‘Sulm kundër Krishtërimit’: Kisha e Jeruzalemit mbyllet për të protestuar kunder taksave izraelite dhe politikave të shpronësimit

Kisha e varrit të shenjtë në Jeruzalem, ku besohet se është kryqëzuar dhe varrosur Jezui, mbylli dyert për një periudhë të pacaktuar të dielën, në shenjë proteste ndaj Izraelit kundër një politike të re tatimore dhe projektligjit për shpronësimin.

Drejtuesit e kishave katolike, ortodokse dhe armene njoftuan mbylljen e vendit të shenjtë në një deklaratë të përbashkët, ku akuzonin Izraelin për “sulm sistematik dhe të pashembullt kundër të krishterëve në Tokën e Shenjtë”.

Një projekt-ligj që do t’i lejonte autoritetet të shpronësonin tokën që ishte dhënë tek firmat private nga kishat në Jeruzalem që nga viti 2010, u mesua se do të merrej në konsideratë të dielën nga qeveria izraelite. Autoritetet e qytetit të Jerusalemit gjithashtu kanë anuluar kohët e fundit përjashtimet tatimore të pronave komerciale të kishës dhe tani po kërkojnë pagesat e prapambetura.

“Bashkia e Jeruzalemit lëshoi ​​njoftime skandalozë për mbledhjen e taksave dhe urdhëroi sekuestrimin e pasurive, pronave dhe llogarive bankare të Kishës për shkak të borxheve nga taksat”, thanë Theophilos III, Patriarku i Jeruzalemit, Francesco Patton, Kujdestari i Tokës së Shenjtë, Nourhan Manougian dhe Patriarku armen i Jeruzalemit.

Liderët e kishave të krishtera argumentuan se veprimet izraelite “shkelin marrëveshjet ekzistuese dhe detyrimet ndërkombëtare që garantojnë të drejtat dhe privilegjet e Kishave, në atë që duket si një përpjekje për të dobësuar praninë e krishterë në Jeruzalem …” Viktimat më të mëdha në këtë masë do të jenë ato familje të varfëra që do të ngelen pa ushqim dhe strehim, si dhe fëmijët që nuk do të jenë në gjendje të shkojnë në shkollë”.

Klerikët e lartë e sulmuan legjislacionin e propozuar izraelit si “të neveritshëm … diskriminues dhe racist”, duke thënë se “kjo na kujton ligjet e një natyre të ngjashme, të cilat u miratuan kundër hebrenjve gjatë periudhave të errëta në Evropë”. “Sa për të ardhmen e vendit të shenjtë, ne do të vendosim se si dhe kur do të rihapet,” shtuan ata.

Kryenegociatori palestinez Saeb Erekat tha se presioni mbi të krishterët nga shteti hebraik “duhet të jetë një kujtesë për nevojën për t’i dhënë fund pushtimit izraelit”, raportoi Al Jazeera. Kisha e Varrit të Shenjtë ndodhet në Jeruzalemin Lindor, i cili u pushtua nga Izraeli në vitin 1967 dhe ka mbetur nën kontrollin e tij që atëherë.

Faltoret në qytet janë të përjashtuara nga taksat e pronës dhe “kështu do të mbeten”, tha kryebashkiaku i Jeruzalemit Nir Barkat në përgjigje të mbylljes së kishës. “Por a ka ndonjë kuptim për zonat tregtare ku ka hotele dhe dyqane që të përjashtohen nga tatimet vetëm për shkak se janë në pronësi të një kishe? Për shumë vite, shteti nuk e lejoi bashkinë të grumbullonte borxhet e këtyre zonave tregtare … Unë nuk do të lejoj që banorët e Jeruzalemit ta mbyllin këtë borxh,” tha Barkat, raporton Jerusalem Post.

Anëtari i Knessetit, Rachel Azaria, i cili propozoi projekt-ligjin e shpronësimit, tha se “çmimet e ulëta në të cilat u shitën lagje të tëra tregon se ajo ishte një marrëveshje spekulative. Në këtë situatë, qendrimi i patriarkanës është i pavend, sepse toka e saj u shit tek ndërtuesit privatë.”

Megjithatë, Azaria kritikoi kryebashkiakun e Jerusalemit për sulmin ndaj kishave, duke fajësuar Barkatin për “krijimin e një krize në vend të zgjidhjes së saj … duke krijuar një krizë të panevojshme diplomatike”.

Mbyllja e Kishës së Varrit të Shenjtë ka hyrë në fuqi, ndërsa Komiteti Ministror Izraelit për Legjislacion, i cili do të vendoste për projektligjin e Azarias, zgjodhi që të shtyjë votimin e së dielës për të qetësuar tensionet, raporton Jerusalem Post./rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne