Përfshirja e Shqipërisë në vendet që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë po dëmton marrëdhëniet ekonomike dhe politike mes Tiranës dhe Moskës. Ky është qëndrimi i ambasadorit rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin lidhur me vendimin e qeverisë së Shqipërisë për tu bërë pjesë e sanksioneve të BE dhe SHBA ndaj Rusisë. Në një intervistë për “ABC News”, Karpushin i sugjeron Shqipërisë që të ndjekë të njëjtën rrugë si Serbia, Maqedonia dhe Turqia, të cilat bashkëpunojnë me Rusinë pa dëmtuar aspiratat europiane. “Fqinjët e Shqipërisë, si Maqedonia dhe Serbia, dhe krahas tyre edhe Turqia, demonstrojnë qartë se bashkëpunimi i qëndrueshëm dhe dinamik me Rusinë është i mundur dhe aspak nuk bie në kundërshtim me aspiratat evropiane”,- shprehet Karpushin.

Sanksionet e BE dhe SHBA ndaj Rusisë nisën pas ndërhyrjes ruse në Krime. Lidhur me këtë, Ambasadori Karpushin deklaron se Krimeja është një çështje që nuk ka më vend për debat, pasi referendumi i qytetarëve foli qartë për shkëputjen nga Ukraina.

 Intervistoi: Vincent Triest

(ABC News)

Zoti Ambasador, faleminderit për ketë interviste. Çështja e Krimesë ka qenë një temë e madhe diskutimi në arenën ndërkombëtare, dhe ndaj Rusisë janë vendosur disa sanksione nga SHBA-të, BE-ja dhe disa shtete të tjera. A mund të na tregoni se çfarë ndodhi në muajt e para të vitit 2014?

Faleminderit dhe juve për këtë mundësi për t’u përcjellë publikut shqiptar argumentet e palës ruse lidhur me një çështje kaq të rëndësishme, siç është situata në Krime. Para së gjithash do doja të theksoja që çështja e përkatësisë së Krimesë për ne tashmë është e zgjidhur dhe nuk ka vend më për diskutim. Krimeja është kthyer në përbërje të Rusisë mbi baza krejt legjitime, dhe si momen kyç në këtë kontekst është vullneti i lirë i banorëve të saj. Siç dihet, në referendumin e 16 marsit 2014 me pjesëmarrje prej 83% më shumë se 95% e atyre që votuan u shprehën pro shkëputjes së gadishullit nga Ukraina dhe ribashkimit të tij me Rusinë. Dhe për të kuptuar arsyet e një vendimi të tillë, është me rëndësi të kujtojmë se çfarë ka ndodhur në atë kohë në Ukrainë.

Më 22 shkurt 2014 në Kiev ndodhi një grusht shteti. Grupe të armatosura protestuesish pjesëmarrës në të ashtuquajturin “Majdan” zaptuan të gjitha institucionet qeveritare, përfshirë këtu edhe administratën e presidentit, selinë e qeverisë dhe parlamentin. Po atë ditë, në mitingun e opozitës u formua e ashtuquajtura “qeveri fitimtarësh”, ndërsa presidenti legjitim Viktor Janukoviç u rrëzua. Pushtetin në Kiev e morën me dhunë forcat e ekstremit të djathtë përfaqësuese të qarqeve radikale nacionaliste të Ukrainës. Një nga vendimet e tyre të para ishte ndalimi i përdorimit të gjuhëve rajonale, përfshirë këtu edhe gjuhën ruse. Kjo ishte një provokim i fortë dhe kuptohet që shkaktoi një protestë masive në jug dhe në lindje të Ukrainës, në ato zona ku shumica dërrmuese e popullsisë flet dhe mendon në gjuhën ruse.

Më duhet të nënvizoj që këto protesta në fillim kishin karakter absolutisht paqësor. Por, për fat të keq, autoritetet e reja në Kiev nuk donin të gjenin një zgjidhje paqësore të problemit dhe preferuan të përdornin forcën kundër popullit të vet. Pra, për të shtypur protestat paqesore, u përdor ushtria. Në këtë mënyrë në lindje të Ukrainës shpërtheu një konflikt i brendshëm, i cili në thelb është një luftë civile që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Në ato kushte, kur nacionalistët radikalë paraqisnin një kërcënim real për popullsinë rusishtfolëse dhe bënin përpjekje për të dërguar luftëtarët e tyre në Krime, zhvillimi i një referendumi për vetëvendosjen ishte e vetmja rrugë për të mbrojtur interesat e popullit të Krimesë. Është e rëndësishme të theksohet që kjo ishte një zgjedhje e lirë e qytetarëve, një proces i mirëfilltë demokratik, i cili, ju rikujtoj, ka kaluar pa asnjë të shtënë dhe pa asnjë pikë gjaku të derdhur.Pra, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kartën e OKB-së, ajo që ndodhi në Krime ishte një formë absolutisht legjitime e ushtrimit të së drejtës së popullit për vetëvendosje. Dhe ai që nuk e pranon këtë, nuk pranon themelet e demokracisë.

Nesë e kam kuptuar mirë, ju vetë jeni nga Krimeja. Si reaguat personalisht kur Krimeja u ribashkua me Rusinë, pasi ishte për 60 vjet një njësi administrative e Ukrainës?

Në të vërtetë unë kam lindur në Donjeck, qytet ky i cili aktualisht ndodhet në mes të një lufte civile. Prandaj ajo çka ndodh tani në këtë rajon është një dhimbje dhe një tragjedi për mua personalisht. Atje vazhdojnë të banojnë ende të afërmit e mi, dhe unë e di fare mirë se çfarë u është dashur dhe çfarë ende u duhet të kapërcejnë në kushtet e një agresioni të vazhdueshëm të ushtrisë ukrainase që ka marrë mijëra jetë njerëzish krejtësisht të pafajshëm. Sipas të dhënave të OKB-së, atje kanë humbur jetën më shumë se 10 mijë njerëz, shumica prej tyre civilë: fëmijë, gra dhe pleq. Dhe çuditërisht, e gjitha kjo po ndodh në një sfond indiferentizmi pothuajse të plotë nga ana e komunitetit perëndimor, përfshirë këtu edhe mediat perëndimore.

Por edhe Krimenë unë e njoh shumë mirë. Edhe atje kam të afërm dhe kam vajtur shpesh me familjen time për të kaluar pushime atje në bregdet. Kur ndodhi ribashkimi i Krimesë me Rusinë, pa dyshim kam ndjerë një gëzim të madh që ishte në fakt një emocion krejt i natyrshëm për çdo qytetar të vendit tonë.

Sot është e qartë që vullneti i popullit të Krimesë i shprehur në referendum parandaloi realizimin atje të atij skenari, i cili me nismën e Kievit po zbatohet tani në Donbas. Po të mos bëhej referendumi, gjakderdhja do të ishte e pashmangshme.

 

Po për çështjet e të drejtave të njeriut si është situata në Krime? Çfarë mendoni për kritika të disa OJQ-ve perëndimore që kanë thënë që situata është përkeqësuar?

Është e vërtetë që kohët e fundit, sidomos në mediat perëndimore, kemi parë gjithnjë e më shumë publikime për gjoja shkeljet e të drejtave të njeriut në Krime. Shumicën e rasteve dëgjojmë akuza për diskriminim të tartarëve të Krimesë. Me deklarata të tilla, për arsye që kuptohen, dalin edhe autoritetet ukrainase, edhe përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Vetëm një gjë është e paqartë: mbi ç’fakte mbështeten?

Problemet e tartarëve kanë lindur shumë kohë para referendumit për ribashkimin e Krimesë me Rusinë, dhe në 23 vite që gadishulli ka qenë pjesë e Ukrainës së pavarur për këta njerëz nuk është bërë asgjë. Ndërsa sot, përkundrazi, situata po ndryshon rrënjësisht: në Krime gjuha tartare njihet si një nga gjuhët shtetërore njësoj si ajo ruse dhe ukrainase, në këtë gjuhë zhvillohen mësime në shkolla dhe universitete, festat kombëtare të tartarëve janë bërë festa për të gjithë popullsinë e gadishullit, po rindërtohen objektet e trashëgimisë shpirtëroretë tartarëve dhe përveç kësaj është në ndërtim e sipër edhe xhamia e madhe e Krimesë. Ka dhe një moment tjetër që dëshmon bukur: pas kthimit të Krimesë në përbërje të Rusisë numri i tartarëve të larguar nga gadishulli ka rezultuar krejtësisht i papërfillshëm. Si mendoni, a do të binin dakord të rrinin atje nëse kundër tyre do të kishte vërtet përsekutime?

Edhe informacioni për gjoja ulje të standardit të jetesës në Krime është i pavërtetë. Përkundrazi, në tre vite të fundit është vërejtur një rritje e mirëqenies së popullsisë. Jam në dijeni të kësaj jo me të dëgjuar, por nga të afërm dhe miq të shumtë që jetojnë atje. Dhe kjo është arritur pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve në Kiev dhe të ashtuquajturit “mexhlis të tartarëve të Krimesë” për të bllokuar lëvizjen e transportit dhe furnizimet e gadishullit me produkte ushqimore, energji elektrike dhe ujë.Vetëm imagjinoni, të bllokosh furnizimet me ushqime dhe të ndërpresësh energjinë elektrike në mes të dimrit, mos vallë është një sjellje normale për një shtet, i cili vuan me të vërtetë për të drejtat e njeriut? Nuk është çudi që pas këtyre marrëzirave të Kievit banorët e Krimesë u bindën edhe një herë që kishin marrë vendimin e duhur për shkëputjen nga Ukraina.

Para pak javësh, disa deputetë të Parlamentit Evropian vizituan Krimenë. A do të thotë kjo që qëndrimi i Bashkimit Evropian nuk është i unifikuar?

Pa dyshim, në Evropë ka forca politike dhe shoqërore, të cilat njohin legjitimitetin e ribashkimit të Krimesë me Rusinë dhe deklarohen pro heqjes në një kohë sa më të shpejtë të sanksioneve antiruse të vendosura nga SHBA-të dhe BE-ja. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për deputetët e Parlamentit Evropian. Pas referendumit Krimeja është vizituar nga shumë delegacione të huaja, duke përfshirë parlamentarë nga Italia, Franca dhe vendet e Amerikës Latine, nëpunës të Qendrës së Nismave Qytetare në SHBA, si edhe përfaqësues të tjerë nga Britania e Madhe, Serbia, Mali i Zi, Çekia, Brazili etj. Jam i bindur që këto vizita kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përcjelljen tek publiku evropian, siedhe më gjerë, të informacioneve të sakta për situatën reale në gadishull. Rëndësi ka që të gjithë ata që kanë vizituar Krimenë dhe kanë komunikuar drejtpërdrejt me banorët e saj ndanë mendimin e përbashkët për legjitimitetin e referendumit të 2014, duke njohur se me vullnetin e tyre të lirë vetë banorët e Krimesë e shpëtuan nga probleme serioze, duke përmendur këtu dhe një agresion të mundshëm nga ana e ushtrisë ukrainase. Këto vizita dëshmuan që vendimi i popullit të Krimesë respektohet dhe nuk vihet në dyshim, dhe aq më pak ai nuk ka të bëjë me “aneksim” ose “pushtim me dhunë”.

 Çfarë mendoni për faktin që Shqipëria dhe Mali Zi janë të vetmet vende në Ballkanin Perëndimor që i janë bashkuar sanksionet të BE-së dhe SHBA-ve?

E kam të vështirë të komentoj vendimet e këtyre vendeve. E kam të paqartë nga se janë udhëhequr duke iu bashkuar sanksioneve të paligjshme që bien në kundërshtim edhe me të drejtën ndërkombëtare, edhe me normat e OBT-së, edhe me interesat ekonomike të vetë këtyre vendeve. Politika e sanksioneve e BE-së dhe SHBA-ve, së cilës nga viti në vit i bashkohen Shqipëria dhe Mali i Zi, tek ne ngjall vetëm keqardhje. Siç dihet, në bazë të reciprocitetit vendi ynë ka qenë i detyruar të vendosë kundërmasa, duke ndaluar importin e pothuajse të gjitha produkteve bujqësore shqiptare në Rusi. Do doja t’ju rikujtoja që në vitin 2014, kur Shqipëria nuk ishte ende objekt i këtyre kundërmasave, eksporti i frutave dhe perimeve nga Shqipëria drejt Rusisë vetëm brenda disa muajve u rrit tre-katër herë më shumë. Është një fakt i trishtuar që politika e sanksioneve e ndjekur nga Tirana po vazhdon deri më sot duke shkaktuar një dëm para së gjithash për vetë Shqipërinë.

Gjithashtu, do doja të theksoja që t’u bashkohesh këtyre sanksioneve është një çështje krejt vullnetare dhe aspak e detyrueshme për ecurinë drejt anëtarësimit në BE. Ju e keni konstatuar me të drejtë që jo të gjitha vendet e rajonit kanë zgjedhur këtë rrugë. Ndër këto, meqë ra fjala, ka edhe vende kandidate për në BE, të cilat janë aktive dhe të suksesshme në bisedimet e tyre me Brukselin. Shembulli i Shqipërisë dhe Malit të Zi flet vetëm për një gjë, për gatishmërinë e tyre të sakrifikojnë interesat e qytetarëve në këmbim të një përfitimi të pasigurt. Siç e shohim, askush nuk ka ndërmend t’u garantojë atyre një integrim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, mbetemi optimistë dhe besojmë që do të arrijmë ta kapërcejmë ngërçin në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe t’i çojmë ato në një nivel më të lartë. Fqinjët e Shqipërisë, si Maqedonia dhe Serbia, dhe krahas tyre edhe Turqia, demonstrojnë qartë se bashkëpunimi i qëndrueshëm dhe dinamik me Rusinë është i mundur dhe aspak nuk bie në kundërshtim me aspiratat evropiane.

Si e influencojnë sanksionet shqiptare Rusinë? A mund të themi që masat janë krejt simbolike dhe krijojnë vetëm tension të panevojshëm midis vendeve tona?

Nëse analizojmë efektin e sanksioneve shqiptare, duhet të flasim jo vetëm për dëm ekonomik, por edhe politik të shkaktuar në marrëdhëniet tona bilaterale. Këto sanksione po inkurajojnë atmosferën e mosbesimit midis vendeve tona dhe janë një nga arsyet kryesore që kanë çuar në një intensivitet kaq të ulët të dialogut tonë. Nuk ka dyshime që shumë herë më të dëmshme janë për vetë Shqipërinë, më saktë për fërmerët dhe prodhuesit shqiptarë, të cilëve u është hequr aksesi në tregun e madh rus.

Duke komunikuar me biznesmenët e vendit tuaj, jam ndeshur shpesh me pakënaqësinë e tyre për shkak të pamundësisë së bashkëpunimit të qëndrueshëm me Rusinë në fushën e eksportit bujqësor. Shumë prej tyre shprehen kundër masave kufizuese dhe shpresojnë në rivendosjen e plotë të lidhjeve tregtare me vendin tonë. Po edhe ne presim që autoritetet shqiptare do të bëjnë zgjedhjen e tyre në favor të një qasjeje pragmatike, që më pas të fokusohemi tek zhvillimi i një bashkëpunimi me përfitim reciprok jo vetëm në fushën tregtare, por edhe në drejtime të tjera që janë me interes për të dyja palët.

Marrë nga “ABC News”

52