Lëmosha në Kosovë po rritet dukshëm, si pasojë e numrit të shtuar të lypsarëve.

Këtë e tregojnë edhe statistikat e Policisë së Kosovës.

Derisa në vitin 2017 ishin identifikuar 339 raste të lëmoshë-kërkuesve, ky numër është rritur në 442 raste për këtë vit.

Kështu, ky problem po del të jetë mjaft shqetësues, edhe përkundër faktit se janë ndërmarrë veprime të ndryshme nga Policia e Kosovës, raporton KTV.

Lypsarët, zakonisht, kërkojnë të holla për ushqim, por ankohen se nuk ndihmohen nga askush tjetër përveç qytetarëve.

Po lypi unë pare, po lypi
Poo, faleminderit po japin
A, po marr bukë, me hongër bukë
Jooo

Jemi nga Shqipëria, s’kemi bukë të hamë
Po bëj çare për bukë
Jo, jo
Jo, kemi ardhë me autobusa vetë
Kemi ardhë me autobusa
Kam edhe 10 ditë
Jo, jo, do iki
Do iki, u mërzita
Çka do bëj, s’ka punë fare, s’të japin

Dyshohet se këta persona, shpeshherë, përfundojnë duke u shfrytëzuar nga grupe të ndryshme përfituese, gjë të cilën e kanë pranuar vetëm prapa kamerave.

Edhe për Vebi Mujkun, njohësin e çështjeve sociale, puna e lëmoshë-kërkuesve paraqet fenomen shqetësues.

Thotë se institucionet duhet të merren me këto raste, pasi që numri i tyre po rritet dhe askush nuk merret me trajtimin e tyre.

Në Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, me arsyetimin se nuk kanë drejtor.

E, në Policinë e Kosovës thonë se numri më i madh i këtyre personave vijnë nga disa qytete të Kosovës, por është edhe një numër i madh i tyre që vijnë nga Shqipëria.

“Një numër i tyre janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe e frekuentojnë qytetin e Prishtinës, por edhe qendrat e tjera dhe shumica e tyre vijnë nga Fushë Kosova, Lipjani, Ferizaj, Obiliqi etj. Ndërsa, një numër i konsiderueshëm i tyre vijnë edhe nga Republika e Shqipërisë dhe njihen ndryshe me termin ‘persona në lëvizje’”, thuhet në një përgjigje nga Policia e Kosovës – Zyra e Informimit.

Lëmoshë-kërkuesit, kryesisht fëmijët, janë të detyruar ta kryejnë këtë, që shumë prej tyre e konsiderojnë “punë”.

Të shtunën, në Prizren, Policia e Kosovës ka arrestuar një grua të komunitetit rom, e cila kishte detyruar fëmijët e saj të kërkonin lëmoshë.

26