Zbulohet kontrata/ Një tjetër dhuratë për inceneratorin e Elbasanit

Nga Artan Rama

Një kontratë e dytë autorizon kompaninë koncesionare “Albtek Energy” për të shfrytëzuar për 25 vjet impiantin e prodhimit të energjisë nga trajtimi i mbetjeve urbane në qytetin e Elbasanit, përtej afatit 7-vjeçar të përcaktuar në kontratën e parë koncesionare.

Në 30 qershor, Gjykata Administrative e Tiranës u shpreh në favor të “Albtek Energy” Sh.P.K., kompanisë koncesionare që administron Inceneratorin e Elbasanit.

Vendimi i dhënë nga gjyqtari Emiljano Ruli, detyron Entin Rregullator të Energjisë (ERE) të përcaktojë çmimin për energjinë elektrike që Inceneratori do t’i shesë Operatorit të Shpërndarjes (OSHEE).

Kontrata 7-vjeçare, e nënshkruar në vitin 2014, e cila i jepte kompanisë “Albtek Energy”, të drejtat koncesionare për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit dhe prodhimin e energjisë, nuk parashikonte çmimin e shitjes së kësaj energjie, çka privonte kompaninë nga arkëtimi i të ardhurave të shitjes së energjisë, qysh prej tre vjetësh. Konflikti i përballi palët në gjykatë. Sipas “Albtek”, përgjegjësia i takonte autoritetit përgjegjës të sektorit të energjisë, ERE-s.

Por nëse vendimi do të marrë një formë të prerë, kompania do të përfitojë edhe një shitje të garantuar të energjisë në 15 vitet e ardhshme.

Përpos një morie pyetjesh e çështjesh, të cilat do të shpjegohen më poshtë, njëra qëndron në radhë të parë: si arriti kompania të fitojë të drejtën për shfrytëzimin e impiantit, përtej periudhës 7-vjeçare të koncesionit?

Ne shfletuan me dhjetëra fletë e dokumente zyrtare. Krahasuam të dhënat dhe analizuam përfundimet. Ndërkohë që dërguan një numër kërkesash për t’u informuar prej institucioneve dhe agjencive shtetërore. Kontaktuan zyrtarë dhe nëpunës publikë, të cilët shpjeguan dhe ofruan evidenca, një pjesë e të cilave të paautorizuara, por që na ndihmuan për të kuptuar problemin dhe abuzimin.

Operacioni për licencimin e impiantit të energjisë bazohej në kontratën koncesionare.

Historia zë fill në vitin 2014.

Në 18 shtator të 2014-s, Këshilli Bashkiak i Elbasanit shpalli emergjencën mjedisore për menaxhimin e mbetjeve urbane. Por emergjenca ishte shpallur qysh në shkurt, nga Komiteti Kombëtar i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve (KKMIM), me propozim të Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit.

Më tej, përmes një procedure të rrallë prokurimi (‘negocim pa shpallje’), pa pjesëmarrjen e kompanive të tjera, një ofertë e pa kërkuar, ofruar nga operatori privat ‘Albtek Energy”, përfundoi me sukses në 16 dhjetor të 2014-s, me nënshkrimin e kontratës së koncesionit për ndërtimin dhe administrimin e impiantit që do të trajtonte mbetjet urbane në Qarkun e Elbasanit, me Ministrinë e Mjedisit, (asokohe, autoriteti kontraktor).

Një ditë më pas, kompania siguroi një shumë disa milionëshe (21. 666 milionë euro) nga buxheti i shtetit për ndërtimin e impiantit të koncesionit, çka, sipas kontratës, i përgjigjej kostos totale të investimit.

Ndërkohë, në zyrat e Ministrisë së Energjisë, larg vëmendjes publike, po merrte jetë një procedurë tjetër, nga i njëjti operator privat: “Albtek Energy“ po kërkonte ndërtimin e impiantit të prodhimit të energjisë elektrike nga trajtimi i mbetjeve në Elbasan, pjesë e të njëjtit objekt – impiantit të përpunimit të mbetjeve (Inceneratori).

Por këtë radhë, me një praktikë të re, përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 1701, dt. 17. 12. 2008.

Çfarë është ky vendim?

Vendimi (i zëvendësuar më pas nga një tjetër VKM, nr. 822, dt. 7. 10. 2015), përcaktonte procedurat për dhënien e autorizimeve për ndërtimin, nëpërmjet financimeve private, të objekteve të reja gjeneruese të energjisë që nuk ishin objekte koncesioni. Tërësia e rregullave të zbatueshme që përcaktonte itinerarin për marrjen e kësaj të drejte, qysh nga pajisja e operatorit privat me autorizimin paraprak e deri në miratimin final të tij, përbënte thelbin e këtij vendimi.

Në një farë kuptimi, kjo procedurë reflektonte vullnetin politik për të përshpejtuar procesin e partneritetit dhe të bashkëpunimit me subjektet private, duke shmangur pengesat që kërkonin procedurat e plota koncesionare.

Kësisoj, në përputhje me këtë procedurë, në shkurt të 2015-s, operatori “Albtek Energy” pajiset me autorizimin paraprak, për ndërtimin dhe shfrytëzimin e impiantit të prodhimit të energjisë nga trajtimi i mbetjeve në qytetin e Elbasanit, duke vijuar procedurat e mëtejshme, drejt miratimit final të këtij autorizimi.

Pas një procedure, relativisht të shtrirë në kohë, në nëntor të 2016-s, Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrisë së Energjisë, nëpërmjet Vendimit Nr. 792, i jep të drejtën “Albtek Energy”’për të ndërtuar dhe për të shfrytëzuar impiantin e prodhimit të energjisë nga trajtimi i mbetjeve urbane në qytetin e Elbasanit.

Dy javë më pas, palët nënshkruajnë kontratën.

Por, a është kjo kontratë e dytë një marrëveshje mbi të njëjtin objekt; i njëjti impiant, i kontraktuar dy vjet më parë, pjesë e kontratës koncesionare, mes “Albtek Energy” dhe autoritetit tjetër kontraktor, Ministrisë së Mjedisit?

Nëse u referohemi faqeve të para të të dy vendimeve, dallimi mes tyre, në sytë e një lexuesi të shkujdesur, është i pakapshëm. Pavarësisht ndryshimit formal, thelbi mbetet i njëjtë: ndërtimi i impiantit të mbetjeve dhe prodhimi i energjisë.

Krahasimi i vendimeve. Lart, Vendimi i dytë

Edhe objektet e kontratave nuk bëjnë dallim të qartë mes tyre.

Krahasimi i kontratave. Lart, objekti i kontratës së dytë.

Në kontratën e dytë, “Albtek” fiton të drejtën për ndërtimin e impiantit me rikuperim të energjisë, ose ndryshe, të drejtën për ndërtimin e impiantit të prodhimit të energjisë. Ndërsa në kontratën e parë, “Albtek” ka fituar të drejtën e ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit…ku përfshihet… edhe ndërtimi dhe prodhimi i energjisë, ose ndryshe, edhe ndërtimi impiantit të prodhimit të energjisë.

Kështu, nëse marrim si të njohur faktin që teknologjia e incenerimit përbëhet nga dy impiante kryesore: ai i djegies dhe ai i prodhimit të energjisë (nëpërmjet avullit të stimuluar), konkludojmë se në kontratën e parë koncesionare, Albtek ka fituar të drejtën për ndërtimin dhe shfrytëzimin e të dy impianteve, ndërsa në kontratën e dytë ka fituar të drejtën, të paktën, vetëm për impiantin e prodhimit të energjisë. Themi “të paktën”, pasi mospërfshirja e impiantit të djegies në kontratën e dytë, nuk është plotësisht i qartë; akoma më tepër, jo e rekomandueshme teknikisht.

Ne i kërkuam Ministrisë së Energjisë, e më pas kompanisë “Albtek”, sqarime të mëtejshme, lidhur me këtë paqartësi, por ata zgjodhën, të dy, heshtjen.

Por, megjithatë, kjo ‘paqartësi’ nuk na pengon të arrijmë në të njëjtin përfundim: e drejta për ndërtimin dhe shfrytëzimin e impiantit të prodhimi të energjisë, e fituar nga “Albtek” në kontratën e parë (dhjetor, 2014) është “rifituar” në kontratën e dytë (nëntor, 2016).

Por ndërsa në kontratën e parë, impianti në fjalë ka qenë objekt koncesioni, në kontratën e dytë, dhënia e të njëjtit impiant mbështetet në procedurat e VKM-së 1701 (e më pas, VKM 822), të cilat, në ndryshim, rregullojnë të drejtat kundrejt burimeve gjeneruese që nuk janë objekt koncesioni. Akoma më shumë, sipas VKM 822, ndërtimi i tyre mundësohet nga financimet private, prej vetë operatorëve. Është pikërisht ky parakusht që mundëson partneritetin publik privat, sipas VKM 822. Por, në kontratën e parë, inceneratori (të dy impiantet) u financua me para publike. Shuma prej 21,666 milionë Euro, që ofrohej nga buxheti i shtetit, përbënte ‘kostot totale të investimeve’, sipas përkufizimit në brendësi të kontratës koncesionare.

Çfarë parash investoi Albtek, në kontratën e dytë?

Kur në nëntor të 2016-s, “Albtek Energy” “fitoi” kontratën e dytë” impianti i prodhimit të energjisë ishte drejt përfundimit!

Vetëm një ditë pas nënshkrimit të kontratës, dokumentet tregojnë se Enti Rregullator i Energjisë (ERE) kishte autorizuar dërgimin e një grupi prej tre specialistësh, për të vlerësuar plotësimin e kushteve të licensimit të impiantit të energjisë. Sakaq, çelja e këtyre procedurave kishte nisur qysh një muaj më parë. I tërë operacioni për licencimin e impiantit të energjisë po bazohej në kontratën e parë koncesionare.

Ndërkohë që sheshi dhe leja e ndërtimit të Inceneratorit, përfshirë gjithashtu impiantin e prodhimit të energjisë, ishin siguruar, rreth dy vite më parë.

Në dinamikën e shkëmbimit të komunikimeve të shumta shkresore lidhur me procedurën e licencimit, mes Ministrisë së Energjisë dhe Ministrisë së Mjedisit, mbështetja e procesit të licencimit në kontratën e parë koncesionare, u pranua nga të gjithë. Madje mbi këtë kontratë mbështetej edhe dokumenti tjetër: Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis (VNM), i cili, ky i fundit, ishte miratuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit në shkurt të 2015-s, shumë kohë përpara dhënies së të drejtës për ndërtimin dhe shfrytëzimin e impiantit të energjisë prej kontratës së dytë.

Tre muaj pas nënshkrimit të kontratës së dytë, në 31 mars të 2017-s, Bordi i ERE-s licencoi shoqërinë “Albtek Energy” në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike.

Licencimi u mbështet në kontratën e parë të koncesionit, ku autoriteti kontraktor ishte Ministria e Mjedisit dhe jo në kontratën e dytë që përfaqësohej prej Ministrisë së Energjisë. Sipas Bordit, afati i licencës zgjaste deri në përfundim të kontratës së koncesionit.

“Albtek” ka fituar të drejtën e shfrytëzimit të impiantit të prodhimit të energjisë, përtej afatit 7-vjeçar të kontratës koncesionare.

Ka një pyetje të thjeshtë dhe të drejtpërdrejt: përse i duhej kompanisë impianti i prodhimit të energjisë në kontratën e dytë, përderisa e zotëronte, ligjërisht, qysh në kontratën e parë?

“Kleçka” qëndron në një prej kushteve kryesore të një kontrate: ‘afati’.

Kështu, ndërhyrja e Këshillit të Ministrave në nëntor të 2016-s, që i çeli rrugën kontratës së dytë, ndryshoi afatin kohor mbi të drejtën e kompanisë për të shfrytëzuar impiantin e prodhimit të energjisë elektrike.

Vendimi Nr. 792 miratoi një afat të ri, përtej periudhës 7-vjeçare të kontratës koncesionare: deri në 25 vjet, duke e favorizuar kompaninë edhe në kontratën e dytë.

Kompania fitoi të drejtën e mëtejshme për shfrytëzimin e impiantit të prodhimit të energjisë, ende pa mbaruar afati 7-vjeçar i kontratës së parë, koncesionare, pjesë e së cilës është edhe ky impiant.

Por nuk mbaron këtu. Kontrata e dytë i jep kompanisë të drejtën që të përfitojë pothuajse të gjitha të ardhurat që gjenerohen nga shitja e energjisë elektrike të prodhuar nga djegia e mbetjeve urbane; vetëm 2% i kthehet ministrisë së Energjisë.

Kësi rrethanash ngatërrojnë akoma më shumë procedurat e transferimit të impiantit drejt autoritetit kontraktor (Ministrisë së Energjisë, por pa përjashtuar Bashkinë e Elbasanit, në një rast të mundshëm). Sipas termave të kontratës koncesionare, në përfundim të afatit kontraktor, Albtek duhet të dorëzojë gjithçka, duke nënkuptuar humbjen e të drejtave të përdorimit të impiantit përtej këtij afati.

Për momentin, shqetësimi për transferimin, ndonëse jo shumë i largët, përshin një numër të kufizuar njerëzish, për shkak “të konfidencialitet” administrativ.

Kur në janar të vitit 2019-s i kërkuam Ministrisë së Energjisë listën e plotë të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike mbi 2 MW, ajo refuzoi të përgjigjej. Më pas pranoi dhënien vetëm për një pjesë të informacionit, por impiantin në fjalë nuk e përmendi.

Deri sot, në këtë shkrim, kontrata e dytë nuk është bërë asnjëherë publike, madje, për të nuk është folur kurrë më parë. Vendimi i Këshillit të Ministrave (2016) mbi të cilin u mbështet kjo kontratë, për shkak të ngjashmërisë formale me Vendimin tjetër të Këshillit të Ministrave (2014), mbi të cilin u mbështet sigurimi i financimi të kontratës koncesionare, kaloi pa rënë në sy.

Nuk dihet nëse procedurat e miratimit të impiantit të prodhimit të energjisë që u finalizuan me kontratën e dytë, respektuan detyrimet që kërkonte legjislacioni për publikimin paraprak të tyre. Kështu, sipas VKM Nr. 1701, dt 17. 12. 2008, ministria duhej të publikonte për tri ditë me radhë, në tri gazeta kombëtare, njoftimin e aplikimit.

Ministria nuk iu përgjigj sërish një kërkese lidhur me respektimin, ose jo, të këtyre procedurave.

Ajo që dihet është fakti se kontrata e dytë, ashtu si edhe kontrata e parë koncesionare, u bë pa ndonjë garë, pa ndonjë objeksion të mundshëm, përderisa askush nuk u njoftua për zhvillimin e këtyre procedurave.

Dhënia e mëtejshme e të drejtës së shfrytëzimit të impiantit me rikuperim të energjisë, përtej afatit 7-vjeçar, me 25 vite, pa marrë në konsideratë pronësinë e energjisë së mbetjeve, mund të çojë në kolaps administrimin e ardhshëm të mbetjeve nga Bashkia e Elbasanit, e cila mund të mos jetë dakort që të ardhurat nga shitja e energjisë t’i kalojnë një privati (i paracaktuar, madje). Këto të ardhura mund të nevojiten për të mbuluar kostot e menaxhimit të mëtejshëm të mbetjeve urbane. Është pikërisht, mospërballimi i këtyre kostove prej Njësive të Qeverisjes Vendore (NjQV) të cilat kanë prodhuar ndër vite emergjencën mjedisore, e cila, paradoksalisht, në 2014-n, u përdor për të tenderuar miliona euro në favor të kompanisë “Albtek Energy”.

Kuota 2% e sasisë vjetore të prodhimit që kompania do të paguajë si tarifë koncesionare do të ishte e pranueshme në kushtet kur operatori privat do të kishte ofruar kapitalet e tij për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë. Por në kushtet kur financimi i impiantit ishte shtetëror, kjo tarifë duhej të ishte objekt i tenderimit publik, në një proces të hapur e transparent, në mënyrë që pjesëmarrësit në garë, të mund të ofronin, secili, një kuotë më të lartë, në favor të autoritetit shtetëror.

Nuk mund të caktojmë çmim mbi 2 MW-fuqi të instaluar!”

Një raport ende i papublikuar i Ministrinë së Financave, konstatoi në korrik se gjatë periudhës Maj 2017- Qershor 2020, Impianti prodhoi 8,338,000 kwh energji elektrike. Raporti nuk arriti të dokumentojë tarifat mbi të cilat blihej kjo energji nga Operatori i Shpërndarjes (OSHE).

Deri tani, Impianti i Elbasanit nuk ka mundur të shesë energjinë elektrike që është prodhuar nga Inceneratori, pasi mungon çmimi i shitjes. Asnjë prej neneve, në të dy kontratat, nuk ka përcaktuar çmimin e shitjes.

Kompania i kishte mundësitë që të caktonte një çmim në kontratën e dytë, përderisa nuk arriti ta bënte në kontratën e parë. Por edhe në kontratën e dytë tarifa mbeti e papërcaktuar dhe përfundimisht, impianti filloi prodhimin pa caktuar çmimin e  shitjes së energjisë.

Në morinë e dokumenteve, vihet re një përpjekje e gjatë e “Albtek Energy” për të marrë një çmim shitje. Kompania ia kërkon këtë Entit Rregullator të Energjisë (ERE).

Por kishte të paktën një arsye thelbësore që ERE pengohej në caktimin e çmimit: fuqia e impiantit të prodhimit të energjisë elektrike në Elbasan, e cila ishte 2.85 MW, çka e përjashtonte këtë kompani (dhe kategorinë e këtyre prodhuesve) nga detyrimi që ERE kishte, për t’i caktuar çmimin e shitjes së energjisë. Kjo sepse, sipas legjislacionit,  Enti përcaktonte çmimin deri në 2 MW-fuqi të instaluar. Si një përjashtim prej rregullit, klasifikoheshin vetëm teknologjitë e prodhimit të energjisë elektrike nga era (turbinat eolike), kapaciteti i të cilave lejohej që shkonte, deri në 3 MW-fuqi të instaluar.

Ne nuk mund të caktojmë çmim mbi 2 MW-fuqi të instaluar”, – përgjigjej ERE.

Për këto impiante, çmimet duhej të caktoheshin, rast pas rasti, në kontratat respektive të koncesionit”, – shkruhej në një prej shkresave të shumta të ERE-s, të shkëmbyera mes palëve.

Ndonëse në dukje një ngërç kalimtar, çmimi fshihte një përfitim konkret financiar.

Caktimi i detyruar i një çmimi nga ERE, e kualifikonte kompaninë në tregun e rregulluar të energjisë, çka përpos çmimit, mundësonte edhe blerjen e detyruar nga Operatori i Shpërndarjes (OSHE) të energjisë së prodhuar në Impiant, për pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme.

Është kjo rrethanë fatlume, kur afati i ri për shfrytëzimin 25-vjeçar të impiantit të Elbasanit, i realizuar prej nënshkrimit të kontratës së dytë, mund t’i sigurojë kompanisë një tjetër shans fitimprurës.

Ndaj dhe beteja post-kontraktore për caktimin e një çmimi shitjeje për energjinë e prodhuar nga djegia në incenerator po zhvillohej me një theks të veçantë, nëpër zyrat e katër institucioneve shtetërore.

Për tre vjet, ERE i qëndroi “presionit”, derisa në 30 qershor 2020, gjyqtari Emiljano Ruli, në Gjykatën Administrative arsyetoi ndryshe, duke detyruar ERE-n që t’i caktonte Albtek-ut një çmim për shitjen e energjisë, një vendim që sidoqoftë, binte ndesh me neni 10 të Ligjit “Për Energjinë e Rinovueshme”, i cili kufizonte autoritetin e ERE-s për rregullimin e çmimeve për impiantet e prodhimit të energjisë së rinovueshme nga trajtimi i mbetjeve urbane (MNU) me fuqi të instaluar, deri 2 MW.

Falë këtij favorizimi, përfitimet prej kontratës së dytë marrin kuptimin përfundimtar.

Deri sot, në tre vjet e gjysmë operim të impiantit, shteti ka fituar të drejtën për të arkëtuar (ndonëse ende jo) vetëm 1.4 ml Lek nga fitimi i papërfillshëm prej taksës 2%-she e sasisë totale të energjisë së prodhuar, ndonëse Inceneratori u ndërtua me para publike.

Sipas raportit konfidencial të inspektimit (MFE) në Elbasan, në këto tre vite e gjysmë, janë djegur mesatarisht 30% më pak mbetje nga sa ishin parashikuar në studimin e fizibilitetit, të ofruar nga vetë “Albtek Energy”.

Më tej, raporti konkludon, se krahasuar me studimin e fizibilitetit, të ardhurat janë realizuar në masën 9%, ndërkohë që të ardhurat e shitjes, të  siguruara nga procesi i riciklimit të skrapit nuk dokumentohen.

Incenerimi në qytetin e Elbasanit do të vazhdojë të prodhojë reagime dhe akuza publike. Ai do të diskutohet ende si i pari në historinë e vendit që i çeli portën djegies së mbetjeve; si një objekt koncesioni, e njëkohësisht, si jo një i tillë, por që në të dy rastet, risqet dhe fondet u paguan nga shteti e jo nga operatori privat.

Çfarë kërkohet tjetër të paguajmë për Inceneratorin e Elbasanit, ku më shumë se mbetjet, duket se po ‘digjen’ paratë tona?

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne