Ismail Bardhi

Duke biseduar me shokun tim të dashur i kujtuam bisedat tona (të disa shokëve) prej para disa dhjetëvjeçarësh, në lidhje me ngjarjet nga fillimi i shekullit 20. Ndër temat që i bisedonim asokohe, por jo vetëm atëherë, ishte se përse njerëzimi ka heshtur ndaj padrejtësive, qoftë të krishterët, qoftë muslimanët, por për arsye se i përkasim fesë islame ne bisedonim për muslimanët, pra si ka qenë e mundur që ata të heshtnin para ndodhive të mëdha tragjike. Ato ndodhi ishin dëbimi dhe zhvendosja e popullatës, grabitja e gjësendeve, pronave, territoreve të tyre, copëtimi i Perandorisë, keqpërdorimi i fesë dhe institucionit të fesë, dhe kjo bisedë kishte atë dozën se me të vërtetë çka kanë bërë, pse kanë heshtur, kush ua ka lejuar atë heshtje atyre?
Ne këtë e bënim me një bindje të thellë se jemi në të drejtë, por si duket kjo kohë e tashme, koha jonë, pra kur ne jemi gjallë, si duket e dëshmon thënien popullore: “…mos m’i trego dertet, se nëse unë t’i tregoj të miat, do të fillosh të qash”. Fjalë e urtë, vërtet e urtë dhe kuptimplotë. Por çfarë bëjmë ne që në praninë tonë është duke u përsëritur e kaluara e afërt dhe e largët, e gjatë dhe e shkurtër, dhe atë në çdo fushë të jetës, duke filluar nga feja, kultura, shkenca, politika.

Në fe, pamë ndryshimet e mëdha dhe të shpejta në pranimin dhe praktikimin e fesë, duke iu larguar edhe mësim-besimeve fundamentale të saj; kur them fundamentale këtë e bazoj në atë se muslimani i drejtë nuk vjedh, nuk mashtron, nuk gënjen, nuk uzurpon tokën, nuk e thyen ligjin dhe marrëveshjen, nuk e tradhton gjënë/premtimin e besuar, nuk jepet pas asaj ‘unë e bëj, unë e kam bërë e ti nuk e ke bërë’. E ç’të themi për institucionin që e prezanton fenë dhe “ekziston” duke u bazuar mbi besimin tonë, si atë fizik ashtu edhe metafizik, e në anën tjetër i drejtohen akuzat më të rënda nëpër media të shkruara dhe elektronike. Dhe, si zakonisht, për të gjitha këto heshtet, kinse askush nuk e ka për dert dhe askujt nuk i b]het vonë. Po për anën metafizike ç’të thuhet, ku çdokush mundohet ta bazojë besimin e vet në një disiplinë shpirtërore metafizike që shpeshherë i kapërcen rregullat fundamentale fetare, respektivisht që nuk ka as të bëjë me fenë. E të mos flas për atë se fenë e kemi zhveshur nga edukata, terbija e lartë. Pra, ne me çfarë të drejte paskemi folur për heshtjen në të kaluarën, kur ne sot, në epokën e teknologjisë dhe informacionit kur në sekondë informohemi për gjithçka, jemi duke heshtur (e mos dhëntë Zoti të jemi duke i ndihmuar së keqes)!? Kur’ani thotë: “Mos u ulni me ata që e kundërshtojnë Zotin”, e shihni se me sa dëshirë ulemi dhe madje edhe jemi bërë shpeshherë shërbëtorë të tyre.

Pothuajse 30 vjet nuk jemi duke parë asgjë tjetër në botën e Lindjes, përveç gjakderdhjes dhe keqpërdorimit të muslimanëve: nuk ngeli asnjë pëllëmbë tokë pa u shkatërruar, qendrat më të mëdha të kulturës dhe qytetërimit me përmasa botërore, si Bagdadi, Basra, Tripoli, Halebi, Damasku, Shami u shkallmuan; për çdo ditë ndodhin në masë vrasje, përdhunime, vdekje të dhunshme, masakra, rrënime dhe zjarr, uri…; në vapë dhe në acar, në verë dhe në dimër. U shkua aq larg në këtë marrëzi saqë na u ndalua madje edhe t’iu ndihmojmë refugjatëve, të mos kemi të drejtë t’iu japim as ujë, e lëre më strehim. Pra, çka do të flasë e ardhmja për ne: me sa duket të njëjtën gjë që ne e flasim për të kaluarën. E mos vallë vetëm politika është ajo që duhet fajësuar për gjithë këtë? Po, për kobin që e shkakton, por, jo edhe për heshtjen tonë! Politika dihet se çfarë është: ajo është interes, e interesi nuk ka as din, as iman, as nënë, e as baba.
Politika sot është bërë forca më kryesore, për fat të keq, megjithëse të gjitha analizat, kërkimet, sondazhet sociologjike, psikologjike, edhe intelektuale, thonë se kjo gjendje e sotme është e padurueshme. Kjo që ndodh sot në botë i ka kaluar përmasat edhe të kuptimit të monarkive të mëparshme: ata sot, me fjalorin e mafies, e tregojnë veten si bosët e sundimit dhe keqpërdorimit të forcës tonë. A e shihni sot botën se si është katandisur: sot haptas tregohet se presidentët e disa shteteve janë më të pasur se vetë shtet që i sundojnë; kemi presidentë shtetesh të fuqishme numri i gënjeshtrave të të cilëve i shastis edhe gënjeshtarët më të mëdhenj të botës; kemi bosë të politikës të cilët thonë se ne i kemi gishtat mbi butonat e armëve nukleare; kemi presidentë, bosë të tillë që edhe në emër të Islamit flasin për lirinë, kurse dënojnë, e burgosin fjalën e drejtë dhe të lirë. E tërë kjo ndodh me bekimin e institucioneve fetare; nuk ka mbetur kishë, xhami e sinagogë që nuk i përkrah këta banditë, e nuk kalon as një dhjetëvjeçar dhe gënjeshtra e tyre del në shesh. Iraku u bombardua, u shkatërrua kinse kishte armë bërthamore; e jo që nuk kishte diçka të tillë, por vetëm kishte qenë i sunduar nga një bos mashtrues, i ngjashëm me atë të Libisë i cili e kishte groposur pasuritë e tij. E ky i fundit i Sirisë iu hedh bomba me helme kimike shtetasve të vetë. Ç’mund të themi pas gjithë kësaj?!
E kaluara e largët, për të cilën kemi biseduar, e që e përmenda në fillim, ishte e tillë për arsye se e vërteta u keqpërdor; u bë keqpërdorimi i së vërtetës, respektivisht drejtësisë, që nuk e duron as “tepricën” e fesë, respektivisht as “pagjynahsinë” e fesë, sepse Zoti e di që ne jemi gjynahqarë, jo sipas kuptimit të Kishës, por jemi njerëz që bëjmë gjynah. Por, Ai nuk lejon të jetohet pa drejtësi, drejtësia është ajo baraspesha kryesore e ekzistimit tonë; drejtësia i kapërcen përmasat fizike dhe metafizike, ajo është më e lartë; edhe dënimet e mëparshme që iu janë dhënë popujve të lashte e dëshmojnë këtë. “Lanet janë bërë Beni Israilët… për arsye se nuk i largonin njerëzit nga punët e këqija…”; veprat e këqija ishin zullumi që i bëhej Zotit dhe besimtarëve të tij. Këtë zullum jemi duke e përjetuar dhe për fat të keq jemi disi edhe duke e përkrahur.

Jemi duke e përkrahur jo vetëm me heshtje, por edhe fizikisht, edhe materialisht jemi bërë pronë e tyre, mall i tyre. Sot me të madhe thuhet: hesht, mos e thuaj të vërtetën, për arsye se liderët tanë dhe shërbëtorët e tyre të largojnë dhe të ndëshkojnë, edhe zyrtarisht, edhe privatisht. E keqja e sotme është duke i kapërcyer tragjeditë e së kaluarës, siç ishte kontrolli shtetëror i “të menduarit” dhe fjalës së shkruar, por megjithatë kishte njëfarë karari.
Të gjitha këto biseda i bëmë bashkë me shokun tim, ngaqë e përjetuam padrejtësinë që jemi duke ia bërë edhe vetvetes, që nga mashtrimi kinse jemi të mirë, e deri atje se me çfarë të drejte ne do t’iu flasim të tjerëve, kur në praninë tonë ndodhin gjërat më të trishtueshme të kohës. Nuk ka gjë më të keqe dhe më të rëndë sesa e vërteta vetëm të flitet, të mbetet në fjalë; e drejta vetëm të mbetet në shkronja; dhe shkenca vetëm të mbetet në teori. Sot ke frikë të jesh besimtar; ke frikë të jesh i sëmurë; ke frikë ta mbash të vërtetën në zemër… Të gjitha këto akoma më shumë të ngarkojnë dhe të çmendin psikologjikisht. Pamë edhe kulmin e së keqes: njerëz me namaz që u shitën, tradhtuan, me pretekst kinse nuk guxojmë të jemi fetarë të këtij lloji, por e kemi të domosdoshme të jemi dyfytyrësh dhe t’i mashtrojmë Zotin, besimtarët, respektivisht vetveten. Sot jemi duke jetuar dhe “sunduar” pa vetveten tonë.
E di dhe jam i bindur, nuk dyshoj te Zoti Një, i Cili di, sheh dhe gjykon, por ne nëse dëshirojmë ta largojmë nga vetja jonë hijen e së keqes, padrejtësisë, duhet që patjetër t’i kthehemi pastërtisë në zemër, në mendje dhe në shpirt. Këtë mund ta mësojmë nga Fjala universale e Zotit, respektivisht nga Kur’ani Fisnik; kushdo që dëshiron të gjejë pak qetësi, le ta marrë e ta lexojë në heshtje Fjalën e Zotit; mjafton madje që vetëm t’i shikojë shkronjat e Fjalës së Zotit dhe do ta shohë se kush është, ku është dhe ku shkon. Heshtja para zullumit është zullumi më i madh!/ SHENJA

34