ederata Shqiptare e Futbollit, institucioni që menaxhon sportin në vend, është shndërruar në një shpk të kryetarit të saj, Armando Duka. Nuk ka një frymë të lirë në këtë institucion, askush nuk guxon të thotë të vërtetën dhe të shpalosë ide që bien ndesh me kryetarin. Nga politikat e mbrapshta të FSHF-së, të shndërruara prej kohësh në shpk të presidentit, po e pësojnë sportdashësit e shumtë të ekipit përfaqësues, të cilët paguajnë çmime marramendëse për të parë një ndeshje të zakonshme të Shqipërisë në grupet eliminatore apo dhe në duelet miqësore. Duke parë interesimin e pazakontë të tifozerisë nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga diaspora, FSHF ka abuzuar me çmimin e biletave, në mënyrë të përsëritur, duke bërë që fansat të paguajnë qimet e kokës për të parë Kombëtaren në stadium.

Këto çmime nuk janë të justifikuara as me çmimin e tregut, as me nivelin e skuadrave që zbresin në fushë dhe as me nivelin e jetesës së shqiptarëve. Ky abuzim dhe mashtrim është unikal në Europë dhe për këtë kanë shkruar madje dhe mediat perëndimore, sa herë që përfaqësueset e vendeve të tyre kanë ardhur të luajnë në Tiranë me kombëtaren kuqezi.

Çmime që shkojnë deri në 100 ose 200 euro për të parë një ndeshje, për të mos thënë se në duelin me Serbinë në vitin 2015 në “Elbasan Arena”, çmimi i biletës shkoi në treg të zi deri në 1000 euro, diçka që nuk ndodh as me finalen e madhe të UEFA Champions League apo me finalen e Botërorit.

Për krahasim duhen marrë çmimet e biletave në vendet e rajonit, që rrallë i kalojnë 30 euro. Kështu, pak ditë më parë FSHF publikoi çmimin e biletave për ndeshjen me Lihtenshtejnin. Këto çmime variojnë nga 10 mijë lekë në 100 mijë lekë. Shumica e stolave në stadium vlejnë më shumë se 30 mijë lekë të vjetër. Dhe të mendosh se në fushë si kundërshtar do të zbresë Lihtenshtejni, një nga ekipet më të dobëta të planetit, një skuadër që ka në përbërje amatorë me profesion kuzhinierë, bankierë apo dhe avokatë. E nëse një tifoz paguan nga 30-100 mijë lekë për Lihtenshtejnin, sa do të paguajë ai në ndeshjen kundër Italisë që do të luhet në “Loro Boriçi” në Shkodër?

Për krahasim me vendet e rajonit mund të merret ndeshja që Shkëndija e Tetovës do të luajë më 24 gusht ndaj Milanit. Klubi tetovar ka nxjerrë në treg biletat dhe çmimet për të parë Shkëndijën përballë Milanit të madh në “Filipi II” në Shkup shkojnë nga 6 euro në 16 euro. Pra bileta më e shtrenjtë është vetëm 20 mijë lekë të vjetra shqiptare. Dhe të imagjinosh që në fushë është Milani e jo Lihtenshtejni. Kjo po, që është politikë afruese e ndihmuese për fansa e jo politika e shpk-së së Dukës që mashtron tifozët dhe abuzon me çmimet e biletave.

Kujtojmë këtu, gjithashtu, se kur Shqipëria u përballë në një ndeshje me Austrinë (miqësore, por e rëndësishme për të dy ekipet) e luajtur në Vjenë pak javë para nisjes së Europianit të Francës, austriakët kishin nxjerrë në shitje biletat që kishin një çmim midis 10-25 euro. Asnjë kacidhe më shumë, sepse bota i ka standardizuar biletat dhe nuk abuzon si Duka me shpk-në e tij, të cilët I vënë cmimet sipas oreksit të tyre. Dhe të imagjinohet niveli i jetesës në Austri me nivelin e jetesës së tifozëve shqiptarë, një diferencë që nuk ka nevojë për koment.

15