Në Shqipëri u mbajt aktiviteti “Udhëtarët e shkencës Ballkani 3”

Në kuadrin e binjakëzimit të institucionit të medresesë së Shkodrës me medresenë “Kartall Anadolli” të Stambollit, të mbështetur nga Ministria e Arsimit e Republikës së Turqisë dhe ambasada turke në Tiranë, të financuar nga TUBITAK dhe TIKA, është demonstruar në sheshin tradicional para bashkisë Shkodër, një projekt i përbashkët me teme: “Udhëtarët e shkencës”. Ky aktivitet i kthyer tashmë në traditë organizohet për të tretën herë radhazi në Ballkan dhe për herë të parë në Shkodër si rezultat edhe të mbështetjes së fuqishme të Departamentit të Turqve që Jetojnë Jashtë Vendit dhe Komunitetet e Afrishme (YTB) dhe Shoqatës “Istanbul”.

23 stendat e këtij panairi, ku u përfshinë më se 100 eksperimente në fushën e: biologjisë, kimisë, matematikës, informatikës, fizikës, arkitekturës, filmit, robotikës etj. sollën një atmosferë sa shkencore aq edhe bashkëkohore duke tërhequr vëmendjen e vizitorëve të shumtë, veçanërisht të të rinjve.

Në këtë aktivitet u përfshinë 50 nxënës ekselentë të medresesë së Shkodrës dhe 50 nxënës të medresesë së Kartallit (djem dhe vajza) të drejtuar nga mësuesit e lëndëve shkencore.

Drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia” Shkodër, Kujtim Dervishi, para mediavem në mesin e tyre edhe radio “Zëri i Turqisë” tha se projekti ka për qëllim rritjen e interesit tek të rinjtë për pjesëmarrje në veprimtari shkencore nëpërmjet aktivitetit praktik. “…Kam bindjen që ky projekt do të kontribuojë jo vetëm në formimin shkencor dhe edukativ, por edhe në lidhjen miqësore të mëtejshme midis nxënësve, të rinjve të qytetit tonë dhe atyre të Stambollit…”, tha më tej Dervishi.

Ndërsa, drejtori i Medresesë “Kartall Anadolli”, Mithat Tekçam, theksoi se projekti në fjalë ka filluar në vitin 2015 në Stamboll dhe sipas tij deri më tani në 3 kontinente dhe 11 shtete kanë mundësuar realizmin e një projekti të tillë.

“…Bëhet fjalë për një projekt i cili mbështetet nga YTB dhe që realizohet tashmë sot në Shkodër, do të takohet me shkencëdashësit. Ne dëshiruam që nëpërmjet këtij projekti t’ua bëjmë sa më të dashur të gjithë nxënësve pjesëmarrës praktikën e shkencave të ndryshme. Nëpërmjet shkencës synojmë të ndërtojmë ura vëllazërore mes nxënësve tanë, mes dy institucioneve dhe pa dyshim mes dy shteteve mike…”.

Ndërkaq, drejtori i Medresesë “Kartall Anadolli”, Mithat Tekçam shprehu edhe falëndërime për bashkëpunimin dhe mbështetjen nga medreseja e Shkodrës, për shoqatën “Istanbul” si dhe për kryetarin e Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve të Afrishme (YTB), Abdullah Eren.

Në fjalën e saj përshëndetëse në hapje të aktivitetit, përfaqësuesja e Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve të Afrishme (YTB), Fatma Ince, tha se me projektin në fjalë synohet të realizohet një rrugëtim interesant dhe tërheqës.

Ajo ka treguar se ndien një kënaqësi dhe privilegj të veçantë që si YTB mbështesin këtë projekt.

“…Është një kënaqësi e veçantë për ne që gjendemi në një organizim kaq të madh ku mund të vëzhgohet se si të rinjtë nga Ballkani me anë të projektit ‘Udhëtuesit e shkencës’ janë duke u zhvilluar të ndërthurur me shkencën…”, është shprehur Ince.

Projekti në fjalë synon të kontribuojë në argëtimin dhe formimin edukativ e shkencor të nxënësve të shkollës “Haxhi Sheh Shamia, por edhe të shkollave të tjera të qytetit, që ishin të pranishme gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti, që kryesisht fokusin e ka në zbatimet praktike dhe eksperimentet shkencore, në programet e fushave të ndryshme.

Ky projekt, zanafillën e ka në Stamboll, në vitin 2016 dhe më pas me mbështetjen e qeverisë turke, është shtrirë në disa shtete të botës, si dhe në Kosovë (Prizren), Maqedoninë e Veriut (Tetovë) dhe së fundi edhe në Shkodër./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne