Sulejmania, ‘poema’ me katër minare e arkitekt Sinanit

Ajo është xhamia me emrin Sulejmanie, vula e gdhendur e Stambollit. Sulejmania, porta e hapur drejt përjetësisë blu. Nga kjo portë marshuan drejt pafundësisë shpirtra fitimtarë. Sulejmania, shenja dhe vula që një qytetërim i mrekullueshëm e gdhendi në gurë. Ajo është arka e thesareve më të çmuara të Stambollit; ajo e bën atë oqean të minareve dhe kubeve.

Sulejmania me objektet e tjera urbanistike që e rrethojnë, përfaqëson në tërësinë e lagjeve të Stambollit një lagje tipike me karakteristikë kryesore vendbanimin, vendqëndrimin dhe aktivitetin e dijetarëve; lagje në të cilën tradicionalisht janë zhvilluar aktivitete arsimore, edukative dhe shkencore. Kjo karakteristikë me kalimin e kohës ka ardhur duke u theksuar. Shtëpitë e vjetra në dru të mbuluara nga kacavjerrëse fshehin brenda kujtimet e së kaluarës. Rrugicat e lagjes pothuajse të gjitha përfundojnë përpara dyerve monumentale të xhamisë; ose thënë ndryshe, çdo rrugë e kësaj lagjeje, në njëfarë mënyre të shpie aty ku do të mund të ndjehesh më afër Zotit.

Nga çdo vend i kësaj lagjeje, kudo që të ndodheni, patjetër sytë do t’ju hasin në një pamje të faltores së madhërishme. Ky koncept urbanistik, i cili vendos në qendër të vendbanimit xhaminë, është veçoria më e rëndësishme e urbanistikës islame.

Që të kuptohet si duhet qytetërimi osman i Stambollit, nevojitet që qyteti të shikohet nga minaret e Sulejmanies.

Sulejmania është rezultati i bashkëpunimit të suksesshëm të sundimtarit të shtetit më të madh e më të fuqishëm të kohës, me arkitektin më me famë botërore.

Ndërtimi i saj zgjati 20 vjet dhe konsiderohet si një nga ndërmarrjet më të mëdha në historinë e arkitekturës. Ky organizim, përveçse shërbeu për të na ruajtur të dokumentuara në mënyrën më të saktë teknikat më të vlefshme të konstruksionit që i përkasin artit klasik osman të ndërtimit, si dhe parimet e ekonomisë së ndërtimit, njëkohësisht vlen edhe për të na treguar rolin dhe angazhimin personal të sundimtarëve të shtetit osman nëpërmjet fondacioneve (vakf) të themeluara po prej tyre, në jetën urbanistike dhe sociale të qytetit.

Në përurimin e këtij ansambli arkitektonik i cili u ndërtua me iniciativën personale të vetë Sulltan Sulejmanit dhe me të ardhura nga arka e shtetit dhe e Sulltan Sulejmanit, ndodheshin përveç arkitekt Sinanit, edhe kabineti sulltanor me në krye vetë Sulltanin.

Për mirëmbajtjen dhe administrimin e xhamisë dhe të ndërtesave të tjera pjesë e këtij ansambli, u vunë në dispozicion burime shumë të pasura të ardhurash, si dhe një personel i kualifikuar prej 700 personash.

Ata që përqasin Shën Sofinë me Sulejmanien, konkludojnë se, nëse e para përbën një ambient jo unik, të copëzuar, e dyta është unike dhe e plotë. Dhe me të vërtetë brendësia e xhamisë, kundrejt brengës së errësirës dhe të fshehtës së Shën Sofisë, të bën të ndjehesh në një ambient tërësisht të ndriçuar. Këtu, në vend të vendndodhjes së mbyllur të Shën Sofisë, është treguar kujdes për një ambient sa më të hapur me botën e jashtme nëpërmjet dritareve, kryesisht të kubesë.

Sulejmania nuk është një strukturë e stolisur. Përkundrazi, qëndrimi i thjeshtë dhe krenar i gurit, fajastrat që shkëlqejnë aty këtu, të mbështetura edhe nga elementë kaligrafikë, bëjnë që xhamia të na paraqitet si një ndërtesë dinjitoze me një besim të palëkundur te vetja.

Në kube gjendet e shkruar surja kuranore “Nur”, Drita. Dritë shpërndahet në qelqet e abazhurëve nga dritaret e kubesë dhe e kthen këtë mjedis në një simfoni të thjeshtësisë. Në dysheme sixhadetë të ngjyrosura lehtë, nën ndikimin e ngjyrës blu të errët të llamburinave, duket sikur notojnë në një det drite.

Vitrazhet që gjenden në muret e kibles përbëjnë shembujt më ideal të këtij arti; prezantojnë një harmoni ngjyrash dhe formash që nuk do ta prishnin thjeshtësinë e brendshme. Nga çezmat e abdesit vazhdimisht rrjedh ujë për njerëzit që duan të pastrohen shpirtërisht dhe moralisht. Mjafton të falen dy rekate namaz që shpirtit t’i hapet një portë për të marrë krahë e fluturuar nga bota lëndore drejt hapësirave shpirtërore.

Dera e madhe në veri-perëndim të xhamisë e ndërtuar në formë trekatëshe, përbën një nga risitë që arkitekt Sinani solli në arkitekturën e xhamive.

Të gjitha elementët estetikë të perandorisë osmane, e cila shtrihej në tre kontinente, iu dorëzuan arkitekt Sinanit. Ky artist i madh, nga kjo sintezë nxori një tërësi të denjë për famën e tij dhe të shtetit të tij.

Rreth e qark xhamisë gjenden shkollat, spitali, shtypshkronja, ndërtesat urbanistike, hamamet dhe çarshia, si pjesë përbërëse të të njëjtit ansambël. Ashtu siç edhe dihet, në qendër të traditës islame të vendbanimeve gjendet xhamia. Të gjitha elementet e tjera janë të lidhura me xhaminë, janë orbitë e saj.

Lagjja ku ndodhet xhamia dhe që mban të njëjtin emër me të, përgjatë gjithë historisë, ka qenë vendi ku ishin të përqendruar universitetet, shkollat, konviktet; ku banonin e punonin shkencëtarët dhe studentët; ku kryhej një aktivitet i dendur shkencor-edukativ. Edhe sot, ajo nuk e ka humbur këtë veçanti.

Kulla e Bajazitit, e cila gjendet brenda rrethimit të universitetit, është ndërtuar për vrojtimin e rasteve të rënies së zjarrit dhe si e tillë ruhet si vepër historike.

Shkollat që gjenden aty kanë luajtur një rol të madh në vlerësimin e kësaj lagjeje si hapësirë e dijes dhe e dijetarëve. Këto shkolla dikur ishin institucionet më të larta të arsimit. Në mes të murërrethimeve, që freskohen nga hijet e selvive shekullore, përgjithësisht gjendet një shatërvan. Ata që punojnë për të depërtuar në misteret e botës së brendshme të njeriut, si dhe ata që ia kanë kushtuar jetën shkencës dhe diturisë ndjehen komodë dhe të qetë këtu. E gjithë bota islame pret nxënësit që rreth këtyre shatërvanëve pastrohen shpirtërisht dhe ushqehen me dituritë e marra nga librat voluminozë.

Veprat shkencore dhe artistike, që përbëjnë esencën e kulturave të popujve të tre kontinenteve, janë të mbledhura në Stamboll.

Dijetarët dhe nxënësit nevojat e tyre për libra i përmbushnin në çarshinë e Sah-hafëve.

Kjo zonë, e cila edhe sot vazhdon të jetë pjesë e universiteteve dhe e dijes, kjo çarshi vazhdon t’i shërbejë njerëzve për të njëjtin qëllim.

Pjesa më e rëndësishme e ansamblit është biblioteka Sulejmanie.

Ja se ç’thotë drejtori i kësaj biblioteke: Biblioteka e Sulejmanies përmban një numër të konsiderueshëm dorëshkrimesh të karakterit shkencor nga e gjithë bota islame. Ajo njëkohësisht është vendi ku koleksionohet pasuria më e madhe dorëshkrimore e të gjithë botës. Këtu ka rreth 100 mijë dorëshkrime. Të pesë bibliotekat e tjera, degë të saj Atëf Efendi, Kopryly, Nuru Osmanije, Yskydar dhe Ragip Pasha, përmbajnë nga 5 mijë dorëshkrime. Të gjitha kapin shumën prej 125 mijë dorëshkrimesh. Të gjitha këto përmbajnë informacion dhe të dhëna të sakta në lidhje me kulturën osmane-islame.

Në këtë bibliotekë gjenden të ruajtura koleksionet e të gjithë sulltanëve, duke filluar që nga sulltan Fatihu, koleksionet e nënave të sulltanëve, madje gjenden edhe veprat e shkruara të kryeministrave, ministrave dhe burrave të tjerë të shtetit.

Sot, nga fondi shumë i pasur i kësaj biblioteke shërbehet jo vetëm bota islame, por edhe më gjerë nga bota e shkencës.

Në vitin 1740 poeti Defterdar Mustafa Atif Efendi themeloi bibliotekën që mban emrin e tij. Kjo, duke përfshirë bahçen, lulishten, burimin dhe pemët, numërohet si një nga veprat e rëndësishme të periudhës klasike.

Salla e leximit me tavanin e pajisur me qemerë, ofron një ambient të qetë dhe poetik.

Spitali dhe fakulteti i mjekësisë që gjenden brenda ansamblit arkitektonik, filloi të funksionojë në vitin 1556. Këtu të sëmurët psikikë kuroheshin duke shfrytëzuar terapinë alternative me muzikë.

Nëse do të kihet parasysh se po në të njëjtën kohë në Europë, të sëmurët psikikë përjashtoheshin nga shoqëria, do të kuptohet edhe më mirë roli dhe detajet e këtij aktiviteti.

Daru Zijafe, vendi ku sulltan Sulejmani priste miqtë, përbën një nga shembujt tipikë të kuzhinës turke. Tani këtu priten dhe gostiten në shoqërinë e murërrethimit historik, selvive shekullore dhe luleve të shumëllojshme miq nga e gjithë bota.

Një pjesë tjetër e ansamblit është projektuar si lulishte ku pihet çaji. Këtu studentët e universitetit gjejnë rastin të çlodhen dhe të diskutojnë me njëri-tjetrin.

Arkitekti i famshëm Sinani, i cili projektoi dhe udhëhoqi punimet për ndërtimin e kësaj kryevepre, si shpërblim për gjithë këtë punë, i ka rezervuar vetes brenda këtij ansambli gjigant, vetëm një cep të vogël të hapur, në të cilin ka pasur dëshirë të prehet pas vdekjes.

Epitafin mbi gurin e varrit ia shkroi miku i tij, poeti i famshëm Saiu, në të cilin bien në sy këto vargje:

“Ej, ti, që qëndrove një a dy ditë në këtë botë!

Të mendosh se bota është pronë e jotja, është e kotë.”

Era që fryn nga një dritare e hapur dhe lëkund palat e perdes, tregon të gjithë historinë e lagjes. Pas xhamave të thyer të dritareve qëndron pritja zemërtrazuar e braktisjes.

Një strukturë e gurtë aty pranë ka qenë vendi ku hamejtë uleshin të pushonin, kur pesha mbi supe u rëndohej. Kjo mjafton për t’i treguar të tjerëve se sa i lartë ka qenë vlerësimi i qytetërimit tonë për njeriun, qoftë ai hamall, i pasur apo i varfër.

Një tjetër tregues i këtij humaniteti është ky vend që quhet burimi i lëmoshës. Këtu vendosnin lëmoshat, të cilat në mbrëmje nevojtarët shkonin e i merrnin, jo të gjitha, por aq sa ata kishin nevojë. A nuk ju duket një detaj që shpreh shumë finesë?

Ndërsa dielli në perëndim e sipër i kthen ujërat e gjirit të Stambollit në një masë të kuqe lëvizëse, ata që gjenden në pjesën përballë xhamisë, në Yskydar, shohin retë e mëshirës që i qëndrojnë mbi krye këtij ansambli.

Xhamia qëndron krenare dhe duket sikur ka ngritur duart drejt qiellit dhe lutet për të mirën e gjithë njerëzimit.

Përgatiti: Redin Quku

/Revista ‘Drita Islame’ – janar 2017/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne