Bashkimi Evropian (BE) ka reaguar ndaj vendimit të Izraelit për të mos e zgjatur mandatin e Pranisë së Përkohshme Ndërkombëtare (TIPH) në qytetin e okupuar El Khalil (Hebron) në Bregun Perëndimor.

Në një deklaratë me shkrim nga Komisoni Evropian lidhur me moszgjatjen e mandatit të TIPH nga Izraeli paralajmërohet se kjo “përbën një rrezik për përkeqësimin e mëtejshëm të situatës e cila aktualisht është e brishtë”.

“BE në përputhje me të drejtën ndërkombëtare i kujton Izraelit detyrimin për të mbrojtur popullin palestinez në El-Khalil dhe në territore të tjera të pushtuara palestineze”, thuhet në deklaratë.

Izraeli ka njoftuar se nuk do të zgjasë afatin e mandatit të TIPH në qytetin El Khalil i cili ka përfunduar muajin e kaluar. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të hënën deklaroi se “Ne nuk do të lejojmë praninë e një force ndërkombëtare që punon kundër nesh”.

TIPH ndodhet në rajon që nga viti 1997, me ftesë të Qeverisë Palestineze dhe Izraelit, për të krijuar një ndjenjë sigurie për palestinezët në El-Khalil dhe për të mbështetur stabilitetin.

Misioni me vëzhgues nga Danimarka, Italia, Norvegjia, Suedia, Zvicra dhe Turqia, vëzhgon situatën e shkeljes së marrëveshjeve ndërkombëtare në rajon dhe në lidhje me këtë bëjnë përgatitjen e raporteve.

25