Rama merr postin e ministrit të Jashtëm

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka zyrtarizuar përmes Twitterit se ai e merr postin e ministrit të Jashtëm. “Presidenti s’e ka zhdekretuar ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës, që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë, që vjen shumë shpejt, do të jem ‘de jure’ në këtë rol, sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit”, shkruan Rama në Twitter.

Pak minuta pasi kryeministri njoftoi se do të merrte de jure postin e ministrit të jashtëm presidenti Meta iu kundërpërgjigj po përmes rrjeteve sociale. Në anglisht Meta i përcjell mesazhin Ramës se nuk ka më shtet fals. “Presidenti në krye të punës. Për Presidentin e para është Kushtetuta dhe sundimi i ligjit. Shqipëria e para!”. Ndërkohë për ta zgjidhur ngërçin Kryeministri-Presidencë, PS-ja do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të shprehet vetëm kur të mund të bëhet funksionale, çështje që do të marrë kohë. Derisa kjo e fundit të shprehet, Rama do ta mbajë vet përkohësisht postin e ministrit të Jashtëm, e njëjta formulë si në Greqi me kryeministrin Alexis Tsipras, pas largimit të Nikoz Kotzias si ministër i Jashtëm.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne