Histori e padëgjuar: Shqiptarja spiunon hebrenjtë tek nazistët, por i liron Qazim Mulleti

Data 27 janar është një ditë përkujtimore për hebrenjtë që humbën jetën gjate Luftës së Dytë Botërore dhe si e tillë ajo përkujtohet në disa vënde të botës.

Në Shqipëri është i njohur fakti se gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, pothuaj asnjë nga rreth 1800 hebrejtë që ndodheshin asokohe në Shqipëri, nuk iu dorëzua autoriteteve pushtuese gjermane, ashtu siç ndodhi në disa shtete të tjera të Europës Lindore të pushtuara nga nazistët. Megjithatë ka pasur raste të cilat janë mbajtur të fshehura ku hebrenjtë janë spiunuar dhe dorezuar tek autoritetet e asaj kohe.

Vajza durrsake K. S. spiunon hebrejtë

Po në ç’rrethana u arrestuan hebrejtë për të cilët bën fjalë dokumenti i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Prefekturës së Tiranës, i cili mban datën 12 maj 1944 dhe kush i spiunoi ata tek gjermanët? Lidhur me këtë, po nëatë dokument të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, midis të tjerash shkruhet:

“Arrestimi i të naltpërmendunve ka ndodhë në këtë mënyrë: Një vajzë e qyejtuna K.S. (në dokument jepet emri dhembiemri i plotë i saj. Shënimi ynë) nga Durrësi, tash banuese në Tiranë, më datën 15 të Prillit, u paraqit në këtë Zyrë tue thanë se çifutët e nalt-përmëndun, zhvillojnë veprimtari spiunazhi, se ata kanë shumë të holla në monedha

të hueja, stërlinga e dokumenta kompromentuese. Kejo Zyrë, thanjet e kësaj vajze i muarr parasysh edhe disponoj, që me datën 16, d.m.th. me nesermen, nga organet e kësaj Zyre të bahet një kontroll i imtë në banesën e tyne edhe ne rast pozitiv të veprohet n’arrestimin e tyne. Kur organet e kësaj Zyre, vajtën në banesën e çifutëve të përmëndun, aty gjetën Policinë Gjermane të Komandës SS në veprim e sipër.

Me ardhjen e Policisë Shqiptare, Policija Gjermane jo vetëm që nuk kundërshtoj veprimin e Policisë Shqyptare, por përkundrazi i asht lutë që në bashkëpunim t’i vazhdojë veprimet. Organet e kësaj Zyre, me qenë se Policija Gjermane veprimet ma parë i kishte fillue edhe çifutët e nalt-përmendun nga Gjermanët, ishin ndalue edhe grumbullue në një qoshe t’oborrit, pranuen bashkëpunimin e propozuem edhe veprimet e mandejshme bashkarisht u zhvilluen. Në kontrollin e bamun, përveçse letrave në gjuhën Malazeze me karakter tregtare, ndonjë gja tjetër nuk u gjetë. Ne përkuizimin personal të Sallomon Salltiel-it u gjet një shumë të hollash si vijon: gjithsej 10.300 franga shqiptare e 11.000 lireta italiane. Për këto të holla dha spjegime Sallomoni se janë të Dervish Jahit, tregtar nga Shkodra…

Të hollat në fjalë u sekuestruen nga Policija Gjermane, mbasi veprimi ishte fillue nga ata. Nga hetimet e ma-pastajshme, rezulltoj se, vajza K.S. përveç lajmimit që kishte ba në këtë Zyrë, njikohesisht kishte lajmue edhe komandën e Policisë Gjermane SS, Komandën e Regjimentit të Gjindarëmrisë “Kosova” dhe Komandën e Rrethit të Mbrendëshme të Gjindarmerisë, edhe kështu vajza në fjalë ka shkaktue një konfuzion. K.S. këtë gjë e ka ba me qëllim, që të shpresonte në shpëtimin e dashnorit të saj komunist J. K. (në dokument jepet emri dhe mbiemri i plotë i tij. Shënimi ynë), i cili nga organet e kësaj Zyre, më datën 14 Prill të k.v. ishte arrestue si pjesmarrës në vrasjen e nji Nënoficeri e nji Agjenti të Policisë. Edhe vajza në fjalë asht me ndjenja komuniste dhe imorale, por tash për tash nuk asht konstatue nëse zhvillon ndonjë aktivitet komunist. Sa sipri Ju parashtruem për njoftim e në gjegje të sipërmes”. Drejtori i Policisë së Qëndrës (Shaqir Preza.d.v.).

Pra, siç shihet edhe nga dokumenti i cituar më lart, shkas për arrestimin e gjashtë shtetasve me kombësi hebraike është bërë një vazjë e re komuniste nga qyteti i Durrësit, e cila i ka spiunuar ata në Komandën Gjermane, duke shpresuar se ata do t’i lironin të dashurin e saj komunist, që ishte arrestuar për pjesëmarrje në një atentat kundër një agjenti të policisë.

Urdhëri i Qazim Mulletit: Lironi hebrejtë

Po cili ishte fati i mëtejshëm i hebrejve që u arrestuan nga gjermanët, pasi ata ishin spiunuar nga një vajzë e re me origjinë nga qyteti i Durrësit dhe banuese në Tiranë? Për këtë gjë në dokumentet që disponojmë nuk bëhet e ditur, por aty flitet për dy shtetas të tjerë me origjinë hebraike, të cilët janë liruar nga burgu me vendimin e një komisioni të posaçëm të kryesuar prej Prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti. Në atë dokument arkivor, që mban

datën 9.6.1944, shkruhet: “Shteti Shqiptar, Prefektura e Tiranës. Zyrës së Burgut e për njoftim: Komandës Qarkut Gjind. Komiseris Policis Tiranë. Ju njoftohet se komisioni i posaçëm i mbledhun pardje me 7 të k.m. nën Kryesinë e Titullarit të kësaj Prefekture, vendosi qi të reshtuemit Sallomon Tashi e Mina Roshi nga Durrësi, të lirohen me garanci, mbasi nuk kishin fakte për t’i u referue Gjyqit dhe me qënë se bani konviksion se nuk janë persona të rrezikshëm që lenia e tyre e lirë të damtojnë qetësinë publike. Lutemi prandaj që mbassi të sigurojën si garantë ndojë person të ndershëm të njoftun me sjellje të mira morale dhe politike, të shoqnohen në këtë Prefekturë, ku mbasi të redaktohet akti i garancisë, do të lehen të lirë.

Prefekti i Klasit të I-rë Qazim Mulleti d.v.”

Ministri Çoba: lironi hebrejtë

Në dokumentet e tjera arkivore, ku bëhet fjalë për veprimtarinë e hebrejve gjatë periudhës së Luftës (1939-1944) në Shqipëri, ndodhet edhe një korrespodencë ndërmjet Prefektit të Shkodrës, Javer Hurshiti, dhe ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Engjëll Çoba. Në ato dokumente flitet për arrestimin e katër hebrejve në qytetin e Shkodrës, nga ana e gjermanëve, dhe ndërhyrjen e autoriteteve shqiptare për lirimin e tyre. Kështu, në datën 2 maj 1944 (ora 11.55) Prefekti i Shkodrës, Javer Hurshti, me anë të një telegrami njofton Ministrinë e Mbrendshme në Tiranë, duke i shkruar:

“Informohemi se Komanda H.S. Hausding ka arrestue katër ebrej prej Prishtine dhe me qëndrim në këtë qytet. Thuhet se këtynë u janë kërkue njëmijë napolona ar për lirim”. Pas marrjes së këtij telegrami, ministri i Punëve të Brendshme, Engjëll Çoba, i ka bërë një telegram Prefekturës së Shkodrës, ku kërkon të dijë se shumën e napolonave të arit e ka marrë Prefektura e Shkodrës apo komanda gjermane.

Dhe pasi njoftohet nga Prefekti Hurshiti se ajo shumë është marrë nga komanda gjermane, ministri Çoba ka lajmëruar menjëherë Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, e cila kishte dhe autoritetin e duhur ligjor për të kontaktuar me Komandën e Përgjithshme Gjermane në Shqipëri. Në njoftimin e ministrit Çoba drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, pasi jepet fjalë për fjalë njoftimi i Prefektit Hurshiti për arrestimin e katër hebrejve dhe shuma që u është kërkuar për t’i liruar nga burgu, më tej shkruhet: “Prandaj lutemi të keni mirësinë me ndërmjetësue ku duhet qi autoritetet ushtarake Gjermane të mos ndërhyjnë në punët e mbrendëshme t’onat, vetëm ndër raste qi kanë të bëjnë drejt për së drejti me ushtrinë Gjermane”.

Pas këtij njoftimi të ministrit Çoba, duket se Ministria e Jashtme në Tiranë ka reaguar menjëherë pranë Komandës së Përgjithshme të Gjermanëve po në Tiranë, gjë e cila bëri që katër hebrejtë e arrestuar të liheshin të lirë. Kjo gjë bëhet e ditur edhe nga telegrami i Prefektit Hurshiti, i cili, më 4 maj 1944, njofton Ministrinë e Brendshme, duke i thënë se Komanda Gjermane në Shkodër i la të lirë katër hebrejtë, mbasi ata paguan gjobën prej 60 000 franga shqiptare. Por edhe pas këtij njoftimi, Ministria e Brendshme duket se nuk është e kënaqur me faktin që hebrejtë janë liruar, pasi kanë paguar para, dhe me anë të një telegrami tjetër, që mban datën 6 maj 1944, ajo ka reaguar përsëri pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në atë telegram shkruhet: “Kemi nderin me Ju informue se Prefektura e Shkodrës me telin shifër Nr. 191/2 res. d.5 vazhduesit na raporton se, Komanda Gjermane e atjeshme S.D. Hausding. Më datën 2 të k,m. ka arrestue 4 Ebrej prej Prishtine e me qindrim në Shkodër. Më datën 4 të k.m. mbassi u ka marrë një shumë prej gjashtëdhetmijë (60000) fr.shq. i ka lanë të lirë. Prandaj sa sipri lutemi të kini mirësinë me ndërmjetsue ku duhet qi Autoritetet ushtarake Gjermane të mos ndërhyjnë ndër punët e mbrendshme t’ona, vetëm ndër raste qi kan të bajnë drejtë për së drejti me ushtrin Gjermane”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne