Bota

Ukraina kërcënon Rusinë me përshkallëzim të plotë të konfliktit, nëse ndalet tranziti i gazit për në Evropë

Kievi paralajmëron Moskën për ‘pasoja gjeopolitike’ nëse Gazpromi ndal tranzitin e gazit përmes territorit të Ukrainës.

“Nëse nuk kryhet tranziti nëpër territorin e Ukrainës, atëherë gjasat e një konflikti të plotë midis Rusisë dhe Ukrainës do të rriten. Politikanët evropianë duhet të kuptojnë jo vetëm pasojat ekonomike për Ukrainën, por edhe pasojat gjeopolitike për të gjithë botën,” tha për kanalin televiziv 112 të Ukrainës, Yuri Vitrenko, drejtor komercial i kompanisë kryesore të gazit në Ukrainë.

Kontrata e kalimit tranzit të gazit midis Kievit dhe Moskës skadon në vitin 2019. Gazprom tha të martën se kontrata nuk ka për tu zgjatur. Kompania shtoi se tranziti i gazit mund të kryhet, vetëm nëse Ukraina ofron kushtet e nevojshme dhe të pershtatshme.

“Topi tani është në anën e Ukrainës. Vendi duhet të justifikojë atraktivitetin ekonomik dhe mundësinë e tranzitit përmes Ukrainës,” tha Aleksandër Medvedev, zëvendëskryetar i komisionit të menaxhimit në Gazprom.

Rusia dëshiron që të shkurtojë ndjeshëm transitin e gazit përmes Ukrainës dhe ta zhvendosë atë nëpërmjet zgjatjes së tubacionit ekzistues Nord Stream nga Rusia për në Gjermani, nën Detin Baltik. Moska thotë se Kievi është provuar si një partner i pasigurt në tranzitet e gazit gjatë viteve. Një pjesë e gazit për në Evropë mund të dërgohet edhe përmes tubacionit Turkish Stream, që është aktualisht në ndërtim e sipër.

Sipas Aleksey Millerit, drejtorit kryesor të Gazpromit, kur të përfundojnë dy tubacionet, tranziti përmes Ukrainës pritet të bjerë me më shumë se 80 për qind. Ai shtoi se Gazprom nuk synon që në kurriz të shpenzimeve të tij të rimëkëmben ekonomitë e vendeve fqinje./rt/Gazeta Impakt

OPINIONE