Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, së bashku me një delegacion të dikasterit të saj dhe Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM) ka zhvilluar një takim pune me një delegacion nga Ministria e Forcave të Sigurisë të Kosovës, të udhëhequr nga ministri Rustem Berisha, i cili qëndron për një vizitë pune në Maqedoni.

Siç njofton Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë, Shekerinska dhe Berisha shprehën kënaqësi për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, si dhe për bashkëpunimin e suksesshëm në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve fqinje.

“Maqedonia ka vendosur një standard të ri kur bëhet fjalë për marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe mbështetjen reciproke në rajon. Ne treguam se jo vetëm që duam të shkojmë në Evropë, por kemi kapacitetin dhe vullnetin e sjelljes në mënyrë evropiane”, ka theksuar ministrja Shekerinska, duke shtuar se është e dukshme se Maqedonia ka ndikim pozitiv në rajon dhe se perspektiva euroatlantike e vendit është me rëndësi të madhe për stabilitetin e të gjithë rajonit.

Shekerinska e njoftoi homologun e saj kosovar për detyrimet e Maqedonisë në fazën aktuale të vendit për anëtarësim në NATO dhe për bisedimet e pranimit, si dhe theksoi se Maqedonia është e gatshme për të ndarë përvojat e saj me vendet e Ballkanit Perëndimor, qëllimi i të cilave është integrimi në NATO.

Lidhur me bashkëpunimin, Shekerinska theksoi se qëllimi i saj është trajnimi i kadetëve nga Kosova në Akademinë Ushtarake në Shkup.

“Maqedonia do të vazhdojë të edukojë kadetët për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe unë jam e kënaqur për faktin se Kosova ka një interes serioz që ky proces të vazhdojë”, u shpreh Shekerinska.

Ministri Berisha, nga ana e tij, shprehu miënjohje për bashkëpunimin në mbrojtje me Maqedoninë dhe u zotua për ta forcuar atë. Ai po ashtu përshëndeti angazhimin e Maqedonisë për integrimin në NATO dhe BE, si dhe theksoi se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të kishte një ndikim pozitiv në sigurinë në rajon.

“Bashkëpunimi midis Maqedonisë dhe Kosovës si dy vende fqinje, çon drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon”, tha Berisha, i cili foli edhe për planet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova në fushën politike dhe të sigurisë.

Shekerinska tha se Maqedonia do ta pasurojë bashkëpunimin me Kosovën dhe do të vazhdoj të përkrah dijalogun mes Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësim të BE-së.

Ministrja maqedonase tha se pajtohet se bashkëpunimi dypalësh mes vendeve të rajonit është një mënyrë për avancimin e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit dhe shprehu pritjet e saj se sfidat rajonale, negociatat dhe çështjet e hapura do të mbyllen në interes të përparimit të tërë rajonit.

Maqedonia dhe Kosova bashkëpunojnë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë që nga viti 2010, atëherë kur u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit, i cili përfshinë fushat siç janë politika e sigurisë dhe mbrojtjes, trajnimi mjekësor, arsimimi ushtarak dhe aftësimi profesional.

Burimi: AA

7