Euro ka vijuar të zhvlerësohet në tregun e brendshëm edhe gjatë ditës së sotme. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 134.58 lekë, me një rënie prej 0.28 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme.
Ky është niveli më i ulët i këtij viti, si dhe afër nivelit më të ulët që prej vitit 2009, që është arritur në dhjetor të 2016-s, kur euro zbriti deri në 134.39 lekë.

Një vit më parë, në 9 maj euro këmbehej me 138.52 lekë dhe tendenca ishte për zhvlerësim të monedhës vendase.

Por, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar, euro ishte afër niveleve më të ulëta historike në tregjet ndërkombëtare, ku zbriti në 1.04 dollarë, sot ajo është shumë më e fortë në bursat e huaja. Pas fitores së presidentit francez Macron, euro u ngjir në 1.1 USD dhe gjatë ditës së sotme ka shënuar një rënie të lehtë, duke u këmbyer me 1.09 US, pas zbehjes së valës së parë të optimizmit nga fitorja e presidentit që është pro euros dhe pro Bashkimit Europian.

Aktorët e tregut pohojnë se në tregun e brendshëm, faktorët që po ndikojnë me zhvlerësimin e euros është oferta e lartë për monedhë të përbashkët si dhe kërkesa e ulët për monedhën vendase.

Që prej gjysmës së dytë të vitit të kaluar, monedha e përbashkët ka qenë e dobët në tregun e brendshëm. Më shumë sesa reflektimi i tregjeve ndërkombëtare, aktorët e tregut kanë pohuar se dobësia e euros lidhet me faktorë të brendshëm, ku një ndër më kryesoret është oferta e shtuar nga aktivitetet kriminale. Gjallërimi i eksporteve dhe shtimi i numrit të turistëve në vend, është një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e ofertës në valutë. Në tre muajt e parë të vitit, numri i turistëve të huaj u rrit me gati 12%, sipas të dhënave të INSTAT. Kur afrohen datat e taksave ka një kërkesë për të blerë lekë dhe nga kompanitë, ku më kryesoret është gazsjellësi TAP.

Në tregun e brendshëm dollari u rrit me 0.2 lekë, duke u këmbyer me 123.39. Një vit më parë në të njëjtën periudhë, dollari këmbehej me rreth 125 lekë.

15