Impakt 78: Çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme – Bahreini, Katari, Arabia Saudite – të shpjeguara nga Marwa Osman

Marwa Osman, opinioniste, analiste politike e specializuar për çështjet e Lindjes së Mesme si dhe pedagoge në 2 universitete në Liban, hedh dritë mbi versionin e mbajtur të fshehur nga mediat perëndimore të asaj që po ndodh vërtetë në Lindjen e Mesme.

Emisioni Impakt këtë herë është fokusuar në Lindjen e Mesme, duke ofruar informacione nga burime të brendshme, të mundshme për t’u dëgjuar konkretisht në intervistën e kryer me Znj. Osman në anglisht, në linkun dhe videon e mëposhtme:

https://www.youtube.com/watch?v=jrIm-KA-Y4c

Gjithashtu më poshtë mund të gjeni një transkript të intervistës:

Migena Balla: Mund të na shpjegoni çfarë po ndodh në Bahrein? Pse po i shtyp njerëzit e vet regjimi Al Kalifa?

Marwa Osman: Dua të filloj me atë që sipas medias po ndodh në fakt në Bahrein. Ata e quajnë atë si një protestë që po shtypet nga regjimi Al Kalifa, apo që janë disa protestues që kanë disa kërkesa për qeverinë. Ka në fakt një gënjeshtër në gjithë këtë. Ajo që po ndodh vërtetë në Bahrejn është një pushtim. Është një pushtim ushtarak nga Mbretëria e Arabisë Saudite dhe nga mercenarë të brendshëm që punësohen nga monarkia e Al Kalifës. Ajo që media kryesisht perëndimore thotë, se ajo që po ndodh në Bahrein është vazhdim i valës … së Pranverës Arabe, në fakt nuk është ky rasti … Kjo nuk është një ndërhyrje (e Arabisë Saudite), ky është një pushtim, sepse askush nuk e ftoi Arabinë Saudite. Dhe nëse kthehemi pas në vitin 2011, kur monarkia e Al Kalifës … pranoi t’u përgjigjej disa prej kërkesave të protestuesve, pati një pushtim direkt nga ushtria Saudite me automjete ushtarake të blinduara, dhe ata morën rrugët e Bahreinit. Ata nuk janë as sauditë, ata janë mercenarë nga Pakistani, India, Afganistani, Sudani, nga e gjithë bota, sepse (sauditët) nuk kanë as ushtri. Protestuesit në Bahrein dolën për të kërkuar më shumë përfaqësim, më shumë të drejta, por që u mohohen pasi janë Shia. Forcat qeveritare kanë dënuar me burg liderin Shia, Sheikh Isa Ahmed Qassim, të cilit së fundmi i është hequr nënshtetësia, është gjobitur dhe akuzuar për pastrim parash – dhe këtu flitet në fakt për kontributet vjetore që mblidhen nga Shiat për të varfërit. Këtë e bëjnë për të frikësuar protestuesit, duke treguar se duke vepruar kështu me liderin tuaj, ç’mund të bëjmë ne me ju… Këtë e kanë vërtetuar me ekzekutimet e shtetasve në protesta paqësore. E njejta gjë po ndodh edhe në Awamia, një fshat në Katif në Arabinë Saudite. Ata po vrasin civilët e tyre … pasi nuk i konsiderojnë si sauditë apo muslimanë, dhe sipas vehabizmit është hallall të vriten. Kam frikë se kjo është propaganda dhe sistemi ISIS që po implementohet në Katif dhe Bahrein.

MB: Pse kjo heshtje nga Perëndimi për këtë dhunim të të drejtave të njeriut, dhe pse Trampi po kryen marrëveshje me këto shtete që po luftojnë kundër demokracisë?

MO: Ne shohim SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar që apelojnë për rëndësinë e demokracisë dhe për lirinë e fjalës, por ndërkohë janë partnerë të ngushtë me diktaturat që vetë instaluan në Gadishullin Arabik, duke bërë një sy qorr ndaj krimeve që ato po kryejnë. Për të kuptuar pse kjo heshtje, thjesht ndiqni rrugën e parave. Specifikisht në Jemen, pse bota hesht mbi Jemenin? … E gjithë toka, kryesisht juglindja e Jemenit, është plot me naftë dhe gaz natyror nga më i miri në botë. Ja pse. Ata po vjedhin resurset. Ata kanë edhe baza ushtarake me të cilat kontrollojnë gjithë Lindjen e Mesme në Bahrein.

MB: A mund të na tregoni për Katarin, pse Sauditët po bllokojnë kanalet e lajmeve të Katarit pasi Emiri i Katarit kritikoi ashpërsinë e Arabisë Saudite ndaj Iranit? Pse po sulmojnë sauditët përveç Shiave edhe Sunitët?

MO: Ajo që po ndodh me Katarin është për shkak të kanaleve që Katari i ka pasur gjithmonë të hapura për Iranin. Në Katar, nëse je një Shia, mund të punosh dhe nuk të thotë gjë askush. Arabia Saudite nuk e pëlqen këtë dhe nuk e pëlqën faktin që Katari ka ende kanale të hapura me Repulikën Islamike të Iranit, që Arabia Saudite e konsideron si armikun e tij të vetëm. Pra, ajo që po ndodh atje ka lidhje me çështje personale mes liderëve, që propagandohen në media si forma të tjera problemesh, si probleme sektare apo politike. Problem kryesor është që Katari refuzon të jetë nën krahët e Arabisë Saudite.

MB: Çfarë problemi ka Arabia Saudite me Hamasin dhe palestinezët?

MO: Arabia Saudite ka pasur probleme me Palestinën që në pushtimin e parë të saj nga izraelitët, sepse sipas letrave të zbuluara mes mbretit të atëhershëm saudit dhe Mbretërisë së Bashkuar, ai në fakt e shiti tokën palestineze. Sa për Hamasin, ai ka tre porta furnizimi; nga Katari, Irani dhe Siria. Problemi i Arabisë Saudite është që Hamasi e sheh Katarin si lider, dhe nuk është i hapur të pranojë vehabizmin në Rripin e Gazës.

MB: Kur do të gjejnë paqe njerezit e Lindjes së Mesme?

MO: Nuk është vetëm Lindja e Mesme.  I gjithë globi po digjet. Shiko Amerikën Latine, shiko Azinë Lindore, Filipinet, Malajzinë, Sri Lankën, Afganistanin, Somalinë në Afrikë etj. Nëse do më pyesësh mua, mendoj se e gjitha kjo mund të marrë fund kur të marrë fund sistemi kapitalist botëror. Ai është nxitësi kryesor i gjithë luftërave në botë, duke ndjekur paratë. Sepse nëse luftërat nuk do kishin përfitim, nuk do shihnim as edhe një luftë. Pra, për të pasur paqe në Lindjen e Mesme, ne duhet fillimisht të zgjohemi në faktin që jemi thjesht burime biznesi, duhet të përpiqemi të zhvillohemi dhe të hedhim poshtë kapitalizmin siç e ka bërë Irani. Prandaj ai na shfaqet si kërcënim, sepse në Iran kushdo është i barabartë. Sepse ata kanë një ide, e vënë në punë atë ide dhe punojnë të gjithë bashkë për të. Kjo është ajo që na mungon dhe kemi nevojë dëshpërimisht në Lindjen e Mesme. Ne të gjithë flasim të njejtën gjuhë, të gjithë kemi të njëjtën fe dhe të gjithë i respektojmë fetë e tjera, dhe duhet të jemi të gjithë të bashkuar, si një Union Arab. Elitat po punojnë për të kundërtën e kësaj, sepse mendoni sa forcë do kishim ne po të ishim së bashku. Ne duhet të thyejmë sistemin financiar, të thyejmë barrierat fetare dhe të qëndrojmë së bashku si muslimanë, si një umet i tërë. Për sa kohë të kemi regjime që janë lodra në duart e perëndimit, për sa kohë të ekzistojë ai që quhet entitet izraelit në zemër të botës arabe në Palestinë, ne asnjëherë nuk do të shohim paqe.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne