Komunikatë për shtyp e konferencës së parë ndërkombëtare kundër bazave të huaja ushtarake të SHBA / NATO-s.

 

nga Margaret Flowers dhe Kevin Zeese.

Më 16-18 nëntor u mbajt në sallën e lirisë në Dublin, Irlandë, konferenca e parë ndërkombëtare kundër bazave ushtarake të SHBA-së dhe NATO-s. Konferenca u ndoq nga afërsisht 300 pjesëmarrës nga mbi tridhjetë e pesë vende nga e gjithë bota. Folësit që prezantuan në konferencë përfaqësonin vende nga të gjitha kontinentet, përfshirë Kubën, Argjentinën, Brazilin, Kolumbinë, Shtetet e Bashkuara, Italinë, Gjermaninë, Portugalinë, Greqinë, Qipron, Turqinë, Poloninë, Mbretërinë e Bashkuar, Irlandën, Republikën Çeke, Izraelin, Palestinën, Kenian, R. D Kongon, Japoninë dhe Australinë.

Kjo konferencë ishte përpjekja e parë e organizuar nga Fushata Globale (Global campaign) e sapo formuar kundër Bazave Ushtarake të SHBA / NATO-s, e krijuar nga mbi 35 organizata të paqes, drejtësisë dhe mjedisit dhe e miratuar nga mbi 700 organizata të tjera dhe aktivistë nga e gjithë bota. Ajo që na solli të gjithëve së bashku në këtë Konferencë Ndërkombëtare ishte marrëveshja jonë me parimet e përvijuara në Deklaratën e Unitetit të Fushatës Globale, e cila u miratua nga pjesëmarrësit e Konferencës.

Pjesëmarrësit në Konferencë dëgjuan dhe ndanë eksperiencat e tyre me përfaqësuesit e organizatave dhe lëvizjeve që luftojnë për largimin e bazave ushtarake të huaja në të gjithë botën. Ata folën mbi agresionet, ndërhyrjet, vdekjet, shkatërrimet dhe dëmet shëndetësore dhe mjedisore që kanë shkaktuar bazat ushtarake për të gjithë njerëzimin së bashku me kërcënimet dhe shkeljet ndaj sovranitetit të vendeve “pritëse”.

Pjesëmarrësit dhe organizatorët e konferencës ranë dakord në parim se ndërsa ata kundërshtojnë të gjitha bazat ushtarake të huaja, ata konsiderojnë mbylljen e afërsisht 1,000 bazave ushtarake të SHBA / NATO-s të vendosura anembanë botës, të cilat përbëjnë shtyllat kryesore të dominimit imperialist global të SHBA-së, NATO-s dhe vendeve të BE-së. Sipas tyre ato duhet të mbyllen sepse janë një kërcënim kryesor për paqen dhe njerëzimin. Bazat ushtarake të shteteve të NATO-s janë pasqyrimi ushtarak i ndërhyrjes imperialiste në jetën e shteteve sovrane në interes të interesave dominuese, financiare, politike dhe ushtarake, për kontrollin e burimeve energjetike, rrugëve të transportit, tregjeve dhe sferave të ndikimit, në shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Pjesëmarrësit në Konferencë u bëjnë thirrje organizatave dhe lëvizjeve të cilët pajtohen për sa më sipër që të punojnë ngushtë me njëri-tjetrin në një mënyrë të koordinuar si pjesë e Fushatës Globale për të organizuar dhe mobilizuar publikun në mbarë botën kundër bazave ushtarake të SHBA / NATO-s.

Ndërkohë që ne kërkojmë mbylljen e të gjitha bazave ushtarake të SHBA / NATO-s, ne konsiderojmë se mbylljet e bazave dhe instalimeve ushtarake në vende dhe zona të caktuara, kanë nevojë për një vëmendje më të veçantë nga lëvizja ndërkombëtare. Këto përfshijnë për shembull edhe bazën amerikane të Guantanamos në Kubë, bazat amerikane në Okinawa dhe Korenë e Jugut, bazën amerikane në Rammstein / Gjermani, Serbi, bazat e vjetra dhe të reja të SHBA / NATO-s në Greqi dhe Qipro, bazat ushtarake në Afrikë “Komanda Amerikane e Afrikës (AFRICOM)”, bazat e shumta të NATO-s në Itali dhe Skandinavi, aeroportin e Shannonit në Irlandë, i cili përdoret si bazë ushtarake nga SHBA dhe NATO dhe bazat e sapokrijuara të Shteteve të Bashkuara, Francës dhe aleatëve të tyre brenda dhe përreth tokës siriane.

Për të vazhduar fushatën tonë të përbashkët globale në solidaritet me kauzat e drejta të popujve në luftën e tyre kundër agresioneve, okupimeve dhe ndërhyrjeve të huaja ushtarake në punët e tyre të brendshme dhe impakteve shkatërruese mjedisore dhe shëndetësore të këtyre bazave, pjesëmarrësit ranë dakord të rekomandojnë dhe të mbështesin veprimet dhe iniciativat e koordinuara në vitin e ardhshëm (2019), i cili do të forcojë lëvizjen globale për të zgjeruar veprimet dhe bashkëpunimin gjatë ecjes përpara.

Si një hap drejt këtij qëllimi, konferenca mbështet mobilizimet masive globale kundër Samitit të 70-vjetorit të NATO-s në Uashington DC, më 4 prill 2019 dhe protestat përkatëse në vendet anëtare të NATO-s dhe në mbarë botën.

Pjesëmarrësit shprehin falënderimet dhe mirënjohjen më të sinqertë për Aleancën e Paqes dhe Neutralitetit (PANA) të Irlandës, për mikpritjen dhe mbështetjen bujare në mbajtjen e kësaj konference historike.

Miratuar nga pjesëmarrësit në Konferencën e Parë Ndërkombëtare Kundër Bazave Ushtarake te SHBA / NATO-s.

18 nëntor 2018

Dublin, Irlandë

burimi: Globalresearch/Gazeta Impakt

19