Vrasja e Cukut/ Policia gjurmon telefonat: Me kë foli vrasësi?

Telefonatat e disa personave të dyshuar si autorë apo urdhërues të vrasjes së ish – Drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, janë në proces verifikimi nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes.

Burime të rezervuara thanë për Tv Klan se bëhet fjalë për thirrje të kryera mes disa personave që në kohën e vrasjes kanë qenë jashtë Tiranës.

Të dhënat nga antenat celulare tregojne se, ata kanë komunikuar me persona që kanë qenë në rrezen që mbulon antena e zonës, ku u vra 42 – vjeçari.

Njëri nga atentatorët, sipas dëshmive të dhëna në polici nga administratorja e pallatit ku ndodhi krimi, komunikonte vazhdimisht në pritje të ardhjes së ish – Drejtorit të Policisë së Vlorës.

Grupi hetimor po verifikon edhe komunikimet në dy aparatet telefonike smartphone të gjetura në vendin e ngjarjes, që i përkasin të ndjerit.

Këta dy telefonë mësohet se janë pjesë e një grupi prej 13 objektesh, të sekuestruara në vendngjarje.

Ata pritet të ekzaminohen nga ekspertët e teknologjisë së informacionit për të parë nëse ka komunikime apo mesazhe kërcënuese, apo komunikime të dyshimta mes Cukut e personave të tjerë.

Hetuesit pritet të kërkojnë edhe tabulatet e komunikimeve telefonike të Cukut.

Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka regjistruar krimin si vrasje për shkak të detyrës. Hetimet kanë çuar edhe hapjen e dosjeve të disa grupeve kriminale të goditura nga policia e Vlorës, në kohën kur Artan Cuku ishte drejtues i saj./kLAN

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne