ERBEIN

Nga: Nexhat Ibrahimi

Erbe’in الْأَرْبَعِينَ është fjalë arabe, me kuptimin e dyzeta, e katërdhjeta. Ndër muslimanët kjo shprehje apo ky numër përdoret në kuptime të ndryshme. Deri në kohën tonë shprehja erbein (arbain) përdoret në kuptimin e një sezoni, pjese të dimrit, sipas një kalendari të lashtë popullor, mbase i ndikuar nga jashtë. Sipas tij, dimri ka dy pjesë: erbeinin dhe hamsinin. Erbeini fillon më 22 dhjetor deri më 4 shkurt, ndërsa hamsini fillon më 5 shkurt deri më 21 mars (disa thonë nga 31 janar deri 31 mars), kur fillon edhe pranvera, pas një dimri të vështirë.


Kuptimi më i shtrirë është në kuptimin e ritualit familjar me të cilin i jepet respekt anëtarit të vdekur të familjes në ditën e dyzetë. Lexohet Kur’an, ndonjë recital, në disa vende ndonjë fragment mevludi, jepen shpjegime fetare dhe ngushëllohet familja dhe të afërmit e të vdekurit. Kjo shprehje përdoret dy herë edhe në Kur’an por në kuptime të tjera, kurse në vepra hadithesh përdoret qindra herë. Kjo fjalë gjendet në hadithet e Muhammedit a.s. me kuptimin: “dyzet/katërdhjetë ditë”, “dyzet/katërdhjetë net”, ”dyzet/katërdhjetë sabahë (mëngjese)”, “dyzet/katërdhjetë vite”, “dyzet/katërdhjetë safë (rreshta)”, “dyzet/katërdhjetë namaze” etj. 


Kjo shprehje e ndërtuar me fjalë të tjera ka edhe kuptime të tjera, sikurse: Hadithi Erbe’in – Dyzet hadithet e Imam Neveviut. Hadithi erbe’in është një temë së cilës dijetarët islamë i kanë kushtuar vëmendje kur është fjala për hadithin e Muhammedit a.s.. Për shembull, Imam Neveviu ka tubuar 42 hadithe, duke i quajtur “erbein” (dyzet/katërdhjetë), të cilët do të shërbenin si mbulesë për të gjithë. Tituj të ngjashëm kemi edhe në fushat e tjera. Hadithi Erbe’in është botuar edhe në shqip nga disa përkthyes.

Burimi: Nexhat Ibrahimi, Fjalor Enciklopedik Islam, Logos-A, Shkup, 2017.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne