Kosovë, ende nuk ka marrëveshje rreth platformës për dialogun me Serbinë

Me nismë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot është mbajtur takimi me përfaqësuesit e partive politike me qëllim të harmonizimit të qëndrimeve për dialogun Kosovë-Serbi. Në takimin nuk kanë marrë pjesë dy partitë më të mëdha opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), por kanë marrë pjesë Partia Socialdemokrate dhe Alternativa.

Veseli pas takimit deklaroi se Kosova nuk duhet të lejojë që Serbia të tregohet e fuqishme, dhe se interesi shtetëror doemos duhet të jetë mbi atë partiak. Ai opozitarët i porositi se territori i Kosovës nuk është betejë partiake dhe se ardhmëria euroatlantike e vendit duhet të jetë mbi gjithçka.

“Është gabim historik në qoftë se japim mundësi që me ndarjen tonë, me mosarritjen e konsensusit tonë japim hapësirë Serbisë të tregojë veten të moderuar dhe në të njëjtën kohë mundësi edhe një herë po e përsëris presidentit të Serbisë Vuçiçit të flasë në emrin tonë”, tha Veseli.

Veseli, si lider i Partisë Demokratike të Kosovës, theksoi se takimi i sotëm ka qenë konstruktiv dhe se rezoluta që gjatë fundjavës e propozuan partitë e koalicionit qeverisës mbetet e hapur për përpunim. Po ashtu tha se të gjithë të pranishmit ranë dakord se pushteti dhe opozita duhet të kenë qëndrim unik në raport me Serbinë dhe t’i thuhet “jo” formimit të Asocacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila do të kishte kompetenca ekzekutive.

Dardan Sejdiu, shef i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokratike theksoi se konsensusi mbi dialogun me Serbinë duhet të arrihet në Kuvend, meqë nuk ka logjikë të flitet në distancë.

“Dhe vetëm kështu duke u ulur e duke i diskutuar temat mund të gjejmë zgjidhje të përbashkët. E mira e kësaj pune, besoj unë, është që politikën në këtë republikë duhet ta shndërrojmë nga diskutime armiqësore karshi njëri-tjetrit në përballje argumentesh e kundërshtime për qasje në tavolina të cilat janë në institucione”, tha Sejdiu.

Deputetja dhe kryetare e Aleternativës, Mimoza Kusari Lila, vlerësoi se doemos të ulet, diskutohet dhe arrihet konsensus, meqë “Kosova momentalisht është plotësisht e bllokuar për marrjen e vendimit në proces aq të ndjeshëm siç është dialogu me Serbinë”.

“Kosova duhet të ketë një platformë shtetërore e cila është unike dhe e dakorduar nga gjithë spektri politik shqiptar. A e kemi këtë, nuk e kemi dhe konsiderojmë se gjithashtu nëse nuk arrihet një konsensus mes partive politike shqiptare, përfshirë këtu edhe Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës atëherë me siguri se duhet të shkohet në zgjidhjen tjetër dhe kjo zgjidhje është zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë”, tha ajo.

Ajo theksoi se nga Veseli u kërkua të gjejë një mënyrë për të komunikuar drejtpërdrejt me dy partitë më të mëdha të opozitës në mënyrë që të arrihet një konsensus politik.

Pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shpalosi idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, opozita Socialdemokrate dhe LDK-ja, individualisht dhe më pas koalicioni qeverisës, propozuan rezolutë që të gjithë kanë të njëjtin kontekst se territori i Kosovës nuk mund të negociohet.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne