditës pata rast të njoftohem me dr. Xhemil Sylejmani, stomatolog nga Prizreni me prejardhje opojare, me të cilin zhvillova  një muhabet të këndshëm. Në ndërkohë u njoftuam edhe me valutën e Arabisë Saudite, rijalin, i cili në këmbimore kursi i tij arrinte për 100 dollar= 370-375 rijal, apo për 100 Euro=435-440 rijal, ndërsa në shitore apo dyqane e merrnin pak më lirë se në këmbimoret.

Një karakteristikë tjetër që më ra në sy, që në ditët e para të qëndrimit tim në Meke ishte se në rrugët e Mekës e më vonë edhe të Medinës,  gati të gjitha veturat që qarkullonin ishin kryesisht të prodhimit japonez, ndërsa ndoshta 80% të tyre ishin të kompanisë së njohur japoneze të prodhimit të veturave, Tojota.  Kjo mu dukë interesante dhe pothuajse e çuditshme se si nuk kishte vetura tjera, apo kishte në numër të vogël të prodhuesve të njohur botëror të veturave. Më vonë, mora vesh, pasi isha i interesuar të dijë për këtë dukuri të veturave që qarkullonin në rrugët e Mekës, se  prodhuesit japonez i kishin konstruktuar motor të veçantë për tregun saudit arab që do të mund të përballonin temperaturat të larta që mbretërojnë në Arabinë Saudite, e që sillen prej  40-50 shkallë celsius mesatare, dhe këtu qëndronte esenca e prezencës së veturave kryesisht të prodhuesve japonez.

24 gusht-ditë e enjte

Për dallim nga ditët e kaluara në Meke, me ç’rast tavafin e kryem gjatë natës, pasi që ishte më lehtë të kryhej, për shkak të temperaturave të larta që mbretëronin gjatë ditës në Meke, ditën e sotshme tavafin vullnetar vendosa  të kryej në mesditë, kur ishte dielli në zenit. Së bashku në shoqëri me stomatologun dr. Xhemilin, u nisëm rreth orës 11.oo,  dhe pasi që arritëm në harem të Qabesë, së pari e falëm namazin e drekës, pasi që ishte mesdita, koha e drekës. Pas namazit të drekës, saktësisht në ora 13.oo, filluam tavafin rreth Qabesë, i cili zgjati plot një orë, pasi ishte fluksi i madh i besimtarëve mysliman që e kryenin tavafin, dhe në vapën më të madhe, pasi ishte mesdita, po për dallim nga vapa që mbretëron në Prizren apo Kosovë gjatë muajve të verës,  vapa në Meke  ishte më ndryshe, më e lehtë, më  përballueshme, pasi ishte e thatë dhe nuk përcillej me lagështi. Sido që të jetë tavafi i kryer gjatë ditës në mesditë në temperaturat më të larta me të vërtet ishte më i vështirë  sesa tavafi i kryer natën, por që të ofronte një kënaqësi tjetër.

Tavafi është rrethrrotullimi 7 herë që kryhet rreth Qabesë në Meke i cili nënkupton adhurimin e Allahut fuqiplotë në një mënyrë të veçantë i cili kryhet që nga periudha para Islamit. Tavafi rreth Qabesë kryhet në shenjë respekti dhe bindjeje të plotë ndaj Krijuesit fuqiplotë me të vetmin qëllim të të përmendurit të Allahut të madhëruar. Allahu i madhëruar tavafin në haxh e bëri farz-urdhër i prerë të cilin duhet kryer rreth Qabes, faltores së parë në sipërfaqe të tokës për adhurimin e Allahut fuqiplotë. Tavafi krahas Arafatit janë të vetmit ibadete (rituale) të obligueshme të haxhit, pa të cilin Haxhi nuk është i plotë. Tavafi rreth Qabesë është vendi më i preferuar për dua(lutje) të besimtarit mysliman pasi që gjatë kësaj kohe  besimtari i cili gjendet aty është nën mbrojtjen dhe mëshirën e Zotit.

Duke kryer tavafin besimtari mysliman në mënyrë simbolike përkujton edhe pejgamberin e mëparshëm Ibrahimin a.s. i cili rindërtoi Qabenë dhe preferoi vizitën e saj për besimtarët. Duhet të ceki se janë katër lloje të tavafeve të cilin e kryejnë haxhinjët gjatë qëndrimit të tyre në Haxh: tavafi ifade, tavafi veda, tavafi kudum dhe tavafi nafile. Tavafi ifade është farz,urdhër i prerë të cilin duhet kryer patjetër gjatë tre ditëve të Kurban Bajramit, moskryerja eventuale e të cilit gjatë haxhit do të thotë edhe mosvlefshmëria e haxhit. Tavafi veda apo tavafi lamtumirës është tavafi vaxhib, obligativ,  apo tavafi i fundit që kryhet gjatë haxhit, pas së cilës preferohet që sa më shpejtë haxhiu të largohet nga Meka. Tavafi kudum është synet, i rekomanduar që kryhet pas arritjes në Meke. Tavafi nafile, është tavafi vullnetar që kryhet gjatë kohës së qëndrimit në Haxh. Tavafi niset nga vendi i haxherul esvedit(gurit të zi) dhe përfundon poashtu aty, me ç’rast llogaritet një rrotullim, e të cilin duhet përsëritur gjer në kryerjen e rrotullimit të shtatë. Pas nisjes së tavafit Qabeja mbetet në anën e majtë të haxhiut i cili i kryen 7 rreth rrotullime rreth Qabesë. Afër Qabesë gjendet edhe mekami Ibrahim, vendi në të cilin ka qëndruar edhe profeti i mëhershëm Ibrahimi a.s i cili e ka rindërtuar Qabenë dhe se pikërisht historia e haxhit daton që nga koha e pejgamberit Ibrahim.

Tavafi është kulminacion i haxhit, është kurora e tij, është qershiza mbi tortë, është diç e papërshkrueshme që  vetëm mund të përjetohet. Gjatë  kryerjes së tavafit përjetova emocione të veçanta, pasi që atmosfera dhe ambienti që mbretëronte  aty është e veçantë. Prej të gjitha ibadeteve (ritualeve) që kryhen gjatë haxhit, tavafi është në maje, në krye, në rend të parë, është primar, është maja e piramidës së haxhit. Aty besimtari ndjehet sikur të ishte në  botën tjetër, në xhenet. Qabeja është sikurse një bosht magnetik  rreth së cilës sillen  7 herë besimtarët mysliman  brenda 24 orëve në ditë, apo 365 ditëve në vit. Pasi që është fluksi i madh  qëllojnë momente  që pakëz edhe të shtyhesh apo të shkelësh, por nuk ka reagime apo kundërshtime, por me një qetësi të theksuar gjithë kjo përfundon, me falje, me lutje, me pendime, me dua.

Aty mund të shihje besimtar mysliman nga mbarë bota, popujt të ndryshëm, raca të ndryshme, kultura të ndryshme, të gjithë tok së bashku që kanë ardhur me të vetmin qëllim, duke iu përgjigjur thirrjes së Krijuesit Fuqiplotë për të adhuruar dhe madhëruar atë. I shihje grupe grupe njerëzish të cilët bëjnë dua, bëjnë lutje, bëjnë dhikër, në gjuhë të ndryshme, në mënyra të ndryshme, çoftë me zë, çoftë heshtas, çoftë vetëm, çoftë në grupe, të prirë nga udhëheqësit, pas së cilës  i përsërisin duatë dhe lutjet e udhëheqësve të tyre, aty i shihje besimtarët duke qarë, lotët e të cilëve  rrjedhin nëpër faqet e tyre pandërprerë, për mua kjo ishte diç e veçantë, ia shtrova pyetje vetvetes si mund  dilnin lotët ashtu vetvetiu  në  faqet e haxhinjëve .

Porse, gjatë njërit prej tavafeve që e bëra, duke bërë dua dhe lutje, hiq pa prit  nisën të më rrjedhin lotët  në faqet, vetvetiu, pa u ndal , atëherë e kuptova me të vërtet fuqinë magjepse të tavafit. Në çastet e tavafit njeriu shkëputet nga kjo botë materiale dhe transformohet  në  botën shpirtërore. Në ato çaste haxhiu  harron çdo gjë që ka të bëjë me botën materiale,  fëmijët, bashkëshorten, familjen, pasurinë , çdo gjë, çdo gjë…., dhe bëhet pjesë e botës shpirtërore, dhe  lidhja me Krijuesin Fuqiplotë bëhet pothuajse nëpërmjet një hallke të padukshme .

Në ato momente asgjë nuk të pengon që të jesh i lidhur me Krijuesin, as nxehtësia përvëluese mbi 40 shkallë celsius, as fluksi i madh i haxhinjëve , as  djersitja  pa masë, e cila kohë pas kohe freskohej me spërkatje me ujë nga ana e ndonjë haxhiu apo të personelit të Qabesë, dhe ato disa pikla të ujit të mjaftonin për të marrë energji për të vazhduar dhe përfunduar  tavafin e nisur, sjelljen 7 herë të çdo besimtari mysliman rreth Qabesë.

Më në fund dëshira ime e kah motshme u realizua, trupi im  përjetoi ndjenjat të veçanta dhe të pashpjegueshme sepse ato momente kënaqësie që m’u dha mundësia që të lidhem me Krijuesin  Fuqiplotë në Qabenë e bekuar,  ndodh ndoshta  vetëm një herë në jetë, ndjenja të cilat askush nuk i përjeton pa u ballafaquar drejtpërsëdrejti me ato momente në vendin ku e gjithë bota myslimane 5 here në ditë  drejtohet drejt Kiblës së tyre,  Qabesë pa marr parasysh  se në cilin vend të botës gjenden dhe jetojnë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne