Mediat ndërkombëtare për zgjedhjet shqiptare

Fitorja e socialistëve në zgjedhjet parlamentare shqiptare është pasqyruar gjerësisht në mediat e huaja. Por vëmendje ka marrë në veçanti pjesëmarrja e ulët dhe incidentet e shënuara gjatë votimit.

Fitues pa festë! Në këtë mënyrë e komenton në titull, fitoren e kryeministrit Edi Rama në zgjedhjet parlamentare, portali i televizionit publik informativ gjerman Tagesschau. Vendosi të mos festonte për të shmangur trazirat – shkruan media gjermane, ndërsa shkruan më pas se reforma në drejtësi është tani detyra më e rëndësishme.
Socialistët fitojnë zgjedhjet parlamentare në Shqipëri – shkruan e përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Duhej të ishte një përcaktim kursi për një të ardhme më të mirë. Por jashtëzakonisht shumë qytetarë vendosën të mos shprehin vullnetin e tyre. Në fitoren e qartë të socialistëve, pjesëmarrja në zgjedhje shënoi rekorde minimale – komenton më tej e gazeta gjermane.
Zgjedhjet shqiptare nuk mund të qëndronin jashtë interesit të shtypit rajonal. Prototema greke i ka dhënë një vend të rëndësishëm në faqen e parë. Ndërsa në titull shkruan: Zgjedhjet shqiptare në një klimë terrori: fitore e rehatshme për Edi Ramën.
Ndërsa “Politika” e Beogradit shkruan: “Shqipëri, pjesëmarrje e ulët, festë fetare, 39 gradë…; Anketat nxjerrin fituese Partinë Socialiste”. Nuk le pa përmendur edhe faktin, që në zgjedhje pati edhe disa incidente, duke iu referuar atij të Shëngjinit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne