Zarif ekspozon planin e Boltonit për Iranin i cili ishte hartuar përpara se të emërohej në detyrë

Tensionet midis Iranit dhe SHBA-së janë përshkallëzuar më tej gjatë javëve të fundit, pasi SHBA futi në listën e zezë të organizatave terroriste IRGC-në dhe vendosi një sërë sanksionesh kundër Teheranit. Irani nga ana tjetër e njohu CENTCOM-in e SHBA-së si një grup terrorist dhe njoftoi se po shkurtonte disa nga angazhimet e tij të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Ministri i Jashtëm i Iranit Mohammad Javad Zarif publikoi në Twitter një artikull të vitit 2017 të John Boltonit, i cili u botua në revistën National Review para se Bolton të emërohej Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

Në mesazhin e tij në Twitter, Zarif i drejtohej Presidentit të SHBA-së Donald Trump ku i thoshte se Bolton së bashku me të ashtuquajturën skuadra “B-Team”, kishte planifikuar madje edhe përpara se të bashkohej me ekipin e Trumpit, që ta nxirrte jashtë Uashingtonin nga Plani Gjithpërfshirës i Përbashkët i Veprimit i vitit 2015, i njohur gjithashtu si marrëveshja bërthamore e Iranit.

Mesazhi i tij në Twitter gjithashtu aludonte edhe për raportimet e kohëve të fundit ku pretendohej se Shtëpia e Bardhë u kishte dhënë autoriteteve zvicerane një numër telefoni të cilin zyrtarët iranianë mund ta përdorin për të arritur POTUS-in, i cili më parë i kishte inkurajuar ata që ta telefononin atë nëse marrëdhëniet arrinin në një nivel të ri.

Ndërsa raportimet mbi numrin e dyshimtë të telefonit të Trumpit vazhdojnë të përhapen, zëvendësministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se “nëse u duhet, ata e kanë numrin tonë”.

Muajin e kaluar, Zarif tha se skuadra B-Team, e cila përfshin Boltonin, kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, Princin e Kurorës së Abu Dhabit, Mohammed bin Zayed dhe Princin e Kurorës Saudite Mohammed bin Salman, “dëshiron që regjimi të ndryshojë me cdo e mos” dhe se po e shtyn Trumpin në një luftë me Iranin.

Përveç situatës së komplikuar me Shtetet e Bashkuara mbi tërheqjen e saj të njëanshme nga marrëveshja bërthamore, Teherani ka marrëdhënie të tensionuara me Arabinë Saudite, rivalin e saj kryesor rajonal, i cili shfuqizoi lidhjet diplomatike me Iranin në vitin 2016 si përgjigje ndaj sulmeve të misionit diplomatik saudit në Republikën Islamike, të shkaktuara nga ekzekutimi i një kleriku të njohur shija nga autoritetet saudite.

Edhe marrëdhëniet e Iranit me Izraelin lënë shumë për të dëshiruar: Tel Avivi ka shprehur në mënyrë të përsëritur shqetësimin e pretenduar rreth forcimit të prezencës së Teheranit në Lindjen e Mesme, domethënë në Siri dhe mbi përpjekjet e supozuara ndaj tij për krijimin e një pranie ushtarake të përhershme në këtë republikë arabe.

Izraeli ka kryer sulme ajrore kundër atyre që ai pretendon se janë objektiva ushtarake iraniane në Siri, ndërsa Teherani ka argumentuar vazhdimisht se ai ka dërguar në Damask vetëm këshilltarë ushtarakë për ta ndihmuar në luftën kundër terrorizmit.

Mesazhi i Zarifit në Twitter vjen vetëm pak ditë pasi Irani njoftoi se do të pezullojë disa nga detyrimet e tij të marrëveshjes bërthamore, duke u dhënë pesë nënshkruesve të mbetur një afat kohor prej 60 ditësh për të marrë masa në sigurimin e interesave të Teheranit kundrejt sanksioneve të Shteteve të Bashkuara.

Paralajmërimi u bë më 8 maj, pikërisht një vit që kur Uashingtoni u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja e vitit 2015 e cila hoqi sanksionet kundër Iranit në këmbim që Teherani të ruante natyrën paqësore të programit të tij bërthamor.

Përveç kësaj, SHBA-ja intensifikoi presionin ndaj Iranit duke rivendosur të gjitha kufizimet dhe duke imponuar të reja me qëllimin përfundimtar për të ulur eksportet e naftës të Teheranit në zero./sputnik/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne