Pas publikimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit të një raporti kritik mbi mungesën e sigurisë ushqimore në vend, Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit e akuzojnë KLSH-në për përhapje paniku.

Në mesin e gushtit dhe pikun e sezonit turistik veror në Shqipëri, Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri publik një raport performance të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, në të cilin shprehej se AKU nuk mund të garantojë sigurinë ushqimore në vend.

Sipas KLSH-së në Shqipëri mungon një kuadër i plotë për sigurinë ushqimore dhe përgjegjësitë ligjore në zinxhirn e sigurisë ushqimore karakterizohen nga dublime dhe mungesë eficence; ndërkohë që nënvizon se problemet strukturore dhe ato të burimeve njerzore në AKU kanë ndikur dhe në nivelin e inspektimeve të subjekteve që preken nga ligji për ushqimin.

Raporti i auditimit të performacës i përfunduar në Prill, mbulon periudhën Janar 2012 – Dhjetor 2016. Në 7 Gusht, KLSH i ka bërë të ditur të dhënat e këtij auditimi Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvend, si dhe ka njoftuar Kryeministrin Edi Rama, ndërkohë që më herët i ka rekomanduar Ministrisë së Bujqësisë dhe AKU-së 41 masa organizative për të përmirësuar gjendjen- masa që duhet të zbatohen dëri në fillim të vitit 2018.

Megjithatë, të pyetura nga BIRN, AKU dhe Ministria e Bujqësisë kanë ngritur pikëpyetje mbi raportin e performacës të KLSH-së duke i cilësuar konkluzionet e institucionit të lartë të auditimit si të pasakta, ndërkohë që e kanë akuzuar atë se po ngjall panik të pajustifikuar në publik.

“Konkluzioni i KLSH-së jo vetëm është i pasaktë, por për fat të keq ka shkaktuar panik tek publiku – aspak kjo e përligjur,” tha AKU në një përgjigje me shkrim.

“Sipas përvojës edhe vendet me sisteme shumë të konsoliduara dhe të mirëorganizuara të kontrollit ushqimor nuk mund të garantojnë 100% Sigurinë Ushqimore,” shtoi ajo.

Në të njejtën linjë me AKU-në, Ministria e Bujqësisë e hodhi poshtë raportin e KLSH-së, duke u shprehur se siguria ushqimore në vend është në nivele të kënaqshme.

“AKU është institucioni përgjegjës për të garantuar që operatorët e biznesit ushqimor zbatojnë legjislacionin e sigurisë ushqimore në fuqi,” tha Ministria.

“Ky legjislacion, që prej 9 vitesh, ka vendosur bazat për të siguruar një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit dhe interesave të konsumatorit nëpërmjet sigurisë ushqimore duke qenë mbi standardin minimal të garantimit të tij,” shtoj ajo.

Sipas një investigimi të BIRN, të publikuar në Dhjetor 2016, në Shqipëri mijëra vetë helmohen çdo vit për shkak të shpërthimeve epidemike me origjinë ushqimore.

Të dhënat e administruara nga nga Instituti i Shëndetit Publik, ISHP, tregojnë se nga janari i viti 2015 deri në gusht të vitit 2016, në Shqipëri u regjistruan më shumë se 2875 raste toksiko-infeksionesh alimentare dhe 67,744 raste të gastroenterit të paspecifikuar.

Kjo konsiderohet një situatë e zakonshme, pasi në harkun e viteve 2005-2014, toksiko-infeksionet alimentare janë luhatur nga 2000 deri në 3500 raste në vit.

Ish ministri i Bujqësisë Edmond Panariti | Foto nga : LSA

Sipas raportit të KLSH-së mungesa e sigurisë ushqimore në vend vjen si pasojë e disa faktorëve; ku përfshihet dështimi nga ana e qeverisë për të plotësuar kuadrin rregullator në fushën e sigurisë ushqimore; dështimi i AKU-së për ta mbështetur aktiviten e saj në legjislacionin përkatës, mosmenaxhimi efikas i burimeve njerzore dhe mungesa e efiktivitet të inspektimeve të saj.

