Shefi i diplomacisë rumune, Teodor Melescanu shprehet se vendi i tij, i cili mban kryesinë e radhës së BE-së, kërkon që Shqipëria dhe Maqedonia të marrin një ftesë të qartë për hapjen e negociatave.

Në një intervistë për “Deutsche Welle”-n, Melescanu tregon se Ballkani Perëndimor do të jetë në agjendën e takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, më 31 janar në Bukuresht.

Ky, sipas kryediplomatit rumun, është një prioritet i bartur nga presidencat e mëparshme të bllokut, sidomos nga Bullgaria e Austria.

Diskutimet, nga sa shpjegon ministri i Jashtëm rumun, do të realizohen fillimisht mes vendeve anëtare, e më pas do të ftohen në dialog të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Pozicioni i Rumanisë duket kështu se është në mbështetje të afrimit të rajonit me BE-në.

“Propozimi im do të jetë që ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, apo Maqedonia e Veriut siç do të njihet tani e tutje, si dhe Shqipëria të marrin një ftesë të qartë për hapjen e negociatave me bllokun”, ishin fjalët e tij.

“Pozicioni ynë kombëtar, – shton ministri, – është mbështetja e përshpejtimit të negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi, në drejtim të anëtarësimit në BE, dhe hapja e kapitujve të rinj për negociim”.

Sa për dy vendet e mbetura, Bonje-Hercegovinën dhe Kosovën, që janë në fazë fillestare, “me to do të diskutohet për të parë sesi mund të mbështeten përpjekjet e tyre europiane”.

13