Përkujtohet në Shqipëri 103-vjetori i Fitores së Çanakkalasë

Shqipëria i është bashkuar aktiviteteve përkujtimore me rastin e 18 Marsit, Ditës së Fitorës së Çanakkalasë, ku në qytetin e Shkodrës nën kujdesin e Institutit “Yunus Emre” në Shkodër dhe Ambasadës së Turqisë në Tiranë janë organizuar aktivitete përkujtimore, raporton Anadolu Agency.

Programi “Dita Përkujtimore e Dëshmorëve të 18 Marsit” organizuar në Shkodër ka filluar me vendosjen e kurorave me lule në Monumentin e Hasan Riza Pashës, në qendër të qytetit, me pjesëmarrjen e ambasadorit të Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësuesve të pushtetit lokal në Shkodër dhe përfaqësuesve të shoqatave dhe institucioneve turke në Shqipëri.

Shqipëri, shënohet 103-vjetori i Fitores së ÇanakkalasëMë pas aktivitetet kanë vazhduar në ambientet e Institutit “Yunus Emre” në Shkodër, ku në programin përkujtimor mbajti një fjalë përshëndetëse edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, i cili theksoi se janë mbledhur me rastin e përvjetorit të 103-të të Betejës së Çanakkalasë.

“Sot ne përkujtojmë dëshmorët tanë. Përkujtojmë të gjitha ata që ranë dëshmorë në Luftërat e viteve 1877-1878, në Luftën Ballkanike, në Betejën e Çanakkalasë. Përkujtojmë dibranin Myrteza, delvinjotin Rasim, tepelenasin Nexhip, elbasanasin Musa, shkodranin Mustafa, janinasin Ali Shefki, tiranasin Mahmut, korçarin Hysejin, përkujtojmë Mbrojtësin e Shkodrës, Hasan Riza Pasha, i cili u kujdes për Shkodrën dhe mbeti në zemrat e shkodranëve”, u shpreh ai.

Ambasadori turk shtoi se “Ashtu siç thekson poeti ynë kombëtar Mehmet Akif Ersoy në vargjet madhështore të veprës së tij të titulluar ‘Dëshmorëve të Çanakkalasë’, diplomatët tanë, ushtarakët tanë dhe policët tanë që kanë humbur jetën në të kaluarën e afërt dhe në ditët e sotme, gjatë atentateve terroriste armene, në Qipro, në ngjarjet e 15 korrikut 2016, në operacionin ‘Mburoja e Eufratit’ dhe në operacionin ‘Dega e Ullirit’ kanë shkruar epope vetëmohimi dhe heroizmi kundër PKK-së, YPG-së, ASALA-s, FETO-s dhe të gjitha veglave të tyre.”

Ndërsa drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Shkodër, Zafer Kıyıcı, gjatë fjalës së tij në aktivitet tha se Çanakkalaja është toka ku u përjetua një nga betejat më të përgjakshme në historinë e kombit turk.

“Fitorja e Çanakkalasë është epope e dëshmorëve që sakrifikuan jetën për atdheun, flamurin, kombin, fenë dhe shtetin. Ushtria turke, e cila na e shenjtëroi atdheun, në çdo betejë ku ajo ka marrë pjesë ka zbuluar karakterin e pavarur dhe sovran të kombit tonë”, tha Kıyıcı.

Në aktivitet u lexuan pjesë nga Kur’ani, u recituan poezi, si dhe përshëndetën edhe të afërm të dëshmorëve shqiptarë në Betejën e Çanakkalasë.

Pjesë e programit përkujtimor ishte edhe ekspozita “Çanakkala 1915” me të dhëna, dokumente dhe fotografi nga Arkivat Shtetërore pranë Kryeministrisë së Turqisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne