Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 11-të)

Në shkrimin e javës së kaluar analizuam kryengritjen e vitit 1910 në Shqipëri. Këtë javë do të flasim për gjendjen e kësaj kryengritjeje në vitin 1911 dhe do të mundohemi të shpjegojmë vizitën e Sulltan Mehmet Reshatit në Kosovë si dhe arsyet e kësaj vizite.

Në fillim të vitit 1911 në Shqipërinë e Veriut mblidhen armët, bëhet numërimi i popullsisë dhe vizitohen djemtë që do të merren ushtarë. Gjatë kryerjes së këtyre veprimeve nuk haset në ndonjë qëndresë, vetëm se gjatë veprimit të hedhjes së shortit për ata që do të shkojnë ushtarë fillojnë strehimet në Malin e Zi. Në muajin e parë të vitit 1911, 3-4 mijë shqiptarë të mbledhur në Cetine me mbështetjen edhe të qeverisë së Malit të Zi fillojnë përgatitjet për kryengritje[1]. Para kryengritjes prijësit shqiptarët bashkë me kolonitë shqiptare në vendet e huaja formojnë komitetin kombëtar të Shqipërisë dhe fillojnë qëndresën. Për shembull me nismën e Nikola Ivanaj në Romë krijohet një komitet parlamentar me emrin “Për Shqipërinë” dhe ky komitet përmes Barit dhe Korfuzit krijon lidhje me Turqinë dhe Shqipërinë. Organizime të ngjashme kemi edhe në Sofje dhe Cetine dhe këto lloj formacionesh gjejnë mbështetje edhe në vendet ku ishin formuar[2].

Para fillimit të kryengritjes Austria, Serbia dhe Mali i Zi në muajin janar të 1911-s dërgojnë në Shqipëri armë, municione dhe ushqime. Përveç kësaj edhe shqiptarët që gjendeshin në Romë u dërgojnë kryengritësve shqiptarë armët që kishin siguruar në Itali. Armët që kishte dërguar Italia popullit u shpërndahen nëpërmjet klerikëve katolikë dhe mbahen fshehur në hambarët e kishës. Ndërkohë për të mbështetur kryengritjen vihet në veprim edhe komiteti “Bashkimi” në Beograd. Disa prej prijësve shqiptarë shkojnë në Paris dhe Vjenë dhe mundohen të sigurojnë këtu armë për kryengritjen[3]. E ndërkohë që jashtë Shqipërisë po ndodhnin këto zhvillime, komitetet e fshehta që ishin formuar brenda Shqipërisë dhe ishin mbyllur në vitin 1910 (si Komiteti i Zi)[4] fillojnë sërish aktivitetin e tyre propagandistik në popull. Organizata e Manastirit në këtë periudhë merr një pozicion të rëndësishëm si komiteti shqiptar qendror.

Pas këtyre përgatitjeve brenda dhe jashtë Shqipërisë kryengritja e parë lokale fillon në fund të shkurtit në Dibër (Gryka e Vogël) me dëbimin nga 13 fshatra të nëpunësve osmanë, të cilët të shoqëruar nga xhandarmëria kishin shkuar për të mbledhur taksat. Kjo ngjarje nuk mbetet e kufizuar vetëm me Dibrën, ajo përsëritet edhe në Mat dhe Mirditë[5]. Në fillim të muajit mars rreth 1.000 shqiptarë të armatosur nga krahinat e Shkodrës dhe Kosovës mblidhen nën drejtimin e Isa Boletinit. Malazezët, të cilët i ndihmonin kryengritësit shqiptarë me para, ushqime dhe armë[6] fillojnë e interesohen edhe me myslimanët që banonin në fshatrat përreth kufirit dhe që ishin të pakënaqur nga situata. Në fakt pakënaqësi nuk kishte vetëm në kufi, por në të gjithë Shqipërinë e Veriut. Sepse këtu qeveria osmane duke përfituar nga operacioni ushtarak që kishte ndërmarrë mundohet të grumbullojë taksat e akumuluara për një periudhë 20-25 vjeçare, ndërkohë që nuk kishte filluar të ndërtonte rrugët dhe shkollat, për të cilat kishte nevojë zona[7].

Ditën e 24 marsit 1911 një grup i vogël i armatosur nga fiset shqiptare katolike, i armatosur nga qeveria e Malit të Zi, tenton të sulmojë kufirin turk[8]. Pas këtij provokimi më 28 mars garnizoni turk i vendosur në Tuzi rrethohet nga 3.000 kryengritës. Ndërkohë që Valiu i Shkodrës kishte nën urdhër vetëm një forcë ushtarake prej 1.000 vetësh. Në këtë situatë Valiu shfrytëzon faktin që kryengritësit janë katolikë dhe për të siguruar mbështetjen e myslimanëve i shpall kryengritësit armiq dhe u bën thirrje myslimanëve për ‘xhihad’ (luftë të shenjtë). Dhe kështu në Shkodër arrin të mblidhet një grup shqiptarësh myslimanë deri në 1.000 veta. Vetëm se shumica e shqiptarëve myslimanë në kontaktin e parë me kryengritësit kalon në krahun e këtyre të fundit. Pas këtij zhvillimi në 17 prill Shevket Turgut Pasha vjen në Shkodër me ushtrinë e Anadollit me 8.000 mijë vetë, por edhe ky pëson humbje të mëdha përballë kryengritësve, numri i të cilëve ishte rreth 3-4 mijë. Për ti dhënë fund kryengritjes Shevket Turgut Pasha në 28 prill deklaron se do të shpallë amnisti të përgjithshme në qoftë se brenda pesë ditëve kryengritësit do të kthehen në fshatrat e tyre dhe do të dorëzojnë armët. Vetëm se Shevket Turgut Pasha nuk pret përfundimin e afatit 5-ditor, ai turret mbi kryengritësit dhe në 15 maj rimerr kufirin në Deçiç. Mbreti i Malit të Zi, Nikolla, i shqetësuar nga prania e reparteve të mëdha turke në kufirin e Malit të Zi, ditën e 22 majit deklaron në Cetinë se janë gati të luftojnë me Shtetin Osman. Në këtë situatë ndërhyjnë edhe Rusia me Austrinë, kjo e fundit mbrojtësja e shqiptarëve katolikë. Në 3 qershor komitët e Mirditës marrin garnizonin turk të vendosur në Lezhë. Nën udhëheqjen e Trenç Toçit (një shqiptar i Italisë) në Mirditë formohet një qeveri e përkohshme jetëshkurtër. Edhe myslimanët e Matit dhe Dibrës deklarojnë se janë në solidaritet me Mirditën[9].

Një nga liderët e tjerë shqiptarë Ismail Qemal Beu zhvillon një aktivitet të ngjeshur në Shqipërinë e Veriut dhe të Jugut për të nxjerrë një kryengritje në mënyrë të koordinuar. Për këtë qëllim në fund të majit ai largohet nga Stambolli dhe pritet në takim nga mbreti në Malin e Zi, ku takohet edhe me liderët e malësorëve dhe përgatit Librin e Kuq, ku zënë vend kërkesat e kryengritësve. Pas përfundimit të takimeve në Malin e Zi, Ismail Qemali viziton Vjenën, Romën dhe Londrën, ku kërkon mbështetje. Qëllimi i Ismail Qemal Beut është që duke përfituar nga kryengritja e malësorëve të realizojë një grusht kundër qeverisë së Stambollit dhe ti japë problemit të Shqipërisë një dimension ndërkombëtar[10].

Ngjarjet e vitit 1911 në Shqipëri bëhen objekt i një debati të madh në Parlamentin Osman. Ministri i Punëve të Jashtme në përgjigjen që i dha interpelancës së kërkuar nga deputeti i Dibrës, Basri Beu, me datë 17 mars të vitit 1911 në lidhje me zhvillimet në Shqipërinë e Veriut, tha se qëndrimi i qeverisë së Malit të Zi kishte qenë i drejtë, gjë që u prit me habi nga deputetët. Në data të ndryshme deputetët e zonës tërheqin vëmendjen mbi ngjarjet në Shqipëri, kurse deputetët e tjerë dhe autoritetet e qeverisë i kritikojnë shqiptarët për prishje të qetësisë dhe rendit[11].

Kur qetësia e rendi nuk u vendos dot në këtë krahinë, në 11 qershor Sulltan Mehmet Reshati viziton vilajetin e Kosovës. Pasi viziton tyrben e Sulltan Muratit I Padishahu kërkon të pajtojë shqiptarët me shtetin. Deklarata e shkruar për shqiptarët lexohet nga Sadrazam Haki Pasha dhe në fjalën që mbajti këtu padishahu kërkon nga shqiptarët t’u japin fund kryengritjeve[12]. Vetëm se ky udhëtim i padishahut nuk jep efektin e pritur tek shqiptarët dhe qëndresa shqiptare vazhdon[13].

Në 15 korrik në vend të Shevket Turgut Pashës emërohet Esat Pashë Toptani. Kurse në 28 korrik fillojnë bisedimet turko-malazeze për të shuar kryengritjen. Pala turke propozon ndër të tjera amnisti të përgjithshme, mbajtjen e armëve, reduktimin e taksave, hapjen e shkollave shqipe dhe kryerjen e shërbimit ushtarak në Shkodër dhe Stamboll. Kryengritësit kërkojnë garancinë e evropianëve për premtimet turke, kurse udhëheqësit e Malit të Zi deklarojnë se do ti syrgjynosin ata. Si përfundim kryengritësit e pranojnë amnistinë dhe kthehen në fshatrat e tyre grupe-grupe[14]. Vetëm se mosdhënia më herët shqiptarëve myslimanë të këtyre privilegjeve që iu dhanë tani shqiptarëve katolikë shkaktoi indinjatë tek kjo kategori (shqiptarët myslimanë)[15].

Ndërkohë në jug të Shqipërisë, në Vlorë, Gjirokastër, Delvinë dhe vendbanimet e tjera fillon grumbullimi i shqiptarëve të armatosur. Organizata e fshehtë “Besa-Besë”, që ishte formuar në Elbasan, planifikon brenda muajit korrik kryengritje në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme. Qeveria Osmane dërgon në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut klerikët e saj dhe mundohet të pengojë kryengritjet në fjalë. Qeveria arrin ta pengojë kryengritjen e jugut duke premtuar hapjen e shkollave shqipe në Jug dhe lejimin e përdorimit të alfabetit latin si dhe uljen e taksave dhe ndërtimin e rrugëve e shkollave[16].

Si përfundim viti 1911 është viti kur Italia pushton Tripolin dhe kur Shtetet Ballkanike fillojnë e hedhin themelet e aleancave kundër Shtetit Osman. Për këtë arsye me kryengritjen e vitit 1911 në Shqipërinë e Veriut fillojnë e interesohen nga afër edhe Rusia me Austrinë, Italinë, Anglinë dhe Shtetet Ballkanike. Përveç kësaj fakti që kryengritësit e Shqipërisë së Veriut u strehuan në Malin e Zi dhe mbështetja që morën nga ky vend, krushqia ndërmjet mbretërisë së Malit të Zi dhe Italisë (Mbreti i Malit të Zi ishte vjehërri i Mbretit të Italisë)[17] dhe pushtimi që i bëri Italia Tripolit janë zhvillime të rëndësishme që duhen analizuar më gjerë. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil Özcan (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar Hüseyni

Burimet dhe literatura kryesore:

BARTL, Peter, Milli Bağımsızlık Hareketleri Esnâsında Arnavutluk Müslümanları, çeviren Ali Taner, Bedir Yayınları, İstanbul, 1998.

ÇELİK, Bilgin, İttihatçılar ve Arnavutlar: II.Meşrutiyet Döneminde Arnavut Ulusçuluğu ve Arnavutluk Sorunu, Büke Kitapları, İstanbul, 2004.

KARAL, Enver Ziya, Osmanlı Tarihi IX. Cilt: İkinci Meşrutiyet ve Birinci Dünya Savaşı (1908-1918), Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1999.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

SÖNMEZ, Banu İşlet, II. Meşrutiyette Arnavut Muhalefeti, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul, 2007.

[1] Banu İşlet Sönmez, II. Meşrutiyette Arnavut Muhalefeti, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul, 2007, fq.181.

[2]Peter Bartl, Milli Bağımsızlık Hareketleri Esnâsında Arnavutluk Müslümanları, çeviren Ali Taner, Bedir Yayınları, İstanbul, 1998, fq.296.

[3]Bilgin Çelik, İttihatçılar ve Arnavutlar: II.Meşrutiyet Döneminde Arnavut Ulusçuluğu ve Arnavutluk Sorunu, Büke Kitapları, İstanbul, 2004,fq.403-404.

[4]Çelik, po aty, fq.403.

[5]Sönmez, po aty, fq.182.

[6]Bartl, po aty, fq.297-298.

[7]Sönmez, po aty, fq.181-182.

[8]Sönmez, a.g.e, fq.182.

[9]Bartl, po aty, fq.297-299.

[10]Çelik, po aty, fq.431-435.

[11]Çelik, po aty, fq.435-446.

[12]Çelik, po aty, fq.410.

[13]Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011, fq.14-15.

[14]Bartl, po aty, fq.299-304.

[15]Karal, Enver Ziya: Osmanlı Tarihi IX. Cilt: İkinci Meşrutiyet ve Birinci Dünya Savaşı (1908-1918), Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1999, fq.246-247.

[16]Bartl, po aty, fq.299-304.

[17]Özcan, po aty, fq.14.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne