Kufiri mes Jordanisë e Sirisë po përjeton fazë tensioni dhe përshkallëzimi ushtarak…

Mobilizim tankesh dhe avionësh britanikë e amerikanë për të pushtuar shkretëtirën siriane dhe për t’i prerë rrugën trekëndëshit shiit… Përse ky përshkallëzim tani? Ç’lidhje ka me manovrat “Eager Lion”? Çfarë më tha mbreti Husein për Hafëz al-Asadin?

Abdul-Bari Atuan

Tensioni në kufirin mes Sirisë dhe Jordanisë po përkeqësohet, por para se të futemi në detaje dhe të përpiqemi të lexojmë atë që po ndodh nga mobilizimi e përshkallëzimi dhe zhurma mediatike në mes palës jordaneze dhe asaj siriane, më duhet të tregoj një ngjarje në të cilën kam qenë i pranishëm.

Në fillim të viteve ‘90, me sa më kujtohet, kam vizituar Jordaninë dhe kam takuar mbretin Husein bin Talal në zyrën e tij në Divan. Isha i shoqëruar nga kolegu Basam Bedarin, drejtor i zyrës së gazetës tonë në atë kohë. Shenjat e zemërimit dhe mungesa e qetësisë ishin të dukshme në fytyrën e monarkut jordanez, ndjenja të cilat i shprehu nëpërmjet pirjes së duhanit me një pangopësi të dukshme. Pasi u qetësua pak, guxova ta pyes për arsyet e këtij zemërimi. Ma ktheu me zërin e tij kumbues duke më thënë: “Imagjino, vëllai im! Para se të vinit, kontaktova me presidentin sirian Hafëz al-Asad për të komunikuar dhe për ta pyetur “Si është?”, pasi ne jemi fqinjë dhe anëtarë të një klubi (udhëheqësish). Komunikimi ishte “i ftohtë”. Më pas mora vesh se presidenti “Ebu Basil” ishte në një takim me presidentin egjiptian Hosni Mubarak në aeroportin ndërkombëtar të Damaskut dhe nuk më tha se ishte në shoqërinë e presidentit egjiptian. Çfarë do të ndodhte nëse do të ma përmendte një gjë të tillë, për shembull, dhe të më thoshte: “Jam me “Ebu Xhemalin” dhe ai të dërgon të fala”?!

Pas një “psherëtime”, mbreti Husein tha: “Zotëri! (kjo ishte mënyra se si ai u drejtohej mysafirëve të tij, Zoti e mëshiroftë!) Ne nuk duam asnjë përplasje me Sirinë dhe bëjmë përpjekje të mëdha në mënyrë që marrëdhëniet të jenë normale dhe larg çdo tensioni, sepse ky tension reflektohet negativisht në sigurinë dhe stabilitetin e Jordanisë. Ne kemi vuajtur shumë nga pasojat e mosmarrëveshjes pas ngjarjeve të Hamasë në formë bombardimesh terroriste në zemër të Amanit. Siria është një burim i madh rreziku për ne.”

***

M’u kujtua kjo histori ndërsa po lexoja lajme të cilat thonë se kufiri mes Sirisë dhe Jordanisë po shkon me shpejtësi drejt tensioneve, ndoshta dhe drejt konfrontimit ushtarak. Aviacioni ushtarak sirian iu kundërpërgjigj me bombardim pozicioneve të organizatës “Usud al-Sharkije” (“Luanët e rajonit lindor”) dhe brigadës “Shuhada al-Karjatejn” (“Dëshmorët e dy fshatrave”) pranë kufirit jordanez, të cilat kishin sulmuar forcat siriane në shkretëtirë; kjo, për herë të parë pas disa vitesh.

Kjo përplasje përkon me disa deklarata të zyrtarëve sirianë që konfirmojnë se ka lëvizje të mëdha ushtarake amerikane, britanike dhe jordaneze në kufirin jugor të krahinave Suejda dhe Daraa, të mbështetura nga tanke të llojit “Challenger”, 2300 trupa të armatosura dhe mbulim ajror me helikopterë “Cobra” dhe “Black Hawk”, si dhe 4000 elementë të armatosur të stërvitur në Jordani nën mbikëqyrjen amerikane e britanike dhe që aktualisht janë të pranishëm në zonën “Al-Tanaf” brenda kufirit sirian në rrugën e tyre drejt Al-Bu Kamal dhe Al-Qaim në kufirin mes Irakut dhe Sirisë.

Dr. Mohammed Al-Momani, Ministri i Shtetit për Çështjet e Medias dhe zëdhënës i qeverisë jordaneze, e shpjegoi duke e komentuar më gjatë argumentin e Mbretit të Jordanisë Abdullah II në të cilin tha se “qëndrimi i Jordanisë është konstant në lidhje me politikën vetëmbrojtëse në thellësi të territorit sirian, pa pasur nevojë për një ndërhyrje ushtarake”, duke shtuar se “sigurimi i kufijve është përparësi jordaneze.”

Z. Velid Moalem, zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm sirian, në një konferencë për shtyp dje tha se “vendi i tij do të konsiderojë si forcë armiqësore çdo forcë jordaneze që do të hyjë në territorin sirian dhe pa koordinim me qeverinë”. Ndërkohë, në një deklaratë të tij, Hezbollahu tha se “ekziston një plan për të pushtuar territore siriane nën sloganin e luftës kundër ISIS-it, i cili nuk ka asnjë prani të vërtetë në kufijtë mes Jordanisë dhe Sirisë.”

Rusët dhe iranianët, aleatët e Sirisë, nuk kanë lëshuar ndonjë reagim në lidhje me këtë përshkallëzim që shpërtheu në jug disa ditë pas Dokumentit të Astanas, i cili e ka klasifikuar rajonin Daraa si një nga katër zonat që do t’i mbulojë “Marrëveshja për Reduktimin e Tensionit” dhe – si rrjedhojë – edhe procesi i armëpushimit.

Është interesant fakti se këto mobilizime në kufirin mes Sirisë dhe Jordanisë përkojnë me fillimin e manovrave “Eager Lion”, në të cilat marrin pjesë 20 shtete së bashku me Jordaninë nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe disa përfaqësuesve të aleancës së NATO-s, krahas Britanisë, Francës, Italisë, Arabisë Saudite dhe Egjiptit. Këto manovra filluan shtatë vjet më parë në mënyrë periodike pranë kufirit mes Sirisë dhe Jordanisë. Ky “luan” po përgatitet të hidhet në thellësi të territorit sirian në çdo moment dhe nuk mund të jetë gati për një sulm ndaj Arabisë Saudite apo Irakut, për shembull.

Ka raportime mediatike se Amerika dëshiron të krijojë një zonë izoluese në shkretëtirën siriane me mbështetjen e saj, ku forca aleate të saj të kontrollojnë katrorin kufitar mes Sirisë, Irakut, Jordanisë dhe Arabisë Saudite dhe, në veçanti, korridorin siriano-irakian Al-Tanaf. Për këtë qëllim, forca siriane opozitare u trajnuan në Jordani dhe u nisën nga rajonet Daraa dhe Suejda, qëllimi i parë i të cilëve është prerja e shtrirjes gjeografike të “Gjysmëhënës Shiite”, gjë e cila do të kënaqë shumë palë rajonale, duke përfshirë Arabinë Saudite, Izraelin dhe Turqinë.

***

Ndezja e frontit siriano-jordanez është një “lojë e rrezikshme bixhozi”, që mund të ketë për qëllim çaktivizimin e Marrëveshjes së Astanas dhe rikthimin e krizës siriane në fazën e parë. Nuk është e rastësishme edhe shpeshtësia e deklaratave në lidhje me largimin e Asadit nga ana e ministrit të jashtëm saudit Adil al-Xhubejr dhe homologut të tij nga Katari Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani pas takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit Rex Tillerson në Uashington, ku ministri nga Katari – pas një heshtjeje të gjatë – theksoi se Marrëveshja e Astanas nuk është një alternativë për këtë largim.

Administrata e presidentit Trump dëshiron të ngrejë baza në territorin sirian, sidomos në qytetin Rakka, si një alternativë për bazën ajrore turke “Incirlik”, si dhe të ndajë ndikimin me Rusinë dhe Iranin.

Ditët e ardhshme të Jordanisë janë shumë të vështira dhe nuk besojmë se lidershipi i saj ka “luksin” të pranojë apo të refuzojë, sidomos karshi planeve amerikano-britanike. Ne kemi një bindje të fortë se kërcënimi më i madh për Jordaninë dhe stabilitetin e saj vjen nga Siria, duke pranuar se Siria sot nuk është Siria e 28 vjetëve më parë dhe se nuk na mbetet tjetër vetëm se të presim. Sidoqoftë, pritja nuk mund të jetë e gjatë.

⃰ Opinion i kreut të redaksisë së gazetës elektronike “Ra’jul Jeum”, i datës 9 maj 2017./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne