Në Prishtinë hapet ekspozita “Gjuha e motiveve të Anadollit”

Në organizim të Institutit “Yunus Emre” në Prishtinë u mbajt ceremonia e hapjes së ekspozitës “Gjuha e motiveve të Anadollit” në Qendrën tregtare “Albi Mall” të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë ekspozitë shfaqen reproduksionet e 23 tepihëve dhe qilimave të cilët sot ruhen nëpër muze të ndryshme të Turqisë dhe të botës. Me këtë ekspozitë synohet që të ruhet tradita me motivet e përdorura dhe reflektimi artistik i këtyre punimeve të mos harrohet.

Hapjen e kësaj ekspozite e bëri Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç, Drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Prishtinë, Mehmet Ülker si dhe gratë nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas të cilat ishin kursiste në kursin për Thurje të Qilimave të organizuar nga ky institut.

Ambasadorja e Turqisë, Kıvılcım Kılıç gjatë hapjes së ekspozitës duke kujtuar kurset e thurrjes së tepihëve të cilat janë mbajtur në shoqatat e grave në komunat e Gjakovës dhe Drenasit ku kanë marrë pjesë afro 40 gra nga këto dy shoqata njoftoi se një grup i pjesëmarrësve të këtyre kurseve do të udhëtojnë në Turqi për një trajnim.

Ajo po ashtu theksoi se këto trajnime janë mundësuar nga Komuna e Karabükut dhe Komuna Karesi (Balıkesir) të Turqisë.

“Tepihët dhe qilimat këtu reflektojnë ndjenjat dhe përjetimet e asaj kohe. Gjithashtu çdo figurë, material dhe metodë e punimit të tyre reflekton të kaluarën e përbashkët të individëve dhe popujve. Për këtë arsye gratë tona në Anadoll shprehen se e thurrin dashurinë dhe ndjenjat e tyre në përgjithësi gjatë punimit të qilimave”, tha Ambasadorja Kılıç.

Drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Prishtinë, Mehmet Ülker duke folur për përzgjedhjen e vendit të kësaj ekspozite theksoi se këto qendra tregtare janë vende ku përjetohen edhe aktivitetet e ndryshme kulturore dhe mblidhen shumë persona me profile të ndryshme të shoqërisë.

Ai duke bërë të ditur se instituti “Yunus Emre” do të vazhdojë të përkrahë aktivitetet e ngjashme edhe në të ardhmen tha se: “Materialet, motivet, figurat si dhe mënyra e përdorimit të tyre në këto qilima dhe tepiha reflektojnë edhe vlerat e përbashkëta të popujve. Në njëfarë mënyre ne kemi sjellë trashëgiminë dhe vlerat tona të përbashkëta nga Turqia e shekullit të 13-të”.

Ekspozita do të jetë e hapur 15 ditë në qendrën tregtare “Albi Mall”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne