nga Naima Mohamud.

Sipas listës së miliarderëve të Forbes për vitin 2019 që u publikua këtë javë, njeriu më i pasur në botë është themeluesi i Amazon Jeff Bezos. Me një pasuri prej 131 miliard dollarësh ai është njeriu më i pasur në historinë moderne.

Megjithatë ai nuk është njeriu më i pasur i të gjitha kohërave.

Ky titull i takon Mansa Musas, sundimtarit të Afrikës Perëndimore në shekullit të 14-të, i cili ishte kaq i pasur sa që dhuratat dhe lëmoshët e tij bujare shkatërruan ekonominë e një vendi të tërë.

“Të dhenat e kohës se tij mbi pasurinë e Musait të lenë pa frymë saqë është pothuajse e pamundur të dihet realisht se sa i pasur dhe i fuqishëm ishte ai në të vërtetë”, thotë për BBC Rudolph Butch Ware, profesor i historisë në Universitetin e Kalifornisë.

Mansa Musa ishte “aq i pasur saqë askush nuk mund ta përshkruajë”, shkroi në vitin 2015 Jacob Davidson për Money.com mbi mbretin e Afrikës.

Në vitin 2012, faqja amerikane e internetit Celebrity Net Worth vlerësoi se pasuria e tij kapte vlerën e 400 miliardë dollarëve, megjithatë historianët e ekonomisë pajtohen se pasuria e tij është e pamundur që të përcaktohet me një numër.

10 njerezit më të pasur të të gjitha kohërave

.Mansa Musa (1280-1337, mbret i perandorisë së Malit) pasuria e paimagjinueshme.

.Augustus Caesar (63 BC-14 AD, Perandor Romak) 4.6 trilion dollarë

.Zhao Xu (1048-1085, perandori Shenzong i Song-ut në Kinë) pasuria e pallogaritshme.

.Akbar I (1542-1605, perandor i dinastisë Mughal të Indisë) pasuria e pallogaritshme.

.Andrew Carnegie (1835-1919, industrialist skocezo-amerikan) 372 miliardë dollarë.

.John D Rockefeller (1839-1937) manjati i biznesit në Amerikë) 341 miliardë dollarë.

.Nikolai Alexandrovich Romanov (1868-1918, Car i Rusisë) 300 miliardë dollarë.

.Mir Osman Ali Khan (1886-1967, mbret në Indi) 230 miliardë dollarë.

.William Pushtuesi (1028-1087) 229.5 miliardë dollarë.

.Muamar Gadafi (1942-2011, sundimtar i Libisë) 200 miliardë dollarë.

Burimi: Money.com, Celebrity Net Worth

Mbreti i artë

Mansa Musa lindi në vitin 1280 në një familje sundimtarësh. Vëllai i tij, Mansa Abu Bakr, e drejtoi perandorinë deri në vitin 1312, kur abdikoi nga froni për të shkuar në një ekspeditë.

Sipas historianit sirian të shekullit të 14-të, Shibab al-Umari, Abu Bakr ishte i fiksuar pas Oqeanit Atlantik dhe asaj që gjendej përtej tij. Raportohet se ai e nisi ekspeditën e tij me një flotë të përbërë nga 2000 anije dhe mijëra burra, gra dhe skllevër. Ata e nisën lundrimin dhe kurrë nuk u kthyen më.

Disa historianë, sikurse historiani i vonshëm amerikan Ivan Van Sertima, mendojnë se ata arritën në Amerikën e Jugut. Megjithat nuk ka prova për këtë nuk ka prova.

Mansa Musa trashëgoi të gjithe mbretërinë që la i vëllai.

Nën sundimin e tij, mbretëria e Malit u rrit ndjeshëm. Ai i aneksoi 24 qytete, përfshirë këtu edhe Timbuktu-n.

Mbretëria shtrihej për rreth 2.000 milje nga Oqeani Atlantik deri në Nigerin e sotëm dhe përfshinte pjesë të këtyre vendeve që sot quhen Senegal, Mauritani, Malit, Burkina Faso, Nigeri, Gambia, Guinea-Bissau, Guinea dhe Bregu i Fildishtë.

Nga një sipërfaqe kaq e madhe toke e mbushur me burime natyrore erdhën sasi të mëdha ari dhe kripe.

Sipas Muzeut Britanik, gjatë sundimit të Mansa Musas, perandoria e Malit përmbante gati gjysmën e arit të botës së Vjetër.

Dhe i gjithi i përkiste mbretit.

“Si sundues q ishte, Mansa Musa pati qasje pothuajse të pakufizuar në burimin më të çmuar të pasurisë në botën mesjetare”, thotë për BBC Kathleen Bickford Berzock, e specializuar në Muzeun e Artit Afrikan në Universitetin Northwestern.

“Qendrat kryesore tregtare që tregtonin me flori dhe me mallra të tjera ishin gjithashtu në territorin e tij, dhe nga gjithe kjo tregti ai mblodhi pasuri”, shton ajo.

Udhëtimi për në Mekë

Ndonëse perandoria e Malit ishte shtëpia e një sasie kaq të madhe të arit, mbretëria nuk ishte e njohur.

Por kjo ndryshoi kur Mansa Musa, një musliman i devotshëm, vendosi të shkonte për pelegrinazh në Mekë dhe kaloi nëpër shkretëtirën e Saharasë dhe Egjiptit.

Raportohet se mbreti u nis nga Mali me një karvan prej 60,000 burrash.

Ai mori me vete të gjithë gjykatën e tij mbretërore, zyrtarët, ushtarët, argëtuesit, tregtarët, kujdestarët e deveve dhe 12.000 skllevër, si dhe një tren të gjatë dhish dhe delesh për ushqim.

Ishte një qytet që lëvizte nëpër shkretëtirë.

Një qytet, banorët e te cilit, madje edhe skllevërit, i kishte të veshur me flori dhe me mëndafshin më të mirë persian. Njëqind deve tërhiqnin mallrat dhe secila nga devetë mbante qindra kile ar të pastër.

Ishte një pamje e mrekullueshme që nuk i shpëtonte dot syrit.

Dhe pamja u bë edhe më e dukshme kur karavani arriti në Kajro, vendin në të cilin ata vërtet mund të ekspozonin pasurinë e tyre.

Pasojat që solli ari në Kajro

Mansa Musa la një përshtypje të paharrueshme në Kajro sa që al-Umari, i cili vizitoi qytetin 12 vjet pas mbretit malian, tregon se sa shumë njerëz në Kajro flisnin akoma për të.

Sjellja e arit në Kajro dhe qëndrimi i tij tre mujor bëri që vlera e arit në rajon të bjerë për 10 vjet, gjë që shkatërroi edhe ekonominë.

Kompania amerikane e teknologjisë SmartAsset.com vlerëson se për shkak të zhvlerësimit të arit, pelegrinazhi i Mansa Musas çoi në rreth 1.5 miliardë dollarë humbje ekonomike në të gjithë Lindjen e Mesme.

Kur u kthye në shtëpi, Mansa Musa kaloi përsëri përmes Egjiptit, dhe sipas disave, ai u përpoq që të ndihmonte ekonominë e vendit duke hequr disa sasi ari nga qarkullimi duke e huazuar atë me norma interesi më të larta nga huadhënësit egjiptianë. Disa të tjerë thonë se ai shpenzoi aq shumë saqë e mbaroi të gjithë arin.

Lucy Duran nga Shkolla për Studime Orientale dhe Afrikane në Londër, thekson se argëtuesit nga Mali, të cilët i këndonin këngë të ndryshme mbi ngjarjet nga historia, ishin pothuajse të mërzitur me të.

“Ai dha aq shumë flori malian përgjatë rrugës saqë argëtuesve nuk u pëlqente që ta lavdëronin më nëpër këngët e tyre, sepse mendonin se burimet e pasurive vendase i kishte harxhuar jashtë perandorisë”, thotë ajo.

Bujaria dhe fama

Nuk ka dyshim se Mansa Musa shpenzoi shume ose harxhoi shumë ar gjatë pelegrinazhit të tij. Megjithatë ajo që tërhoqi vëmendjen e botës ishte edhe bujaria e madhe e tij.

Në të vërtetë Mansa Musa e kishte vendosur Malin dhe veten në hartë. Në një hartë katalanase e vitit 1375, në një vizatim shihet një mbret afrikan i ulur në një fron të artë në majë të Timbuktu-t, duke mbajtur një copë flori në dorë.

Timbuktu u bë një El Dorado afrikan dhe njerëzit erdhën aty nga vendet e afërta dhe të largëta.

Në shekullin e 19-të, ai kishte ende statusin mitik si qyteti i humbur i arit në skajin e botës. Ai u bë një vend tërheqës për gjuetarët e thesareve dhe eksploruesit evropianë, dhe e gjithë kjo ndodhi kryesisht për të eksploruar arin e Mansa Musas që kishte pasur 500 vjet më parë.

Mansa Musa u kthye nga Meka me shumë dijetarë muslimanë, duke përfshirë edhe pasardhës të drejtpërdrejtë të profetit Muhamed si dhe një poet dhe arkitekt andaluzian me emrin Abu Es Haq es Saheli, i cili besohet gjerësisht se projektoi dizajnin e xhamisë së famshme Djinguereber.

Raportohet se mbreti e pagoi poetin me 200 kilogramë flori, i cili në paratë e sotme do të kapte vlerën 8.2 milione dollarë.

Përveç inkurajimit të artit dhe arkitekturës, ai gjithashtu financoi për literaturë dhe ndërtoi shkolla, biblioteka dhe xhami. Timbuktu shumë shpejt u bë një qendër e arsimit dhe njerëzit udhëtonin nga e gjithë bota për të studiuar në atë që do të bëhej Universiteti i Sankores.

Mbreti i pasur shpesh besohet se ishte ai që e filloi traditën e arsimit në Afrikën Perëndimore, megjithëse historia e perandorisë së tij mbetet kryesisht pak e njohur jashtë Afrikës Perëndimore.

Sipas Kryeministrit të Luftës së Dytë Botërore të Britanisë Winston Churchill, “Historia është shkruar nga fituesit.”

Pasi Mansa Musa vdiq në moshën 57 vjeçare vitin 1337, perandoria u trashëgua nga djemtë e tij, të cilët nuk mundën dot ta mbanin perandorinë të bashkuar. Shtetet më të vogla dolën nga sundimi dhe perandoria u shkatërrua.

Ardhja e mëvonshme e evropianëve në rajon ishte gozhda e fundit që u ngul në arkivolin e perandorisë.

“Historia e periudhës mesjetare ende shihet kryesisht si një histori perëndimore”, thotë Lisa Corrin Graziose, drejtor i Muzeut të Arteve në Universitetin Northwestern dhe shpjegon pse historia e Mansa Musas nuk është e njohur gjerësisht.

“Sikur evropianët të kishin erdhur gjatë kohës së Musës dhe të shihnin Malin në kulmin e fuqisë së tij ushtarake dhe ekonomike, përkundër gjendjes së disa qindra viteve më vonë, me siguri që gjërat pothuajse do të ishin ndryshe”, thotë Rudolph Butch Ware./BBC/Gazeta Impakt

67