Në lidhje me kuadrin ligjor KLSH shprehet se 9-vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit Për Ushqimin, Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Bujqësisë kanë dështuar të nxjerrin shumicën e akteve nënligjore të planifikuara. Ndërkohë raporti nënvizon se nga fillimi i veprimtarisë së saj në Maj 2010, AKU e zhvillon aktivitetin e saj pa pasur të miratuar një rregullore të brendëshme si dhe pa mbikqyrje nga bordi.

Shqetësuese për auditorët e KLSH-së shfaqet edhe fakti se ka pasur lëvizje të shpeshta të drejtorëve të AKU-së si dhe mungesa  mirëfilltë e analizave të riskut në nivel drejtorie, sektori dhe specialistësh, duke ulur performancën e veprimtarisë inspektuese dhe për pasojë ndikimin në përmirësimin e sigurisë ushqimore.

“AKU është karakterizuar me largime nga puna, të cilat kulmojnë në vitin 2014 me ikjen e afër 33 % të të gjithë stafit dhe specialistëve (gjithsej 137 persona) dhe bashkë me të dhe të kualiteteve të trajnuara, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve pa shkaqe të përligjura, duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit nga pagesat për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe mbi 78 milion lekë për të gjithë periudhën e audituar 2012-2016,” thuhet në raport.

“AKU, në periudhën e audituar 2012-2016, ka ndryshuar raportin midis specialistëve në qendër dhe inspektorëve në rajone, në dëm të këtyre të fundit, duke i zvogëluar në vitin 2014 me 13 inspektorë,” shton raporti.

Sipas KLSH-së ndërmjet sektorëve të ndryshëm të AKU-së, nuk ka një shpërndarje racionale të subjekteve për inspektor në shkallë vendi, pasi sektori i mbrojtjes së bimëve ka 33 subjekte inspektimi për inspektor, 69 subjekte inspektorët e sektorit me origjine shtazore dhe 151 subjekte për inspektor në sektorin e inspektimit të ushqimeve dhe operatorëve të biznesit ushqimor joshtazor.

KLSH nënvizon që një problem tjetër që e minon sigurinë ushqimore në vend është fakti që 36 % e operatorëve në treg janë informalë dhe jashtë kontrollit të AKU-së, ndërkohë që AKU nuk përfshin në programet e inspektimit rreth 17% të bizneseve që regjistrohen gjatë vitit.

Megjithatë, ky pretendim i KLSH-së hidhet poshtë nga AKU, e cila shprehet se kontrollet e saj bazohen në të dhëna të përditësuara nga drejtoritë rajonale.

“AKU ka një tablo të qartë nga informacioni i ardhur prej DRAKU mbi verifikimin në terren për hapjen apo mbylljen e aktiviteteve të subjekteve në fushën e ushqimit, të cilat janë evidentuar si biznese të reja apo si biznese që kanë mbyllur aktivitetin në  këtë fushë, kjo pasi trupat inspektuese te DRAKU gjatë kontrolleve zyrtare verifikojnë të dhënat për çdo OBU dhe përditësojnë informacionin,” tha AKU.

“Shtimi apo heqja e tyre nga planifikimi vjetor bëhet edhe në rastet kur përgjatë vitit evidentohen këto detaje,” shtoi ajo.

Edhe pse nënvizon se nuk është përgjegjësi e AKU-së kontrolli i bizneseve informale, Ministria e Bujqësisë nënvizoi se autoriteti i ushqimit po bënte të pamundurën për ta minimizuar fenomenin.

“Në raportin e KLSH është citimi se AKU kontrollon vetëm subjektet e licencuara dhe duke e bërë të pafuqishëm ndaj biznesit informal. Si mundet AKU të kontrolloj e të shprehet për sigurinë e një produkti që prodhon një subjekt i palicencuar ose e thënë me fjalë të tjera një subjekt i paligjshëm?” tha Ministria e Bujqësisë.

“Në punën  e saj AKU ka shumë raste që nga konstatime të saj ose informacione e marra ka ndaluar këtë aktivitet të paligjshem e daljen ne treg të produkteve të tyre dhe futjen e këtyre subjekteve në procesin e licencimit,” shtoi ajo.

Sipas raportit të KLSH-së një tjetër problem serioz i konstatuar është fakti  se afër 1/3 e produkteve të hyra në Shqipëri nuk janë monitoruar, duke rrezikuar sigurinë ushqimore në vend, kjo për shkak të mungesës se planifikimit nga AKU.

“Në përgjithësi në të gjitha PIK mungon infrastruktura e domosdoshme për të garantuar siguri dhe besueshmëri në rezultatet e analizave të mostrave, pasi mungojnë pajisjet e nevojshme të inspektorit  për marrjen, mbajtjen dhe transportimin e mostrës; mungesa e ambienteve të përshtatshme në PIK për mbajtjen e mallit të bllokuar deri në daljen e rezultatit të analizave,” shkruhet në raport.

“Inspektorët e PIK nuk kanë dijeni mbi listën e laboratorëve të certifikuar për mallrat ushqimore të importuara, mbi bazën e të cilëve duhet të paraqitet raport-analiza e kryer në vendet e origjinës,” shton KLSH.

AKU dhe Ministria e e Bujqësisë e kundërshtojnë me forcë këtë pretendim të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Mos marrja 1/3 e mostrave të planifikuara nuk do të thotë që këto produkte ushqimore nuk janë kontrolluar në PIK,” tha Ministria e Bujqësisë.

“Atyre u është kryer kontrolli i dokumentacionit, identitetit dhe ai fizik. Në një përqindje të lartë analizat që u kryhen produkteve ushqimore me origjine jo shtazore janë analiza cilësie dhe jo sigurie,” tha ajo.

Ministria nënvizoi se konkluzioni i KLSH se “afërsisht  1/3 e produkteve të hyra në Shqipëri nuk janë monitoruar” jo vetëm që është i pasaktë por mund të shkaktoj panik tek konsumatori.

“1/3 e produkteve qe sipas KLSH janë te pa monitoruara, (gjithmonë me arsyetimin se shifrat janë te sakta) ka të bëjë vetëm në referim të planit të marrjes së mostrave dhe jo për te gjithë produktet e hyra ne Shqipëri,” tha AKU.

“Ky përfundim është i gabuar, për faktin se edhe në rastin që shifrat e cituara janë korrekte, përsëri përfundimi që ka nxjerre KLSH është i gabuar,” shtoi AKU.

AKU u shpreh se në lidhje me rekomandimet e KLSH-së do t’i “përmbushë ato kur  të jenë në përputhje me kërkesat e legjislacionit me të cilin operon AKU,” ndërkohë Ministria e Bujqësisë tha se do të ngrinte një grup pune për t’iu përgjigjur konkluzioneve të KLSH-së.

“Rapori i KLSH përmban edhe disa konkluzione të nxjerra mbi disa pasaktësi teknike e ligjore siç janë ato në lidhje me gjurmueshmërinë e frutave dhe perimeve e përmbajtjes në to të mbetjeve të pesticideve, etiketimi i produkteve ushqimore të importuara, mos ndarja e cilësisë nga siguria, etj,” tha Ministria.

“Për këtë qëllim do ngrihet një grup pune me ekspertë nga ministria për shqyrtimin dhe detajimin e raportit të KLSH. Përgatitjen dhe dërgimin pranë KLSH të një materiali me pasaktësitë teknike e ligjore të konstatuara sipas referencave përkatëse dhe hartimin e një plani pune me detyra konkrete e afate të percaktuara për plotesimin e rekomandimeve të KLSH nga ministria dhe AKU,” përfundoi ajo.

10