Refugjatët që përdhunohen në Greqi, një vajzë 4-vjeçare midis tyre

“I thashë vetes: ‘Shikoje veten – ke ardhur në Evropë, cili ishte qëllimi yt?’ Unë nuk po e bëj këtë sepse më pëlqen, por nuk kam para, nuk kam zgjedhje”.

Këto janë fjalët e një prej shumë fëmijëve refugjatë të detyruar të shesin trupat për të mbijetuar në Greqi, ku një vajzë katërvjeçare është në mesin e atyre që përdhunohen në kampet që supozohej t’u siguronin mbrojtje.

Një studim i Universitetit të Harvardit paralajmëron për një “epidemi në rritje” të shfrytëzimit dhe abuzimit seksual në vend, ku strehohen 62,000 azilkërkues të bllokuar nga marrëveshja BE-Turqi dhe mbylljet kufitare nëpër Evropë.

“Ne kishim një rast të një vajze katërvjeçare që ishte përdhunuar”, tha një psikolog në një kamp në Athinë. “Nëna bëri gjithçka që ishte e mundur për të raportuar.”

Por punonjësit e ndihmës dhe zyrtarët thonë se shpesh ata nuk kanë ku të shkojnë, pasi viktimat e bllokuara në kampe me abuzuesit e tyre janë shumë të frikësuar për të shkuar në polici apo autoritete, të cilëve shpesh u mungojnë përkthyesit dhe specialistët.

Punëtorët e ndihmës thanë për Qendrën FXB për Shëndetin dhe të Drejtat e Njeriut se në kampet e zymta kishin lulëzuar bandat kriminale, ku shumë refugjatë kanë jetuar për më shumë se një vit duke terrorizuar viktimat në heshtje.

“Pasi kanë duruar rreziqet e dhunës seksuale ose kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë udhëtimit të tyre, fëmijët emigrues vuajnë nga frika e abuzimit seksual në një vend që duhet t’u garantojë atyre siguri dhe mbrojtje”, tha raporti.

Ai zbuloi se strukturat “e dobëta ose joekzistuese” i lënë fëmijët në rrezik të lartë, dhe raportet e sulmit seksual rriten ndërsa bandat shantazhojnë të miturit dhe kërcënojnë se do i dërgojnë fotot poshtëruese familjeve të tyre.

“Një burrë nga një prej grupeve ‘mafioze’ i kërkoi vajzës shtatëvjeçare të një çifti në çadrën e tyre për të luajtur lojëra në telefonin e tij dhe më pas e mbylli çadrën”, tha një mjek.

“Ajo u kthye me shenja mbi krahët dhe qafën e saj. Më vonë, vajza përshkroi se si ishte abuzuar seksualisht.”

Ekziston frika se përdhunimet dhe sulmet seksuale janë të paraportuara në mënyrë të konsiderueshme për shkak të frikës nga ndëshkimi dhe stigmatizmi, ndërsa prapambetjet administrative mund të shkaktojnë vonesa të gjata përpara se viktimat të largohen nga abuzuesit e tyre.

Marrëveshja BE-Turqi ka lënë mijëra fëmijë të ndaluar në mesin e 13,000 emigrantëve në kampet e mbipopulluara të ishullit, pavarësisht nga shqetësimet e OKB-së mbi kushtet e pasigurta duke parë disa refugjatë që vdesin nga hipotermia apo nga zjarret gjatë dimrit.

Organizatat bamirëse paralajmëruan më parë për vetëvrasjet në qendrat e paraburgimit dhe gjetkë në Greqi, ku të paktën një azilkërkues ka vrarë veten këtë vit në mes të dëshpërimit në rritje për të ikur.

Kontrabandistët në Greqi, Itali dhe vende të tjera të Evropës janë të njohur për detyrimin e refugjatëve, duke përfshirë fëmijët në prostitucion për të paguar “borxhet”, ndërsa emigrantët po përdorin gjithashtu “seksin e mbijetesës” për ushqim dhe strehim ose për të mbledhur para për t’u larguar nga Greqia. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne