Numërimi i votave po përfundon në Kosovë. Edhe 9 % janë në kutitë e votimit dhe nuk pritet të ndryshojnë rezultatin e deritanishëm.

Asnjëri prej 5 koalicioneve apo 19 partive në garë nuk ka marrë mazhorancën e nevojshme për të formuar qeverinë.

Koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma ka marrë 34.6 për qind të votave. Ai garoi nën emrin e Ramush Haradinajt si kandidat për kryeministër.

Lëvizja Vetëvendosje është në vendin e dytë me 26.7 % të votave, një rritje e ndjeshme nën emrin e Albin Kurtit si kandidat për kryeministër.

Koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa mori 25.8 për qind të votave dhe renditet në vendin e tretë. Kandidati i saj për kryeministër ishte Avdulla Hoti.

Lista Serbe ka marrë mbi 5 % të votave.

Koalicioni i udhëhequr nga Ramush Haradinaj shpalli mbrëmë fitoren. Me zyrtarizimin e rezultatit Haradinaj do të mandatohet për të formuar qeverinë e re. Por me 34 % të votave e ka të pamundur. Nuk do t’i shërbejë as një aleancë e mundshme me Listën Serpska. Për formimin e qeverisë do t’i duhen 61 vota në parlamentin me 120 mandate.

Një koalicion me LDK-AKR dhe Alternativën do të krijonte qeverinë me bazën më të gjerë që është parë ndonjëherë në Kosovë, çka do të linte në opozitë vetëm Lëvizjen Vetëvendosje.

Në rast dështimi, do të jetë Vetëvendosje ajo që do të marrë mandatin për të provuar të formojë një koalicion qeverisës.

Edhe në këtë rast ajo do të kërkojë votat e LDK-ARK dhe Alternativës.

Është një ekuacion i ngjashëm me atë që prodhuan zgjedhjet e fundit. Përpjekjet bllokut të mbledhur në atë kohë kundër partisë së Hashim Thaçit dështuan pas “dredhisë” së Isa Mustafës që formoi koalicion me Thaçin.

Pas shpalljes së rezultateve zyrtare, priten negociata intensive. Deri tani asnjë nga dy koalicionet e mëdha dhe Vetëvendosje nuk janë shprehur nëse përjashtojnë bashkëpunimin me njëri – tjetrin.

36