Të krishterët ortodoksë në Maqedoni kremtojnë Festën e Krishtlindjes, ku në të gjitha kishat ortodokse të Maqedonisë mëngjesin e së hënës janë mbajtur meshat me rastin e kësaj feste.

Manifestimi qendror është mbajtur në kishën kryesore “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, ku ipeshkvi i Ohrit dhe Maqedonisë, Stefani, mbajti meshën.

Ipeshkvi i Ohrit dhe Maqedonisë së bashku me sinodin e shenjtë të Kishës Ortodokse të Maqedonisë, besimtarëve të krishterë ortodoksë u dërgoi mesazhin e Krishtlindjes duke uruar paqe dhe bekimin e Zotit për të gjithë.

Ndër besimtarët e shumtë të krishterë ortodoksë, në meshën e Krishtlindjes në katedralen në Shkup morën pjesë edhe Presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, i cili pas meshës duke folur për mediat uroi festën e Krishtlindjes. Qytetarëve u uroi shëndet, lumturi, gëzim dhe unitet, jo vetëm për festa, por edhe gjatë gjithë vitit.

“Festat nuk janë vetëm për t’i festuar, por edhe një kujtesë për të na kujtuar gjithë atë që na ka mundësuar të mbijetojmë ndër shekuj, për të na kujtuar se duhet ta duam, ta respektojmë dhe ta mbrojmë atë që e kemi, prandaj ta mbrojmë, ta respektojmë dhe ta duam Republikën e Maqedonisë, sepse atë e kemi”, porositi Presidenti Ivanov.

Në meshën e së hënës morën pjesë edhe zv/kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, ministri i Financave, Dragan Tevdovski, ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, si dhe kreu i opozitës maqedonase VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.

Krishtlindja festohen në kujtim të lindjes së Jezu Krishtit, si festë amë e të gjitha festave krishtere, pasi që me lindjen e Krishtit llogaritet edhe fillimi i erës së re.

Shumica e kishave ortodokse në mbarë botën përdorin kalendarin Julian, të themeluar nën sundimin e Jul Cezarit në vitin 45 p.e.s. dhe nuk e kanë pranuar kalendarin Gregorian, i cili u themelua në vitin 1582 nga papa romak Gregori. Dallimi në mes të dy kalendarëve është 13 ditë, prandaj besimtarët ortodoksë e festojnë Krishtlindjen më 7 janar dhe jo më 25 dhjetor. (AA)

8