Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, tha për televizionin SRF se nuk është nacionalist i tipit ballkanik, por mendon se kombi është koncept i rëndësishëm në politikë. Ai paralajmëroi dialog me Beogradin, por edhe me serbët e Kosovës. «Nuk janë të gjithë serbët të njëjtë, siç nuk janë të gjithë shqiptarët të njëjtë».

Lideri shumëvjeçar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë dhënë televizionit të Zvicrës (SRF) ka deklaruar se e sheh veten si kryeministrin e ardhshëm të Republikës së Kosovës. Kurti tha se partia e tij ka dyfishuar numrin e votuesve dhe kështu Vetëvendosje është bërë partia më e madhe politike në Kosovë. «Këtë fundjavë kemi shkaktuar një valë entuziazmi në Kosovë», tha Kurti, duke kujtuar se VV ka qëndruar përballë një koalicioni prej 16 partive dhe një aleance tjetër me shtatë parti.

Në pyetjen se çfarë do të arrijë si kryeministër, Kurti tha se do t’i zbatojë 40 pikat e programit të VV-së, ku shquhen një Fond Sovran për të financuar rindërtimin e vendit dhe për të gjallëruar ekonominë. Kjo vlen, sipas tij, për pasuritë nëntokësore të Kosovës dhe sektorin e energjisë dhe bujqësisë. «Na duhet një bankë për zhvillim me kamata të ulëta.

Krimi i organizuar dhe korrupsioni i përhapur kudo duhet të luftohen. Janë të nevojshëm gjykatës dhe prokurorë të kualiºkuar më mirë – dhe këtu na duhet përkrahja e BE-së», tha Kurti. Duke u përgjigjur në pyetjen nëse do të shkaktojë një stuhi në rajon pasi që konsiderohet si i prin një partie të majtë nacionaliste, Kurti tha: «Ne jemi të majtë në krahasim me skenën tjetër politike, sepse duam të mënjanojmë pabarazinë me politikën tonë sociale. Kosova është vend pa sigurime shëndetësore. Nëse dikush pëson në një aksident në autostradë, ai ka sigurim për veturën, por jo për pasagjerët. Në këtë ambient ne mund të dukemi radikal, por ne jemi majtistë të rëndomtë». Edhe në lidhje me etiketën se partia e tij është nacionaliste, Kurti tha se «ne nuk e quajmë veten nacionalistë në kuptim të nacionalizmit ballkanik, i cili është i ndërlidhur me luftën dhe gjakderdhjen. Por, ne besojmë se kombi është koncept i rëndësishëm në politikë dhe ide e rëndësishme. Këtë nuk duhet t’ia lëmë të djathtës. Ne nuk do ta përdorim kombin kundër shoqërisë. Nëse njerëzit e kombeve të ndryshme bëhen bashkë, ky është një shans për të shfrytëzuar të përbashkëtën – në kuptimin social të kontakteve».

Sa i përket bisedimeve me Serbinë, Kurti tha se VV nuk është kundër bisedimeve, por kërkoi që për këtë të respektohen parimet. Ai tha se paralelisht me bisedimet me Serbinë VV dëshiron të fillojë të bisedojë me serbët e Kosovës, por jo duke i parë ata vetëm si serbë, por edhe në rolin e tyre social si mjekë, studentë, taksistë, zdrukthëtarë, të papunë, burra e gra. «Nuk janë të gjithë serbët të njëjtë, siç nuk janë të gjithë shqiptarët të njëjtë»

Kurti tha se Serbia po luan një lojë të dyfishtë me BE-në dhe Rusinë. «Ne duam që shteti i Kosovës të anëtarësohet në BE dhe në NATO. Por, Serbia duhet t’i jap fund lojës së dyfishtë. Ky vend duhet të ballafaqohet me të kaluarën e vet. Ende nuk ka shprehur keqardhje për krimet në të kaluarën. Është me rëndësi që zoti Vuçiç t’i qaset kësaj teme». Në lidhje me aktakuzat e pritshme të Gjykatës Speciale, Kurti tha gjykatat e Kosovës duhet të merren me këtë çështje. Ai u tregua skeptik mbi suksesin e kësaj gjykate, por iu shmang përgjigjes nëse do të refuzonte bashkëpunimin me të. Ai vetëm tha se do të kërkojë dialog për këtë çështje. (dp)

28