Ja si po pastrohen paratë në Shqipëri, nëpërmjet koncesioneve dhe ndërtimit

Rritja ekonomike në vitin 2019 do të jetë më e ulët. Mungesa e investimeve të mëdha dhe e një klime të përshtatshme për rritjen e investimeve të brendshme dhe thithjen e investimeve të huaja do të ndikojnë në uljen e rritjes ekonomike në nivelin 3.7% në vitin 2019, tha Sherefedin Shehu, ish-zv.ministër i Financave, tani Këshilltar i Lartë për Programin e Stabilizimit Ekonomik të Libisë. Ai tha se, ky trend do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, pasi mungojnë reformat strukturore dhe investimet e mëdha. Një tjetër problem sipas tij është informaliteti i lartë dhe kanalizimi i këtyre parave në ndërtim dhe koncesione.

 

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2018?

Ekonomia shqiptare e mbylli vitin 2018 me një rritje më të lartë se ajo që pritej, por në një nivel të barabartë krahasuar me vitin e kaluar. Ashtu si edhe në vitet e mëparshme, kjo rritje nuk ka ndikuar në përmirësimin e treguesve të punësimit dhe të mirëqenies së qytetarëve. Kjo shpjegohet me faktin se rritja ka ardhur nga faktorë me efekte ekonomike afatshkurtra ose të përkohshme. Në Shqipëri, prej vitesh po zbatohen dy projekte të mëdha energjetike, hidrocentralet e kaskadës së lumit Devoll dhe projekti i transportimit të gazit Trans Adriatic Pipeline (TAP).

Këto projekte realizohen me një volum të konsiderueshëm investimesh, të cilat reflektohen në rritjen ekonomike të vitit kur ato realizohen, por pas përfundimit të tyre, efekti në rritjen ekonomike është i ulët. Midis tyre, projekti TAP do të ndikojë në uljen e rritjes ekonomike në vitet që vijojnë, sepse ekonomisë do t’i mungojë një burim i rëndësishëm i rritjes së saj. Përfundimi i tij do të ulë punësimin dhe konsumin ekonomik të lëndëve të para dhe materialeve dhe do të japë efekt negativ në të gjithë zinxhirin ekonomik të lidhur me këtë projekt. Shqipërisë, në këtë moment, i mungojnë investimet e reja të përmasave që të zëvendësojnë investimet e mëdha dhe, për këtë arsye, rritja ekonomike e vitit 2018 ishte parashikuar që të ishte më e ulët se ajo e vitit 2017.

 

Por, viti 2018 u favorizua nga rritja e përkohshme e prodhimit të energjisë elektrike. si rrjedhojë e kushteve të favorshme klimatike dhe për këtë arsye, ekonomia shqiptare u rrit në këtë vit mbi nivelin e parashikuar duke arritur në 4%. Rritja ekonomike kushtëzohet edhe nga politikat ekonomike dhe fiskale dhe klima e investimeve të brendshme dhe të huaja. Në vitin 2018 u vërejt një nivel i lartë informaliteti, i cili u shoqërua me një vlerësim të ndjeshëm të lekut kundrejt euros, që nuk lidhet me qëndrueshmërinë ekonomike dhe ka ndikuar negativisht në ekonominë e vendit. Ai ka qenë një faktor frenues, sidomos për eksportet shqiptare dhe për “fasonerinë” që është një ekonomi mbijetese, por që ka një peshë të ndjeshme në ekonominë shqiptare. Edhe politikat e qeverisë kanë ndikuar në frenimin e rritjes ekonomike, nëpërmjet nxitjes së investimeve klienteliste dhe të mungesës së politikave mbështetëse për sektorët prodhues dhe që gjenerojnë punësim masiv.

Si e parashikoni ecurinë e ekonomisë më 2019 dhe si do të ndikojnë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm në stabilitetin ekonomik të vendit?

Për të njëjtat arsye që u thanë për vitin 2018, rritja ekonomike në vitin 2019 do të jetë më e ulët. Mungesa e investimeve të mëdha dhe e një klime të përshtatshme për rritjen e investimeve të brendshme dhe thithjen e investimeve të huaja do të ndikojnë në uljen e rritjes ekonomike në nivelin 3.7% në vitin 2019.

Ky trend do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, pasi mungojnë reformat strukturore dhe investimet e mëdha. Për këtë arsye, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka theksuar se rritja ekonomike e Shqipërisë “për një periudhë afatmesme parashikohet të qëndrojë rreth nivelit 4%”. Edhe vlerësimi i lekut kundrejt euros paralajmëron rrezikun e deflacionit, i cili do të jetë një faktor tjetër negativ në rritjen ekonomike. FMN parashikon që deri në vitin 2021, Shqipëria do të ketë presione inflacioniste, të cilat do të reflektohen në një nivel inflacioni me rritje graduale deri në nivelin 3% në vitin 2021.

Politikat fiskale të miratuara nuk pritet që të ndikojnë pozitivisht në vitin 2019. Buxheti elektoral i dominuar nga politikat e rritjes së pagave, pensioneve dhe pagesave të tjera inproduktive pritet të ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike të vitit të ardhshëm dhe thellimin e borxheve të fshehta në vitet pasardhëse. Edhe investimet publike do të kenë ndikim të dobët në rritjen ekonomike të vitit 2019, sepse do të orientohen me projekte elektorale. Për rrjedhojë, vëllimi i investimeve i miratuar do të realizohet me cilësi të ulët.

 

Rreziku i Partneriteteve Publike – Private (PPP) do të rritet gjatë vitit 2019 dhe për rrjedhojë, do të ulet vëllimi dhe cilësia e investimeve publike të bazuara në studime dhe me ndikim afatgjatë në rritjen ekonomike. Mungesa e disiplinës dhe rregullave në miratimin dhe zbatimin e projekteve të investimeve publike ka bërë që ato të dominohen nga PPP-të, të cilat kanë kosto më të lartë dhe efektivitet më të ulët. Edhe në buxhetin e vitit 2019, ato do të shtohen ndonëse niveli i sotëm i tyre prej 31% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) është i lartë dhe me rreziqe.

Cilat janë shanset dhe sfidat me të cilat do të përballen politikëbërësit dhe qytetarët shqiptarë më 2019?

Sfidat më të mëdha të sotme dhe për vitin 2019 lidhen me nivelin e lartë të informalitetit dhe mungesën e investimeve me efekte afatgjata. Qarkullimi dhe investimi i parave informale deformojnë tregun, godasin sektorët prodhues të ekonomisë dhe ulin cilësinë e investimeve publike. Ekonomia do të dominohet nga investimet në sektorin e ndërtimeve të banesave dhe të koncesioneve ku paratë informale mund të përdoren më me lehtësi. Të parat janë investime që nuk sjellin efekte në rritjen ekonomike të viteve të ardhshme, ndërsa të dytat do të mbajnë peng pjesën e buxhetit për zhvillim në 10-15 vitet e ardhshme. Sfida më e madhe e vitit 2019 do të jetë mungesa e investimeve private në sektorin e prodhimit dhe mungesa e investitorëve të huaj të mëdhenj, të cilët janë e vetmja mundësi për rritjen e qëndrueshme ekonomike në Shqipëri.

 

Ku duhet të fokusohen politikat ekonomike (modeli ekonomik) në periudhën afatmesme?

Politikat ekonomike duhet të fokusohen në krijimin e një ambienti tërheqës për investimet e huaja dhe përdorimin e burimeve brenda vendit. Mungesa e investimeve të huaja duhet konsideruar një rrezik serioz për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Të gjitha vendet në zhvillim kanë përparuar dhe janë bërë vende të zhvilluara vetëm në sajë të investimeve të huaja. Këto të fundit vijnë nga vendet e zhvilluara, sepse ato kanë kapitale të lira për t’i investuar dhe nevojë për kapjen e tregjeve të reja apo zgjerimin e atyre ekzistuese. Është e rëndësishme që vendi të tërheqë investues perspektivë, të cilët investojnë kapitalet e lira të sotme dhe vazhdojnë të riinvestojnë fitimet e siguruara prej tyre, dhe jo investues koniunkturorë, të cilët duan të përfitojë nga avantazhet e momentit për të siguruar fitime të larta, të cilat do t’i transferojnë në vendin e origjinës për t’i riinvestuar atje ose në vende të tjera që mund t’ju interesojnë atyre.

Analizat e shumta të ekspertëve dhe të institucioneve ndërkombëtare financiare dhe të zhvillimit tregojnë se kushti kryesor për tërheqjen e investuesve perspektivë është garancia dhe siguria e investimeve të tyre. Këtë e konfirmon edhe fakti që shtetet e reja anëtare të Bashkimit Europian (BE) kanë thithur shumë më tepër investime të huaja se sa vendet e Ballkanit Perëndimor (BP) ku bën pjesë edhe Shqipëria. Shkak kryesor për këtë është qasja e dyzuar dhe vonesa e këtyre vendeve në integrimin me Europën dhe ekonominë globale. Për të njëjtën arsye, edhe midis vendeve të BP, fluksi i investimeve të huaja është i ndryshëm, dhe fatkeqësisht Shqipëria ka nivelin më të ulët të tyre.

Deri në fund të vitit 2016, investimet e huaja në Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni arritën përkatësisht në 112, 70 dhe 50% të PBB të tyre, ndërsa në Shqipëri ato ishin nën 40% të PBB. Ndërsa stoku i investimeve të huaja për frymë të popullsisë në fund të vitit 2016 për këto vende ishte përkatësisht 7500, 4800 dhe 2800 dollarë për frymë, ndërsa për Shqipërinë ishte 1800 dollarë për frymë, ose 5700 dollarë më pak se Serbia, 3000 dollarë më pak se Mali i Zi dhe 1000 dollarë më pak se Maqedonia.

Cilën konsideronin ju si emergjencë në aspektin ekonomik dhe social mbi të cilën qeveria duhet të ketë fokus të veçantë më 2019?

Emergjencë për Shqipërinë në aspektin ekonomik është përmirësimi i klimës së biznesit dhe forcimi i shtetit ligjor. Ulja e rreziqeve për investuesit privatë arrihet nëpërmjet ndërmarrjes së politikave dhe krijimit të institucioneve që mbështesin një klimë biznesi të shëndoshë dhe garantojnë një qeverisje të mirë. Kuadri rregullator dhe institucional konsiderohen si më të rëndësishmit për të gjitha kategoritë e investimeve dhe investuesve në një vend, prandaj ato preferojnë vendet me risk të ulët politik dhe rregullator, që kanë arritur stabilitet makroekonomik dhe kanë krijuar infrastrukturë të mirë fizike. Këtë e konfirmojnë rreth 80% e të anketuarve në raportin e Bankës Botërore për Konkurrencën Globale të Investimeve. Risqet politike lidhen me sjelljen e qeverisë dhe të administratës, dhe jehona e tyre zgjat më shumë dhe frenon investimet e huaja për një periudhë më të gjatë se faktorët e tjerë.

Investuesit e anketuar në shkallë globale konfirmojnë se sjelljet e papërshtatshme të administratës i kanë detyruar më shumë se gjysmën e tyre që të anulojnë investimet e parashikuara në vendet përkatëse ose të tërheqin ato ekzistuese. Faktorët më të rëndësishëm për investuesit e huaj konsiderohen garantimi i investimeve të huaja nga vendet pritëse për 81% të tyre dhe marrëveshjet bilaterale për investime për 51% të investuesve. Investuesit kërkojnë siguri dhe eficencë në zbatimin e ligjeve dhe rregullave.

Në pesë investues të anketuar, katër prej tyre e konsiderojnë transparencën dhe pritshmërinë e sjelljes së institucioneve të shtetit dhe lehtësinë për të bërë biznes si faktorë përcaktues në zgjedhjen e vendit ku ata do të investojnë. Kjo shpjegohet me uljen e konkurrueshmërisë, si rrjedhojë e abuzimit nga ana e administratës, rregulloreve të interpretueshme, procedurave komplekse dhe kostove të larta të transaksioneve.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne