Myslimanët e Ballkanit dhe Turqia

Nga Dr. Erhan Turbedar

Sipas të dhënave zyrtare numri i myslimanëve që jetojnë në 10 vendet e Ballkanit është mbi 8 milionë. Myslimanët që jetojnë në këtë rajon kryesisht janë suni, krahas kësaj në Shqipëri jetojnë bektashinjtë, ndërsa në zonën e Dobruxhas më të përhapur janë alevitë. Shumicën e popullatës së Kosovës, Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës e përbëjnë myslimanët. Ndërkaq myslimanët që jetojnë në vendet tjera të rajonit janë në pakicë. Numrin më të madh të myslimanëve në Ballkan e formojnë dy grupe; shqiptarët dhe boshnjakët.

Sipas të dhënave zyrtare, në Ballkan, në ditën e sotme jetojnë rreth 1 milionë e 100 mijë turq. Përveç turqve, në Ballkan jetojnë edhe komunitete të tjera myslimane të cilat ndajnë historinë, kulturën dhe fatin e njëjtë me turqit.

Pas periudhës osmane popullsia myslimane e Ballkanit ka rënë në pozitën e qytetarëve të shkallës së dytë, ndërsa gjatë periudhës komuniste ata nuk patën mundësinë ta shprehin vetën në arenën politike. Në përgjithësi myslimanët e Ballkanit kanë qenë të ekspozuar ndaj shtypjeve të ndryshme në fushat e arsimit, politikës, organizimit social, besimit, mendimit të lirë dhe në fushën ekonomike.

Gjatë periudhës komuniste në disa vende të Ballkanit feja, në një masë të konsiderueshme, ka qenë e ndaluar. Për shembull ish-lideri i Shqipërisë, Enver Hoxha në vitin 1967 ndaloi plotësisht fenë në vend, ndërsa Shqipërinë e shpalli si vendi i parë në botë ateist. Paralel me ndalimin e fesë në Shqipëri u arrestuan një numër i madh i imamëve dhe priftërinjve, ndërsa mbajtja e librave të shenjta fetare dhe zbatimi i riteve në shtëpi llogaritej si krim. Dhe kjo gjendje vazhdoi deri në vitin 1991.

Për dallim nga Shqipëria, Tito në Jugosllavi nuk e ndaloi fenë. Mirëpo sistemi socialist i vendit gjithmonë bëri përpjekje që fenë ta mbajë në planë të dytë. Për shkak të politikave të tilla që zbatoheshin gjatë viteve 60-ta dhe 70-ta tek myslimanët është vërejtur një ulje e dukshme e kryerjes së riteve fetare. Sipas një sondazhi publik të kryer në vitin 1985 numri i besimtarëve në Bosnje-Hercegovinë ishte 17%, në Maqedoni 19% dhe në Kosovë 44%. Së bashku me numrin e ulët të besimtarëve, Bosnje-Hercegovina ka qenë e shquar edhe për nga martesat e përziera mes boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve. Për shembull në vitin 1988 në qytetin Mostar niveli i martesave të përziera ishte 28%, në Sarajevë 22% dhe në Zenicë 19%.

Pas shpërbërjes së komunizmit, myslimanët e Ballkanit rifilluan ti kthehen besimit të tyre. Në përgjithësi gjendja e myslimanëve në Ballkan u përmirësua në mënyrë të dukshme në krahasim me situatën e viteve të 90-ta. Megjithatë përveç shqiptarëve dhe turqve edhe myslimanët të tjerë, të cilët trajtoheshin vetëm si komunitet fetar, filluan të dalin në pah si një element tjetër politik. Kështu me kalimin në sistemin pluralist myslimanët e Ballkanit formuan partitë e tyre politike duke u bazuar në themele etnike dhe u bënë aktorë të rëndësishëm politikë në vendet ku jetojnë.

Mund të thuhet se përveç identitetit fetar të myslimanëve të Ballkanit iu kushtua rëndësi edhe identitetit etnik të tyre. Për shkak të nacionalizmit në rritje roli i islamit në krijimin e ndjenjës së solidaritetit mbeti në planë të dytë.

Turqia asnjëherë nuk bëri përpjekje për të themeluar një union fetar mes turqve dhe komuniteteve tjera myslimane të Ballkanit. Mirëpo, Turqia asnjëherë nuk harroi edhe lidhjet historike dhe kulturore me myslimanët e tjerë të Ballkanit. Kontaktet e qytetarëve turq me prejardhje nga Ballkanit me familjet e tyre në këtë rajon bëjnë që këto lidhje të mbesin të forta gjithmonë. Për këtë arsye gjendja e myslimanëve në Ballkan çdoherë ka qenë një faktorë i rëndësishëm që ndikon në marrëdhëniet dypalëshe të Turqisë me vendet e Ballkanit. Në mënyrë të ngjashme edhe gjendja e Turqisë ndikon tek myslimanët e Ballkanit. Sidoqoftë duhet të themi se interesat strategjike të Turqisë ndaj myslimanëve në Ballkan qëndrojnë në respektimin e myslimanëve të Ballkanit si qytetarë të nderuar dhe të barabartë në çdo aspekt në vendet ku jetojnë./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne