Shqiperia

FMN i rrëzon Ramës, Korporatën e Investimeve: Rrezikon buxhetin!

Projektligji i miratuar nga qeveria pak javë më parë për Korporatën e Investimeve u shoqërua shpejt me polemika. Ndonëse e konceptuar si një mundësi për të administruar më mirë investimet e mëdha përmes dhe mobilizimit të kapitalit privat, disa aspekte të funksionimit të Korporatës e cila do të veprojë si shoqëri tregtare me vete, ngjallën debate, që nga fakti se ajo mund të marrë në pronësi asetet publike, te mënyre e administrimit të tyre, apo mundësia që të marrë kredi si dhe të mos i nënshtrohet rregullave të Prokurimit publik. Misioni i Fondit Monetar që vizitoi së fundmi Shqipërinë, shprehu sot rezerva ndaj këtij projektligji.

“I këshillojmë fuqimisht autoritetet të rishikojnë propozimet e fundit për krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare, për të shmangur risqet ndaj buxhetit dhe ndaj integritetit të kuadrit të administrimit të investimeve publike.

Ky projektligj do t’i jepte mundësi qeverisë të udhëzonte vendime individuale për investime, të cilat mund ta shndërronin Korporatën në një instrument shpenzues të mbajtur jashtë buxhetit, çka rrezikon ta ulë disiplinën fiskale dhe t’i anashkalojë proceset e administrimit të investimeve publike. Korporata duhet gjithashtu të jetë objekt i Ligjit “Për prokurimin publik”, – deklaroi kreu i Misionit të FMN-së, Jan Kees Martijn.

Nga ana e saj ministrja e Financave Anila Denaj deklaroi se qeveria është në një proces të ngushtë konsultimi me partnerët tanë ndërkombëtarë.

“Objektivi kryesor mbetet administrimi me efiçiencë dhe rritja e vlerës së aseteve publike të papërdorura aktualisht, nëpërmjet një procesi me kontributorë partnerë seriozë dhe investitorë të huaj. Nuk ka asnjë qëllim tjetërsimi pronash publike. Procesit të konsultimit do t’i jepet gjithë koha e nevojshme për të saktësuar çdo aspekt të këtij ligji”, – u shpreh ministrja Denaj.

Fondi Monetar këmbënguli edhe në nevojën që autoritetet të ulin detyrimet e prapambetura, të përmirësojnë administrimin e borxhit si dhe të përdorin ndryshimet e fundit në ligjin për Partneritetin Publik Privat “për t’i kufizuar risqet që lindin nga detyrimet e kushtëzuara të lidhura me to dhe për të siguruar administrim më të qëndrueshëm të investimeve publike”.

Sipas Fondit Monetar, “propozimet e pakërkuara duhet të ndalohen për të gjitha llojet e Partneriteteve”, ndërkohë që qeveria parashikon kufizimin vetëm në disa raste./lapsi

OPINIONE