Pas rihapjes së besimit fetar në 1990-n në Shqipëri, një grup besimtarësh nga qyteti i Shkodrës, nën drejtimin e imamit të xhamisë Parrucë, vizitoi Kudsin Sherif në Palestinë, pikërisht aty ku ndodhet edhe Xhamia Aksa, e treta e vendeve të shenjta islame.

Për herë të parë pas rihapjes së besimit fetar në vitin 1990 në Shqipëri, një grup besimtarësh nga qyteti i Shkodrës, nën drejtimin e teologut Naim Drijaj, imam i xhamisë Parrucë, vizituan para pak ditëve Kudsin Sherif-Jerusalemin në Palestinë, pikërisht aty ku ndodhet edhe Xhamia Aksa, e treta e vendeve të shenjta islame.

Grupi i vizitorëve të Aksasë përpara nisjes u pritën në zyrën e Myftinisë, nga myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari, i cili i uroi me rastin e kësaj vizite historike.

Myftiu foli mbi vlerën e këtij vendi dhe stacioneve të ndryshme, nëpër të cilat ia vlen të ndalesh e të përkujtosh një histori shekullore të mbushur me gjurmë pejgamberësh, ngjarjesh të shenjta e lutjesh të shumta që mbushin atë atmosferë të bekuar.

Grupi i besimtarëve shkodranë gjatë vizitës në tokat e shenjta në Kudsin Sherif (Jerusalem) kanë vizituar shumë vende në brendësi të Kudsit si dhe kanë falur namazin e xhumasë në Xhaminë e Shenjtë të Aksasë.

Ata gjatë vizitës janë pritur dhe shoqëruar nga Sheiku Mostafa Al-Tawil, kryetar i Gjykatës së Lartë të Sheriatit në Palestinë, janë takuar me ministrin e Çështjeve Fetare dhe Vakëfëve, Mahmud Al-Hebbash, si dhe me myftiun e Palestinës, Sheikun Muhammed Ahmed Husejn dhe drejtorin e Xhamisë Aksa, Sheikun Omar Abdullah Kisuani.

Myftiu i Palestinës u ka prezantuar vizitorëve nga Shqipëria historikun e Xhamisë së Shenjtë, u ka folur rreth problemeve që myslimanët përjetojnë çdo ditë në Jerusalem, etj.

Më pas pelegrinët shqiptarë janë takuar edhe me guvernatorin e Palestinës, Adnan Ghaith.

Pas këtyre vizitave dhe takimeve me autoritetet e larta të Palestinës dhe Kudsit Sherif, grupi i besimtarëve kanë vizituar muzeun e liderit palestinez, Jaser Arafat, xhaminë e Omer Ibn El-Khattab, Kishën e Lindjes së Jezusit në Betlehem e shumë monumente të tjera historike dhe kulturore.

Pas kthimit në vendlindje të grupit të besimtarëve shkodranë, myftinia Shkodër organizoi një aktivitet me pjesëmarrjen e drejtuesve të mytinisë, imamëve të qytetit, intelektualë etj.

Teologu Naim Drijaj, imam i xhamisë Parrucë, gjatë fjalës së tij solli para të pranishmëve mbresat dhe kujtimet e paharruara, foli për shenjtërinë e Kudsi Sherifit, si dhe pozitën e këtij qyteti me stacionet e tij historike në jetën e myslimanëve.

Ai u paraqiti të pranishmëve disa prej vendeve, që vizituan gjatë qëndrimit në Jerusalem dhe Betlehem.

Teologu Drijaj gjatë bisedës së tij solli edhe një fakt interesant, ku besimtarët nga Turqia zënë vendin e parë në numër, të cilët vizitojnë vendet e shenjta në Kudsin Sherif.

Aktivitetin e përshëndeti edhe myftiu i zonës Shkodër, imam Muhamed Sytari, i cili falënderoi zv/ambasadorin e Palestinës në Shqipëri për gatishmërinë për të ndihmuar vizitorët shkodranë, të cilët u pritën me shumë nderime dhe respekt nga autoritetet palestineze.

Njëkohësisht myftiu përhajroi grupin e vizitorëve për këtë mirësi të madhe dhe uroi që numri i shkodranëve që vizitojnë këtë vend të shenjtë të shtohet.

Me shumë interes u ndoq edhe fjala e rastit nga zv/ambasadori palestinez në Tiranë, Hani Husejn, i cili përcolli mesazhet e tij të ngrohta për të pranishmit dhe vizitorët e Kudsi Sherifit në veçanti.

Ai tha se historia e Shkodrës me Kudsin e Shenjtë lidhet prej shekujsh, edhe për faktin se shumë ushtarë shkodranë kanë luftuar për mbrojtjen e kësaj toke të shenjtë, gjatë shekullit të kaluar. Sikurse përmendi se emrat dhe flamuri i tyre ruhen sot në muzeun historik të Kudsit Sherif.

Aktivitetin e përshëndeti haxhi Fejzi Zaganjori që bëri edhe një lutje për liri dhe paqe për popullin palestinez, sikurse përshëndeti edhe Muamer Vuci, kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Vendet Arabe.

Aktiviteti u shoqërua nga përshëndetje dhe urime të përzemërta në mesin e të pranishëmve./trt

39